Pjesa e parë katastrofike me Apoloninë në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë e ka shkundur ambientin bardheblu, ku është bërë një analizë e thellë për atë shpërfytyrim 45-minutësh që mund të ketë pasoja për vazhdimësinë e sezonit.
Por Erando Karabeci, autor i golit të barazimit ndaj fierakëve, gjen edhe anët pozitive të asaj paraqitjeje zhgënjyese në prag të përballjes me Vllazninë në “Loro Boriçi”, në kuadër të javës së 21 të kategorisë superiore.
“Më mirë që paraqitja zhgënjyese na ndodhi me Apoloninë në Kupën e Shqipërisë sepse do të kemi mundësi rikuperojmë në sfidën e kthimit, ndërsa për kampionat do të ishte e parikuperueshme.
Ky rezultat na motivon më shumë për t’u kthyer te fitorja me Vllazninë”. Vllaznia renditet në një zonë të sigurt në tabelën e klasifikimit, me 14 pikë më shumë se Apolonia dhe Elbasani, por fakti që shkodranët nuk e kanë presionin e rezultatit sipas Karabecit është nuk është në favor të Tiranës.
“Ata nuk kanë presionin e rezultatit sepse nuk kanë pretendime në kampionat dhe ky fakt është në favorin e tyre. Vllaznia do të luajë lirshëm dhe kjo do t’i ndihmojë të japin më të mirën ndaj nesh”.
Kryeqytetasit rikthehen në “Loro Boriçi” pas 5 muajsh pa praninë e tifozëve, pasi bardheblutë ende nuk e kanë shlyer pezullimin e marrë nga organet e drejtësisë sportive për dhunën e ushtruar në impiantin shkodran në fazën e parë.
Gjithsesi, mungesa e mbështetësve bardhebu nuk e shqetëson aspak 26-vjeçarin. Ervin Bulku i dëmtuar dhe Dorian Kërçiku i pezulluar janë dy mungesat e sigurta të Tiranës për Vllazninë, ndërsa Jetmir Sefa vijon stërvitjen i diferencuar dhe vështirë të vihet në dispozicion të Maganit për sfidën me kuqeblutë.
