Kaq budalla e di popullin brigadieri i vrerosur?

redaktor

Më në fund sundimtarët e mundur aq keq në zgjedhjet e 23 qershorit, u detyruan të na japin  dhe shfaqjen e tyre të fundit, apo pamjen e 425 të çqeverisë, ku ca të paguar për ministra dëgjojnë në heshtje fjalimin e brigadierit për “rendimentin e lartë të panxharit e të grurit për hektarë”, apo “të orizit për mu e për li” në Kinën Popullore-motër, si në kohën e shkuar të “Shqipërisë fanar i Kuq i Europës”…

Dëgjuam plot 100 minuta fjalim të citosur me 100 gënjeshtra dhe e vetmja gjë që i gëzoi dëgjuesit e atij fjalimi, ku sundimtari i larguar me votë nuk e fshihte dot as mallëngjimin për ndarjen me pushtetin, as mërinë ndaj popullit që e dërrmoi sundimin e tij me votë plebishitare dhe as urrejtjen klasore ndaj kundërshtarit të tij politik. Dëgjuam e ç’nuk dëgjuam në ato 100 minuta të kënditura me 7.000 vendime pushteti në tetë vjet sundim të pakufizuar e po aq të papërgjegjshëm, sa edhe në ditën e fundit të shfaqjes ai biçim pushteti u bë copa që të na mbushte mendjen se po ikën si fitimtar e jo si i munduri më rëndë në dy dekadat e tranzicionit të shpifur shqiptar…

Dëgjuan shqiptarët që patën nge e stomak të fortë për të dëgjuar ligjërimin vetëlëvdues për të 425-tën herë të pushtetit të përzënë me daullen e madhe të një milionë votave kundër, por as tifozët e sëmurë të vetë atij lloj pushteti nuk besoj se e kanë pritur që të dëgjonin një fjalim triumfatori nga pushtetari i bërë përshesh në zgjedhjet e 23 qershorit(!).

Mjaft shqiptarë besoj se kanë pritur që, më në fund, në fjalimin e fundit–gjithnjë përpara gojëkyçurve të paguar si ministra e të punësuar vetëm për të shtuar laçkën e plaçkën vetjake me pasurinë kombëtare dhe me pasuritë e pronarëve të shpronësuar dy herë – të dëgjonin edhe ndonjë fjalë për shkaqet e humbjes së turpshme të atij lloj pushteti. Kanë pritur qytetarët normalë të këtij vendi, që në atë fjalim të fundit, të 425-tin, të dëgjonin edhe ndonjë mosmbajtje premtimi nga të vetëshpallurit si “premtimbajtës”, apo edhe ndonjë gabim të tyre gjatë kohës që qëndruan në pushtet me vota të vjedhura, se, Zot na ruaj, nuk pret njeri që të kujtohet ai lloj pushteti i sëmurë të përmendë ndonjë nga zullumet e tij të shumta, të kryera në dëm të qytetarëve e të pasurisë së tyre, në dëm të lirisë e të pasurisë së tyre dhe në dëm të vetë demokracisë  e të zhvillimit të mbarë të vendit.

Nga ai fjalim përmbyllës i mbytur në vetëlëvdata e aq i rënduar me vetëmburrje, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi morën vesh mirë se qëndrimi i moderuar politik dhe maturia e njeriut të përgjegjshëm janë të huaja e të panjohura për këtë skotë të sëmurë për pushtet të pakufizuar. Janë të huaja të e të panjohura maturia dhe qëndrimi i moderuar politik për këtë skotë pushteti, sepse maturia dhe qëndrimi i moderuar janë rrjedhojë e ndjenjës së përgjegjësisë qytetare. Po ku ta gjejë ndjenjën e bukur të përgjegjësinë qytetare, një skotë pushteti gjysmëkomuniste, gjysmënaziste e gjysmë feudale? Ku ta gjejë ndjenjën aq njerëzore të përgjegjësisë qytetare një skotë pushteti me frymë barbare dhe e skllavëruar nga korrupsioni? Më në fund, ku ta gjejë ndjenjën e përgjegjësisë qytetare një pushtet që ikën me moton e kobshme: ”Pas meje, le të bëhet kiameti!”?

Ajo mungesë ulëritëse e përgjegjësisë për humbjen, u pa qartë në fjalën vetëmallëngjyese të mbledhjes së fundit të sundimtarit të mundur me votë. Dhe u pa qartë besoj edhe nga vetë tifozët e tij më të thekur, që duket se po pakësohen përditë. U pa qartë se dhe arsyet për  humbjen e pamasë të 23 qershorit, skota e pushtetarëve tanë të sëmurë për sundim të pakufizuar e të përhershëm  kërkon t’ia veshë popullit fukara, që mezi paskej pritur t’i shporrte nga karriget e pushtetit të tyre prej pushtuesi. Sikurse u pa qartë si e sa u përpoq me këmbë e me duar brigadieri i hakërruar që atë humbje turpëruese t’ia vishte kundërshtarit politik. Dhe aq e qartë doli sëmundja për pushtet personal në atë fjalim të qullur në vetëmburrje e të mbështetur në argumente të squllura nga gënjeshtrat e përsëritura, sa e tërë mëria e brigadierit pushtetar, të shpartalluar me votën plebishitare të 23 qershorit, nuk i turrej shumicës dërrmuese që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit, por i tërhuzej e i gërmushej e i bërdyshej e i vërsulej vetëm kryetarit të tanishëm të shumicës fitimtare. Se për atë lloj pushtetari të sëmurë për sundim të përhershëm e të pakufizuar, është i huaj koncepti politik i alternativës kundërshtare. Sepse ky lloj brigadieri i punësuar në politikë nga Partia e Punës, beson vetëm në konceptet që i ka mëkuar ajo parti. Sepse koncepti i tij udhëheqës në politikë është ai i ndeshjes midis dy palëve armike. Koncepti klasor i ndeshjes për jeta a vdekje deri “në fitoren përfundimtare të proletariatit”. Koncepti i luftës politike si ndeshje klasore midis dy “komandantëve” të hordhive të verbuara nga fanatizmi i luftës së klasave. Për të mos përmendur shkarjen e tij shkumëzuese deri në konceptim primitiv të bejlegut për vdekje midis dy bajlozëve të armatosur me kukurat e përrallave të lashta…

Dhe në këtë hulli, gjatë atyre 100 minutave u tha e ç’nuk u tha për  drejtuesin aktual të palës fitimtare të 23 qershorit! Që t’i shmangej sa më shumë përgjegjësisë vetjake për humbjen dërrmuese në zgjedhjet e 23 qershorit, brigadieri humbës i lëshoi fitimtarit të gjitha bateritë sovjetike të 100 gënjeshtrave, që i ka përsëritur aq shumë herë, sa tanimë i beson dhe vetë e jo më vetëm ndoca tifozë të tij të ndërkryer, përherë e më të paktë.

Mirë ata të shkretët tifozë, që i kanë besuar gënjeshtrat nga përsëritja e shpeshtë dhe e zgjatur në kohë dhe kanë të drejtë disi që edhe t’i mbërthejë hipnoza e përsëritjes së gënjeshtrave. Po kësaj here dukej se hipnoza e përsëritjes së gënjeshtrave e kishte kapur dhe vetë autorin e tyre të palodhur.

Ndryshe si mund të gërdufej aq egër ndaj mbarë popullit që e rroposi me votë, sepse “e kishte gënjyer më shumë kundërshtari”? Aq budalla e di popullin ky brigadier i sëmurë për pushtet të përjetshëm e të pakufizuar? Vërtet e di popullin aq budalla ky brigadier i vrerosur nga humbja e pushtetit, sa ta kujtojë një turmë trushkulur, që gënjehet si i vogli me lule?

Mbase vërtet këtë popull, të lodhur nga gjysmë shekulli diktaturë komuniste, e gjeti disi bosh ajo e ashtuquajtura “përmbysje e diktaturës” me vetë veglat e diktaturës në dhjetorin e largët të vitit 1990. Mbase vërtet ajo hipnoza e përsëritjes së gënjeshtrave e mbërtheu dhe këtë popull të uritur, të sëmurë e të trembur nga dhuna shtetërore e Partisë së Punës dhe, për pasojë e mori për të mirëqenë dhe vetëpërmbysjen e diktaturës, sikundër i mori dhe për “themelues të demokracisë” të besuarit e diktaturës. Por sot, pas më shumë se dy dekadave tranzicion të shpifur e të lodhshëm, gjatë të cilit liria relative dhe demokracia në krizë u kthyen në krizë të lirisë e të vetë demokracisë, duket si ca e tepërt të përpiqesh ta mashtrosh këtë popull përsëri me hipnozën e përsëritjes së gënjeshtrave.

Pushteti i mundur më votë plebishitare më 23 qershor, mbase nuk duhej të mbetej edhe në ditën e fundit të shfaqjes së shëmtuar televizive, aty mes tufës ministrore gojëkyçur, duke mallkuar popullin “e gënjyer nga kundërshtari” dhe duke akuzuar kundërshtarin politik edhe për zullumet e veta. Pas tetë vjetëve të ngarkuar me zullume pushteti, mbase duheshin pranuar dhe ca gabime e ca abuzime me pushtetin, të paktën për hir të asaj tufës së vet gojëkyçur. Të paktën për hir të asaj tufe gjuhëprerë, që ka ndjekur verbërisht urdhërimet dhe tekat e komandantit mërimadh me të gjithë ata që mendojnë ndryshe e ca më keq me ata që dhe guxojnë të flasin ndryshe nga ai vetë. Se me atë shfaqje vetëlëvduese e akuzuese dhe për popullin mbarë, si për kundërshtarin politik, ka rrezik që ai Fronti Demokratik i diktaturës, që i dhanë dikur për ta kthyer në parti politike, mund të katandiset në skrap politik. Në mos e pastë dhe këtë synim të vetin brigadieri i pushtetit, tani që populli u zgjua dhe nuk e la të mbetej pushtetar i përjetshëm. Mbase duheshin përmendur dhe ca zullume të pushtetit të shembur me votë popullore në ato 100 minuta e jo vetëm 100 gënjeshtra. Se duhet kujtuar dhe pushtetarët e sëmurë që populli mund të vonojë të zgjohet, por dikur zgjohet. Dhe zgjimi i tij është fundi i pushteteve të sëmurë. Zgjimi i popullit nuk mund të nxitet kurrë me gënjeshtra, sikurse mund të nxitet hipnoza e përsëritjes së gënjeshtrave. Zgjimi i vërtetë i popullit vjen nga trashja e zullumeve të pushtetit, zullume që në këto tetë vitet e shkuara nuk janë dhe aq të pakta. E nuk janë dhe nga ato që mund të harrohen, e as që mund të falen lehtë.

Sepse, kushdo që të mund të mendojë t’i falë ato zullume të rënda, nuk i fal populli fukara as tragjedinë e Gërdecit e as vjedhjen “patriotike” me qindra milionë euro në rrugën gjysmake Rrëshen-Kalimash. Nuk i fal populli fukara grabitjet e pasurisë kombëtare anë-e-mbanë vendit, nga kromi tek nafta e tek bakri dhe ari. Nuk e fal populli i varfër shitjen e shelfit detar dhe as shitjen e interesave kombëtare për hesape të mbajtjes së pushtetit sa më gjatë nga një skotë e sëmurë. Populli i varfër, sado bujar që është treguar këtë shekull edhe me pushtetarët e tij të sëmurë për sundim, nuk i fal dot atij lloj pushteti vrasjet e protestuesve të pafajshëm në atë 21 janar të përzishëm. Madje populli bujar dhe me pushtetarët e vet të sëmurë, nuk besoj se e fal as kthimin në skrap të Partisë Demokratike, se dhe atë e ka parë gjithnjë si pasuri të tij kombëtare dhe jo një vegël të verbër për të ardhur në pushtet e për të mbajtur pushtetin me çdo çmim e me çdo kusht një skotë antikombëtare e antipopullore. Se populli i thjeshtë, zotërinj pushtetarë të sëmurë për sundim të përjetshëm, e di mirë që qëndrimi i matur është rrjedhojë e ndjenjës së përgjegjësisë, kurse përpjekja për t’i hedhur hi syve me hipnozën e përsëritjes së gënjeshtrave, është dëshmi e papërgjegjshmërisë politike dhe e rendjes nëpër terr për pushtet të paligjshëm e për ta humbur dhe të ardhmen e popullit në terr.

