Katanec “injoron” rezultatin: Më intereson vetëm loja e mirë

redaktor

Trajneri i Sllovenisë, Sreçko Katanec, ka shkarkuar barrën e rezultatit nga shpatullat e lojtarëve të tij, duke u shprehur se në takimin me Shqipërinë kërkon lojë të mirë dhe jo fitore me çdo kusht. Sllovenia është praktikisht jashtë luftës për kualifikim në botëror, krejt ndryshe nga kuqezinjtë, të cilët kërkojnë pikë për të synuar Brazilin. “Do të ishte bukur sikur t’i fitonim dy ndeshjet që kemi, por nuk do t’u kërkoj një gjë të tillë lojtarëve. Mua më intereson loja, por jam i bindur se nëse skuadra arrin të prodhojë lojë, atëherë edhe rezultatet mund të vijnë logjikshëm”, është shprehur dje trajneri i Sllovenisë. Për Katanec, Shqipëria nuk ka gjëra të fshehta, pasi e njeh mirë lojën e saj. “Ne e dimë shumë mirë se si luajnë shqiptarët. Janë të fortë dhe pasojnë saktë, ndërkohë që janë edhe jashtëzakonisht agresivë. Pres një ndeshje shumë të fortë të premten dhe do të kërkoj një mesfushë më agresive”. Ashtu si Shqipëria, edhe Sllovenia ka problemet e saj me formacionin, për shkak kartonësh ose dëmtimesh. Megjithatë, Katanec nuk qahet në këtë pikë: “Askush nuk e ka të çimentuar vendin në formacion. Do të luajnë lojtarë të tjerë, të cilët janë gati”. Në këtë këndvështrim, ai nuk ka preferuar të bëjë të ditur as se cili mund të luajë midis dy sulmuesve, Novakoviç apo Matavzh. “Lojtarët e kombëtares duhet të jenë të gatshëm të luajnë nga një deri në 90 minuta. Ajo që ka rëndësi është skuadra, edhe golat i shënon skuadra, jo individët”, tha Katanec, i cili, për momentin, pritet të luajë me një sulmues të vetëm.

Share This Article
1 Comment
  • Bukur ka folur –Golat I shenon skuadra jo individi …………Keto fjale jane per sulmuesit tane pordhace me Salihin ne krye qe duan te bejne gola vete pa pasuar tek shoku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *