Shifrat e tregtisë zyrtarizojnë importin e lartë të karburantit e gjithë produkteve të akcizës gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importi në dhjetor arriti në 54 miliardë lekë, ose 20% më shumë se një muaj më parë.
Për shkak të rritjes së shpenzimeve në prag festash, në muajin dhjetor rriten importet, por rritja e këtij viti ishte e pazakontë dhe e lidhur tërësisht me rritjen e pritshme të akcizës që do të hynte në fuqi në janar. Sipas të dhënave të tregtisë, vetëm në muajin dhjetor u importuan rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Sasia u zhdoganua me taksa më të ulëta për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmime. Sipas ekonomistëve, në bazë të nivelit të konsumit mujor në vend, sasia e importuar vetëm në dhjetor do të vlente deri në fund të muajit shkurt, çka do të nënkuptonte, në kushtet e respektimit të rregullave, se deri në fund të shkurtit nuk do të kishte rritje çmimi për efekt taksash. Ndryshe nga ç’ndodhi realisht në treg. I njëjti fenomen vërehet tek cigaret, pijet alkoolike dhe ato energjike.
Grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75%. Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekësh. Përllogaritjet flasin për një shmangie taksash që arrin në 2.4 milionë dollarë, e që rritet shumë më tepër nëse vlerësohet rritja e tre muajve të fundit.