Share This Article
11 Comments
  • pERSHENDETJE ZOTI gUMENI PER KETE ANALIZE SHKENCORE,REALE ME GJUHEN ME SHPREHESE TE MUNDSHME PER 100 GENJESHTRAT E sALIUT DHE PER GOJEKYCURIT E GJUHEPRERET MINISTRA QE PER 8 VITE KANE QENE SI BLLOQE BETONI NE ATE SALLE E JO SI MINISTRA,VETEM KANE DEGJUAR E MIRATUAR BROCKULLAT E QYFYRET QE BENTE sALIU KUR LODHEJ A KUR SHIHTE SE DREMISNIN ministrat e drejtohej BREGUT ME BUZEQESHJE TE SHTIRUR, tHEU QAFEN NJE DIKTATOR,VONE ,POR ME MIRE VONE SE KURRE.kjo shpreh se e drejta vonon ,por s,harron dhe se populli zgjohet nje dite nga opiumi mashtrues i Saliut.

  • nje gje eshte e sigurt qe ky brigadieri nuk do na dali me ne tv te trembi dhe femijet se ne te tjeret nuk po e rr……m per te.

  • z gumeni si gjithmone i sakte objektiv dhe shume racional .ju keni bere nje analize brilante ,keti monstre ,por i dashurr gumeni ,nese nuk shkon para drejtesise ky sharlatan politika eshte ne udhe kryq me kete ,,ky nuk heq dore nga lehja dhe poshterimi ,ky ka mare angazhim qe ta heqe zvare kete vend deri ne percudni .ky nuk e do vendin ,ky eshte antishqiptar ky eshte fashist ky do hape pune e do ti vere shkop ne rote ,qeverise re po nuk u denua ,e qe populli te mare vesh se sa deme i ka bere ne nuk do kemi qetesi kure vetem drejtesia e forte denimi i tij e shkateron mafien e tij ,dhe njerezit pa shtylle kurizore qe e ndjekin kete monster .

  • Te jeni te sigurte se e vetmja djallezi qe mund te beje tani,eshte ndertimi i shtetit paralel,pra e shtetit brenda shtetit.kete po e realizon me parate e vjedhura nga shqiptaret.themelet e ketij shteti u vune me grabitjet abuzive te Shqup,parkut te ministrise,stacinit trenit etj,grabitja e qendrave turistike,qendrave qytetare,te gjithe industrise naftes dhe burimeve,industrise se kromitdh burimeve minerale.Sot ai po dorzon vetem shtetin formal,shtetin e shkresaave dhe zyrave,shtetin e thesarit te sbrazur, sepse tek shteti i pasurive te verteta eshte zot,eshte kryaminister,eshte mbret.A do tja shkule dot nga thonjte kjo qeveri plebishitare?Kjo eshte sfida e vertete.

  • Zoti gumeni, ne fakt, vertet brigadieri i vrerosur foli 100 minuta, po te jesh i bindur ti dhe cilido, se ate nuk e degjoi asnjeri nga fillimi ne fund sepse qe ne tre fjalite e para u pa qe ishte po ai hipokrit i 24 viteve me pare kur megjithese i perziere me partine e re qe krijoi Azemi me te rinjte, mbante ende teseren e PPSH-se ne sirtar. Analiza juaj eshte plotesisht e sakte, por ky komunist i thekur, do e mbylle gojen vetem kur zoti ta marre e ta dergoje ne ferr se ka bere aq krime sa as me Zogun apo Enverin nuk krahasohet. Mjafton Gerdeci dhe 21 janari per fytyren e tij te vertete kriminale dhe antipopullore e antikombetare. Ndoshta zoti eshte zgjuar dhe na i heq qafe sa me pare.

  • I sakt serish zoti Gumeni. Bukur mire. Nga treva jote vetem mençuri rrjedhin si ujet e gurrave tona, atje ne Kurvelesh.
    Ketij brigadierit, siç e quani ju, ia pati fajin populli e kundershtari qe “mashtroi” sipas tij me shume se ai gjate fushates. Harroi genjeshtrat e tij 23 vjet. Populli u zgjua i mbingopur dhe e shpartalloi.
    Kete ai nuk e kuptoi asnjehere keta 3 muaj qe nga fundi i zgjedhjeve. Asnje analize, vetem vetelevdata.
    Pershendetje: Rezo

  • Ju lumte dora z.Gumeni, ju ishit trim kur behej beteja, i mençur kur behej kuvendi,
    jo si keta qe hyjne e dalin nga haleja, te cilet dua t’i qesendis lehte me bejtet e mia.

    Jemi mburrur sa kemi plasur,
    nuk kemi ditur ç’kemi dashur,
    delenxhileret i kemi zgjedhur,
    per t’ na shtypur dhe tredhur.
    Ata njeritjetrit i kane sherbyer,
    dhe njeritjetrin e kane shqyer,
    u shkuam pas duke u dridhur,
    te trembur nga kjo jet’e hidhur.
    Na gënjyen e na mashtruan,
    nga djersa jone u pasuruan,
    kur premtonin parajsen tone,
    ata benin te tyre nen kupole.
    Shtiren kur flasin dhe qeshen,
    pas ndryshimit shohin qesen,
    me dy gishta tregojne mirsine,
    vendin e kthyen ne çmendine .
    Jane ustallare te korrupsionit,
    si minj kanalesh pertej sifonit,
    dhe flasin per duar te pastra,
    te ndotura nga urina e glasa.
    Si fjalembajtes te shkaterrimit,
    mbajne mitingjet e inaugurimit,
    me gershere gjithenje ne duar,
    tallin njerezit, qe i kane votuar.
    Ata shpellare te malit, te pyllit,
    qe cicerojne kengen e bilbilit,
    ku vune kemben, bene gjemen,
    prej votuesve e moren dermen.
    Atij veshgjatit qe ishte kryetari,
    sherbyesve qe lehnin si zagari,
    si prapanica u qene bere faqet,
    u ndeshkuan te lajne mekatet.

    Ne ferr vafshin, na nxine faqet!

  • Faleminderit Zoti Gumeni , skemi gje tjeter per te thene , qelbesira mbetet ashtu gjithmon deri sa te groposet , faleminderit qe ju dini ta vleresoni tamam kete komunist nga ata te ndyret , se shum te tjere vetem se jane te persekutuar e kan mbeshtetur gjarprin qe futi komunizmi ne gjirin tuaj dhe na e lane kaq gjate prishi vendin degjeneroj brezin e ri me ginjeshta ai eshte si Juda qe tradhetoj Jezusin ,Faleminderit Zoti GUMENI

  • Te heq kapellen per kete shkrim kaq te pjekur Daut Gumeni. Qofte ky shkrimi i fundit qe lexojme per nje karikature politike qe e shpuri Shqiperine tone ne gremonen me te thelle historike. Tani eshte normale t’i leme kufomat ne ameshimin e tyre dhe te merremi me te gjallet te cilet, (mos ndodhte kjo, por asnjehere nuk i dihet modelit shqiptar politik) mund te na bejne gjemen njesoj si kaloresi i fytyres se vrerosur. Edhe njehere ju pershendes

  • Ne se doni nje president te mencur e popullor ja tek e ken.Po te vihet ne kandar me Bujar Nishanin kandari jo vetem qe do te prishej,por do te behej edhe i pa riparueshem.Te dy jane nga jugu,por ndryshojne si natea me diten.i

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *