Tirana kërkon fitoren e parë në shtëpi, prej inaugurimit të stadiumit “Selman Stërmasi”. Bardheblutë vijnë nga një seri prej katër fitoreve radhazi në transfertë, më e fundit duke thyer tabunë në Laç, ndërsa të shtunën presin Bylisin në shtëpi.
Një ndeshje që në letër duket e lehtë, por jo sipas Erando Karabecit, i cili thotë: “Pas shumë rezultateve pozitive jashtë fushe, kërkohet rezultati i parë pozitiv në fushën tonë, sepse akoma nuk e kemi arritur. Pavarësisht se në letër ndoshta mund të duket ndeshje e lehtë, e mohoj kategorikisht që të jetë e lehtë, pasi në këtë kampionat është vërtetuar se edhe ekipi i vendit të fundit të merr pikë.
Për më tepër, për ne si ekip nuk ka ndeshje të thjeshta, si në Laç si me Bylisin në fushën tonë, vështirësia është e njëjta. Nëse do të humbasim përqendrimin dhe nuk do ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, atëherë do të jetë shumë e vështirë për ne”.
Më tej organizatori flet për objektivat e skuadrës, që pas arritjes së vendit të tretë mund të synojë të kapë edhe Partizanin në vendin e dytë.
Ai flet edhe për mungesat e Bakajt dhe Karan për sfidën e fundjavës: “Ndodheshim në vendin e gjashtë dhe kishim synim të arrinim vendin e tretë, që është zona e Europës.
Tani që e arritëm, synimet shkojnë për më lart. Por, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve që kemi pasur dhe më tej të shohim se çfarë do të arrijmë. Jemi në progres e sipër, kemi ende për të treguar.
Mendoj se e kemi grupin që të mos i ndjejmë mungesat e Elisit dhe Karanit. Shpresojmë ta zgjidhim ndeshjen edhe me këto mungesa”.
Kundër Bylisit, Tirana gjen përballë një “ish”, si portieri Stivi Frashëri, i cili u largua nga bardheblutë mes polemikave dhe akuzave, ku një prej emrave që përmendi ishte pikërisht ai i Karabecit. “Kush është ky? Nuk e njoh fare. Njoh disa lojtarë të Bylisit që kanë luajtur me Tiranën, si Yshmeri apo Peposhi, por këtë nuk e njoh”, ironizon Karabeci.
