KARRIGIA QË DUAN T’I “NGECIN” BASHËS

redaktor

Duhet thënë se kushdo që do të jetë në vijim në krye të Partisë Demokratike, pavarësisht nëse do të “zgjidhet” apo të do të emërohet, nëse do t’i nënshtrohet një procesi “të ndershëm” apo të pandershëm, pa asnjë hezitim, ai është i dënuar të shfaqet si një variant i Ramiz Alisë, pas vdekjes së diktatorit. Pavarësisht nëse do të fillojë të eksperimentojë, duke shpikur “arëzat” dhe “tufëzat” e tij, ai do të jetë i shtrënguar të livadhisë vetëm brenda livadhit të përcaktuar nga paraardhësi dhe do të rrijë në atë post për sa kohë nuk do të dalë nga ai livadh. Pavarësisht nëse ai do të shpallë me bujë program dhe rrugë të re, e vetmja gjë që do të thotë, thuajse me mallëngjim, do të jetë fjala “vazhdimësi”. Pavarësisht se ai do të mundohet të shfaqet i lirë në vendimmarrjen e tij, mbi krye si shpatë Demokleu, deri në fund, do ketë një imazh prej “Nexhmije Hoxha”,  e cila do të thotë gjithçka që ai duhet të miratojë. Ka plotë argumente që tregojnë se Partia Demokratike edhe për shumë e shumë kohë, do të mbetet peng i së kaluarës dhe nuk do të mundet të dalë nga ky qerthull. Këtu nuk është fjala se kjo parti dhe ithtarët e saj në një shfaqje koreanoveriore, dhanë shembullin më grotesk si mund të përjetohet momenti kur i pari i saj shkëputë të ndenjurat nga kolltuku i pushtetit. Nuk është fjala se ish “sekretari i parë” vazhdon merr “letra nga populli” me një stil kooperativisti, ku i përgjërohen që të mos iki. Nuk është fjala se ai vazhdon të deklarojë se në vijim do të punojë 18 orë, duke mos lënë asnjë orë për të tjerët. Nuk është fjala nëse ai bënë humor kur thotë se ika, apo me këtë mënyrë sjelljeje do të përgatisë veten shpirtërisht se vërtet po ikën. Në kjo skenë tollovitëse, ku krahu i djathtë i politikës shqiptare po shfaq gjithë komicitetin e saj, duket qartë se procesi i marrjes së asaj karrigeje do të jetë thjesht një “ngecje’ dhe ndoshta Lulëzim Basha, është jo vetëm viktima e kësaj ngecje, por edhe përzgjedhja më e keqe e mundshme.

Së pari, në të gjitha stacionet e karrierës politike të Bashës, të krijohet përshtypje se dikush e ka marr atë fare rastësisht nga diku dhe e ka vendosur diku. Deri tani ai, jo për meritë të tij, por për zgjedhjen e dikujt tjetër, ka provuar disa karrige dhe në të gjitha karriget është ofruar prej të tjerëve, si një gjetje dhe ka ikur jo si “gjetje”. Me një shikim thuajse të pafajshëm dhe me pak habi, si të dojë të pyes naivisht se çfarë veçantie shohin të tjerët tek ai që po e ngjitin e ngjitin vazhdimisht, ai i ka pranuar të gjitha karriget. Por siç ndodhë në të gjitha karrierat e diktuara, ulja në karrige ka qenë gjithë shkëlqim, sepse kishte shkëlqimin që i vishnin ata që e vinin në këto karrige, ndërsa largimi prej saj ishte thuajse anonim, sepse mbante gjurmët që linte ai.

Së dyti, ideja e qarkulluar brenda PD-së, apo edhe tek shumë zëra mediatikë se ky person është prurje e re në PD, është sa e pavërtetë aq edhe naive. Natyrisht që nuk ka sens ta krahasojmë me ish kryetarin e PD-së, sepse të gjithë politikanët ende në detyrë, madje edhe ata që vijnë nga regjimi i kaluar, po të krahasohen me të, janë prurje të reja. Nëse marrin vitet që kjo parti ka qenë në pushtet, nga dymbëdhjetë vite, në tetë prej tyre është shënuar edhe emri i Bashës. Por më shumë se vitet, më shumë se afatet kohore, ajo që e bënë një lidhje të re, apo të vjetër, është intensiteti i kësaj lidhje. Në këto tetë vite Basha ka dhënë gjithçka, ka marrë gjithçka, ka pasur kohën e mjaftueshme t’i tregojë të gjitha aftësitë e tij, përkatësisht dështimet e tij spektakolare, për të cilat nuk ka faj, sepse siç e thamë më lart, atë e marrin dhe e lënë diku, tamam si t’i thonë, rri pak kohë këtu se më pas do të çojmë diku tjetër.

Së treti, edhe pse ai ulet rastësisht në një karrige, në pritje për të shkuar diku tjetër, për shkak të pushtetit që ofron karrigia, edhe po të mos dojë ai, do të lerë gjurmë krejt të pafajshme. Do apo nuk do ai, edhe duke qenë në pritje, për sa kohë do jetë aty, do nisë të firmosë e të vulosë. Duke mos folur për gjurmët rutinë që le edhe ai që është në pritje për të shkuar diku tjetër, duhet të themi se në karrierën e Lulëzim Bashës, kudo që ka qenë, ka edhe pika të errëta si askush tjetër.

Ai erdhi nga periudha para politike e tij, duke lënë pas hijen e një raporti të ngatërruar me UÇK-në. Ndoshta asgjë nuk është e vërtetë, por kjo hije lidhet me të.

Ai iku nga Ministra i Transporteve duke lënë pas përfoljen e një afere korruptive të frikshme, e cila u “mbyllë” për arsye teknike.

Iku tek bashkia e Tiranës, duke premtuar të punojë për njerëzit e saj, ndërsa la në rrugët e saj katër jetë të ikura, pikërisht kur Ministria e Rendit ishte në hyqmin e tij, ngjarje kjo ende në proces gjykimi. Sipas ritualit që ka praktikuar ai deri më sot, të gjitha hijet i ka lënë pas e ndoshta kështu do të veprojë edhe me këtë ngjarje, nëse gjaku i tyre nuk do t’i dilte si makth, pikërisht aty, në atë rrugë, ky ai kishte premtuar aq shumë punë, si kryetar bashkie.

Mori pjesë në zgjedhje ku humbjen me dhjetë vota e ktheu në “fitore”, ndërsa tani që rreth gjashtëdhjetë mijë vota i la udhës dhe është në një nga pritjet e tij të zakonshme për të shkuar diku tjetër, me sa duket as që e ka në mendje për të folur për këtë problem. Tek ai e tashmja shumë shpejt bëhet e shkuar.

Së katërti, duke parë këto hije në biografinë e tij politike, nuk mund të mos theksohet një fakt i çuditshëm Duket se është dikush që i merr mbi vete mëkatet e tij, ndërsa ai del krejtësisht i pafajshëm dhe sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Basha rezulton i përkëdhelur, ndërsa nuk dihet pse ai, apo ata që e vendosin diku, marrin mbi vete riskun e këtij njeriu. Ky kanakar i Partisë Demokratike, ndërsa lë pas hije dhe ikën, si të dojë të thotë, faji nuk është imi, por juaji që më vendosët këtu.

Edhe tani, ai duket se është në pritje. Si të gjitha pritjet e tij të deritanishme. Si të gjitha ikjet e tij. Kjo nuk përbën asnjë çudi. Nuk përbën çudi as karrigia e lartë që duket se po e pretë në vijim. Të gjitha karriget e karrierës së tij, kanë rezultuar si “ngecje” të dhuruara. Nuk pritet që të shohim risi në karrierën e tij të mëtejshme në këtë “ngecje” të re. Është në moralin e atij që i afron këtë “ngecje” të kujdeset për të në vijim, ndërsa vet Basha të bëjë atë që di të bëjë ai. Thjesht të ulet në karrigen e radhës duke qeshur.

Share This Article
7 Comments
  • Nuk eshte ne tagrin tim te prononcohem ne problematika te tilla. Vetem mund te them se PD eshte pasuri kombetare, ndaj e meriton nje lidership karizmatik, qe te rinovohet e te jete opozite konseguente..Mund te them edhe se analizat, e Sopratit, me shprehje te admirueshme, i lexoj me kenaqesi.Faleminderit Sokrat!

  • keta jane deshira te gazetarit por jo analize politike…..shume shpejt rrokollisen ngjarjet . mos harroni…

  • Ka qene ai filmi me Mirush Kabashin,”Zevendesi i grave”,Basha eshte ai çuni i mire qe e kane qejf dhe amerikanet,se perkthen mire.Pa shume llafe,ai eshte i katapultuar ne nje fushe ku i thone se i mjafton te luaje kembet.Meqe ne CV e Bashes ka”suksese” te papara,e kam me shume qejf qe ai te marre kryesine e PD.Kjo parti,qe gjynah t’a quash parti,se ne fakt eshte ketu e 20 vjet nje çete e specializuar per mitingje dhe gllaberime truallesh,e meriton te drejtohet nga Basha,biles e meriton dy here,per dy arsye te vetme.E para,se Basha ka deshmuar se asgje nuk eshte ne gjendje te ngreje ne kembe,perveçse ta rrezoje,e dyta, sepse kjo gjendje estrade do vere ne prove Saliun dora vete,qe nese si aktor i provoi te gjitha personazhet,t’a shohim njehere si regjisor.Per mua,perfundimisht Saliu do perfundoje ne TV,ne ndonje emision te tipit “Zona e Lire”,ku flet vetem prezantuesi.Aman,me kusht mos te premtoje tynele,se do thyeje tyrjelen.

  • Kuptohet qe keto zgjedhje sdo te jene te ndershme.Me e ndershme eshte qe te rizgjidhet perseri Berisha(jo se e duan 16-vjecaret).Kerkush nuk i beson thenieve te tij qe sdo loboje per asnje kandidat.Eshte krejtesisht normale qe ai duhet te loboje sepse s’eshte kurkushi ne PD.Vetem atij i takon ta beje analizen e zgjedhjeve te fundit.Ne funksion te kritikave apo levdatave qe do te kete per analizen e Tij,rezultatit te zgjedhjeve lokale ne ‘ 2015,te projektohet lideri i ardhshem i PD e cila eshte nje vlere ne projektin e Shqiptarve,per nje Shqiperi Zonje.Ne momentin e zgjedhjes te liderit te ri Berisha te jape dorheqje nga te gjitha funksionet(edhe nga i deputetit).

  • E thene troc, gjithe kjo zhurme se kush do jete kreu i ri i PD, eshte te mbash vetet me garjet. Nuk me besohet se ka nje perpjekje per te rikompozuar kete parti qe u krijua midis ererave te trubullta te popullit shqiptare mbas viteve 90.Nese Ps ka nje baze te justifikushme Pd e socme eshte nje sajim ose ozurpim nga rryma te caktuara per intersa personale .
    Shpesh eshte komentuar nga analistat se Pd eshte nje force e re me vizjon te qarte per te ardhmen e Shqiperise drejte permbysjes se te shkuares .Ps nje trashegimtare e PPSh. Faktet e 23 vjetve demokraci trgojne per nje devijim te aspiratave demokratike te shqiptarve. Pd e nisi me premtime te medha dhe e perfundoje me nje disfate qe sote po habitemi.Nuk ka azgje per tu habitur .Kulla e Pd u ngrit mbi themele jo reale .Pa ideologji qe te mbeshtetej nga shtresat e interesuar per te .Kulla u mbush me ish te pakenaqurit e sistemit te shkuar ku ish te permbysurit ishin shtojse e kesaj klase politike .U formua me rekomandime nga ish sundimtaret dhe u perjashtua ajka e intelektualve qe kishin luftuar per demokraci ne Shqiperi.Ish pronaret dhe ish te perndjekurit u vune ne radhe si ushtare me ngjyre blu ku nuk kishin rol aktiv por vetem shfrynin vrerin kunder komunizmit dhe Ps qe e quanin si vazhdimse te se shkuares.Ps me Nanon beri disa kaperxime por ra ne pozitat e Pd .Pd vazhdoje per hire te se qenit ne pushtet rugen e saje me gabime ,kjo eshte dhe arsyeja qe u ndeshkua keqas ,ndesa Ps edhe pse ne kushte teper te renda te nje lufte pa sense pozitive u rikompozua dhe fitoje besimin e popullit .
    Ps eshte drejte ngritjes ne standartet qe kerkon demokracia ,Pd ka nevoje te mbeshtetet ne ideologjine e saje e ne shtresat e interesuar per te .Nje ish komunist i privilegjuar, nenpunes ,intelektual apo biznesmen qe ka perfituar nga te qenurit me emer antare i Pd nuk perfaqson kauzen qe militon .Po keshtu eshte dhe per ata qe ju ngjiten Ps. Analiza qe behet sote se ku do shkoje Pd jane pa koke dhe nuk do te sjellin azgje te re.Pd eshte mbajtur me dhune dhe jo natyrshem qe kerkone nje aksjon te ri per tu kompozuar nga e para duke ndeshkuar te shkuaren .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *