Kategoria Superiore, edhe këtë sezon pritet rivalitet i fortë

redaktor

Nëse dikush kishte ende ndonjë dyshim se kampionati i fundit ishte më i miri i pas viteve ‘90, suksesi i Skënderbeut në Champions League duhet të ketë mbyllur çdo diskutim.

Futbolli shqiptar është tanimë një realitet pozitiv, ku investohen shuma të konsiderueshme, ku drejtojnë trajnerë të kualifikuar dhe u jepet besim, ku luajnë futbollistë cilësorë dhe ku po bëhen përpjekje për funksionimin e klubeve në mënyrën më institucionale, me një infrastrukturë të mirë, me gjykime gjithnjë e më korrekte, me më pak fenomene negative dhe me një interes të shtuar nga ana e opinionit sportiv.

Të gjitha këto do të duhet të jenë një bazë e rëndësishme për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë dhe kampionati i ri është një provë e rëndësishme për rrugën që do të ndjekë futbolli ynë. Pritshmëritë për të janë maksimale, përgatitjet e konkurrentëve serioze, por edhe dyshimet nuk mungojnë.

Pritshmëritë janë maksimale, pasi për herë të parë në garë do të kemi një skuadër që luan në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor në kontinent dhe me siguri do të shërbejë si model për t’u imituar nga rivalët dhe në të njëjtën kohë vetë Skënderbeu do të provojë të bëjë rolin e lokomotivës për të gjitha skuadrat e tjera.

Por në të njëjtën kohë ruajtja e këtij statusi nuk do të jetë aspak i lehtë për kampionët tanë, pasi rivaliteti pritet të jetë sërish tipari dallues i këtij kompeticioni me Kukësin, Partizanin, Tiranën, Laçin dhe Flamurtarin të gatshëm për të përfituar.

Dhe çdo ndeshje vlen tre pikë, llogaritë do të duhet të bëhen edhe me Vllazninë, Teutën, Bylisin dhe Tërbunin. Për shkak të problemeve me kantieret e krijuara në shumë stadiume, starti nuk pritet të ketë shkëlqimin e merituar, por me siguri do të jetë një kampionat i luftuar, emocionues, dhe shumë, shumë i bukur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *