Skënderbeu do të nisë sezonin e ri të Kategorisë Superiore nga Java e Dytë. Angazhimi i skuadrës korçare në Kupat e Europës, e ka detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit të ndryshojë kalendarin e kampionëve të cilët duhej të debutonin në 22 Gusht me sfidën kundër Vllaznisë.
Takimi i kthimit kundër Dinamos së Zagrebit do të luhet 3 ditë më vonë dhe në këtë mënyrë, Skënderbeu ka kërkuar shtyrjen e takimit ndaj shkodranëve për një datë tjetër. Kjo kërkesë është pranuar dhe bardhekuqtë do të kenë disa ditë më shumë në dispozicion për të përgatitur një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu do të luajë ndeshjen e parë në datën 29 Gusht ndaj Kukësit në shtëpi dhe në 9 Shtator, vetëm dy ditë pas takimit Shqipëri-Portugali, do të luhet edhe sfida e prapambetur me Vllazninë.
Çështja e ndryshimit të datave të Skënderbeut mund ta detyrojë institucionin më të lartë të futbollit shqiptar ta rishikojë kalendarin e skuadrës korçare gjatë pjesës së parë të sezonit pasi Skënderbeu e ka siguruar minimalisht fazën e grupeve të Europa League dhe do të ketë një sezon shumë të ngjeshur përpara.