Karburantet, çmimi rritet për të dytën herë brenda dy javëve

redaktor

Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar sërish ditët e fundit, duke shënuar rritjen e dytë brenda një periudhe kohore prej dy javësh. Në total, gjatë periudhës në fjalë karburantet janë shtrenjtuar me 10 lekë për litër, apo rreth 6%.

Sipas tabelave të tregtimit me pakicë të kompanive kryesore, një litër naftë tregtohet tashmë me 165-170 lekë për litër, nga 155-160 lekë që ishin çmimet rreth një muaj më parë. Arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtare.

Treguesi referencë për naftën e papërpunuar evropiane, Brent për dorëzimet e prillit u tregtua të premten e javës së kaluar 18 cent më lart në 60.39 dollarë për fuçi. Brent ka fituar 34 për qind nga niveli më i ulët mes-janarit.

Me ritmin shumë më të shpejtë të ndjekjes së shtrenjtimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare në krahasim me uljen e tyre, si dhe me rritjen e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër, çmimet e naftës dhe benzinës duket se do të gjejnë një ekuilibër më të lartë, duke iu afruar me shpejtësi nivelit rekord prej rreth 190 lekë për litër, të parë në janar të vitit të kaluar, kur nafta në bursat ndërkombëtare ishte mbi 100 dollarë për fuçi.

Rritja e parë e çmimit të karburanteve për këtë vit nisi në fillim të shkurtit, sapo ai filloi të shtrenjtohej në bursa.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *