Katalonia në hapat e Skocisë, kërkon referendum për pavarësi

redaktor

Presidenti i rajonit të Katalonias në Spanjë, Artur Mas, firmosi të shtunën një dekret duke caktuar datën 9 nëntor si datën për mbajtjen e një referendumi mbi pavarësinë.

Megjithatë, qeveria federale në Madrid e kundërshton me forcë një referendum të tillë dhe thotë se është jo kushtetues. Mbajtja e referendumit të Skocisë për pavarësi në fillim të këtij muaji nxiti lëvizje të tjera separatiste nëpër botë, pavarësisht se Skocezët vendosën të mbeten pjesën e Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti Mas në ceremoninë e nënshkrimit në Barcelonë tha se Katalonia dëshiron të flasë, dëshiron të dëgjohet dhe të votojë. Më 11 shtator, në ditën kombëtare të Katalonias, qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e Barcelonës për vitin e tretë me radhë që kërkojnë që të mbahet një votim mbi pavarësinë.

Por Madridi argumenton se Katalonia, e cila paraqet një të pestën e ekonomisë së Spanjës, tashmë ka kompetenca të gjera vetëqeverisje, duke përfshirë një parlament, forcat e saj policore dhe kontrollin mbi arsimin dhe shëndetësinë. Ajo insiston se Kushtetuta Spanjolle nuk lejon asnjë prej 17 rajoneve të Spanjës të largohet në mënyrë të njëanshme. Qeveria në Madrid pritet të përpiqet të bllokojnë votimin në gjykatën kushtetuese të Spanjës. Nëse gjykata e pranon rastin, siç pritet, ajo do të pezullojë automatikisht votimin. Kryeministri Mariano Rajoy, duke folur në një konferencë shtypi në fillim të këtij muaji, hodhi poshtë çdo ide për mbajtjen e një referendumi.

“Shumë e thjesht, nuk është e ligjshme kështu që nuk do të mbahet”, tha ai. “Përveç se nuk është ligjore, ai shkon kundër gjithë historisë sonë dhe ndjenjave tona, kundër asaj që shumica e spanjollëve mendojnë, kundër të kaluarës sonë dhe kundër të ardhmes së popullit spanjoll që jeton në Katalonia dhe në pjesën tjetër të Spanjës”. Më herët këtë muaj, një nga figurat kryesore politike të Katalonias, Oriel Junqueras, udhëheqës i Partisë Republikane të Majtë, tha se nëse qeveria në Madrid do të bllokojë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, mund të ketë një mosbindje civile.

Populli në Barcelonë, tha se nëse Madridi bllokon referendumin, njerëzit pavarësisht kësaj duhet të depozitojnë votat e tyre. Katalonia ka një listë të gjatë ankesash kundër Madridit për taksat dhe çështjet gjuhësore. Referendumi pritet të shtrojë një pyetje me dy pjesë: “Duhet Katalonia të jetë shtet?”. Ata që votojnë “po” për këtë duhet të votojnë edhe për një pyetje të dytë: “Duhet që shteti të jetë i pavarur?”. Sondazhet tregojnë se shumica e katalanasve duan që të kenë një shans për të votuar, por që më pak se shumica do të votonin për pavarësi, nëse do i’u jepej rasti.

Thirrjet për pavarësi në Barcelonë më herët këtë muaj nuk përfaqësojnë 7.5 milionë njerëzit e rajonit. Një tubim i vogël i disa mijëra vetëve dolën në rrugë në të njëjtën ditë në qytetin e dytë më të madh Katalonias, Tarragona, duke bërë thirrje që rajoni të mbetet pjesë e Spanjës.

Një nga këta protestues tha për CNN se, “arsyeja pse ne duam të mbetemi pjesë e Spanjës, është sepse ne jemi pjesë e Spanjës”. Katalonia, me qendër Barcelonën, është rajoni më i pasur dhe i industrializuar i Spanjës, ku së fundmi nga kriza financiare lëvizjet separatiste janë rritur ndjeshëm. Vetë katalanasit akuzojnë se paratë e taksave të tyre po përdoren për të investuar në rajonet më të varfra të Spanjës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *