Wolfgang Münchau
Botuesi i “Der Spiegel” dhe “Financial Times” në Gjermani , Volfang Munshah, shpjegon pse euroja përfaqëson dështimin politik të kancelares gjermane, Anxhela Merkel
Mandati i ardhshëm Anxhela Merkelit si kancelare po kërcënohet nga katër “eurobomba” që mund të shpërthejnë nga momenti në moment. Liderja gjermane nuk do të marrë asnjë vendim jopopullor para zgjedhjeve federale që do të zhvillohen më 22 shtator. Një strategji e rrezikshme kjo, sepse kriza e euros mund të përshkallëzohet nga të gjitha anët. Merkel i ka imponuar Kontinentit të Vjetër shtrëngesat ekonomike si të vetmen zgjidhje për të dalë nga kriza e borxheve. Pak kohë më parë presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragi, kishte shpallur publikisht fundin e krizës së euros, me njoftimin për të blerë bonot qeveritare dhe Merkel shihej si shpëtimtarja e monedhës së vetme. Por tani, paraliza politike në Itali është vetëm njëra nga pikat që mund të çojë në një kthesë të rrezikshme pozitën e Merkelit.
Italia jashtë euros
Rreziku më i madh për kancelaren në këtë moment vjen nga Italia. Për të qëndruar në euro këtij vendi i duhet një reformë e brendshme (që politika aktuale nuk e mundëson) si dhe koncensione të jashtme që Gjermania i refuzon. E vetmja shpresë për një qeveri të qëndrueshme mund të vijë vetëm nga ndryshimi i gjeneratave brenda Pd-së dhe Pdl-së. Një qeveri e re pa një legjitimitet demokratik që do të ndiqte diktatin e Brukselit do të forconte forcat radikale dhe me një skenar të tillë lëvizja e Bepe Grilos do të kishte mazhorancën absolute në parlament. Kolegët e mi italianë thonë se kjo është hipoteza më e mundshme. Nëse nga recensioni Italia do të kalonte në depresion, kush do të investonte në Italinë e Grilos? Atëherë dalja e Italisë nga euroja do të ishte vetëm çështje kohe.
Shtrëngesat
Bomba e dytë që kërcënon Anxhela Merkelin është vetë politika e saj asketike, me të cilën i është imponuar BE-së për të dalë nga vështirësitë ekonomike. Kemi mbërritur në pikën që parashikoja prej kohësh. Shtrëngesat kanë reduktuar rritjen ekonomike brenda eurozonës dhe linja e borxheve vazhdon të zgjatet, sepse prodhimi i brendshëm bruto po bie më shpejt sesa vetë borxhet. Falë kancelares gjermane, vendeve të BE-së po iu rriten borxhet, p.sh ai i Italisë ka shkuar në 130%. As në Gjermani nuk po shihet rimëkëmbja aq shumë e pritur. Në janar prodhimi industrialnë këtë vend ra, po ashtu dhe në Francë. Me një politikë të tillë, mundësitë për mbijetesën e euros janë minimale dhe nga ana tjetër, lamtumira ndaj masave shtrënguese do të përbënte një dështim të madh për Merkelin.
Qipro
Kërcënimi i tretë vjen nga Qiproja. Shpëtimi i tij shumë është ngadalësuar nga Gjermania. Garancia e vazhdueshme ndaj borxheve të të tjerëve ka çuar në acarimin e situatës në këtë vend. Banka Qendrore e Gjermanisë “Bundesbank” ka përpiluar një raport sipas të cilit qytetarët e shumë vendeve të BE-së janë më të pasur se vetë gjermanët që nuk janë të prirur të blejnë shtëpi dhe pasuri të tjera të patundshme. Plani i shpëtimit i Qipros duhet të aprovohet në fund të muajit, por nëse nuk do të ndodhë, tregjet do të ndëshkojnë sërish eurozonën.
Kundërshtarët e euros
Kërcënimi i fundit për Merkelin është lindja e formacionit të ri politik kundër euros, i cili propozon rikthimin te marka, simbol i qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike. Vështirë se ky grupim do të hyjë në Bundestagun e radhës, sepse për këtë është e nevojshme të kalohet kufiri i 5% të votave. E megjithatë mundësitë janë që ai t’i heqë një pjesë të mbështetjes Cdu-së së Anxhela Merkelit. Eksperienca e ‘eurokrizës’ në vendet e tjera sinjalizon se edhe në Gjermani po përgatitet një terren për lëvizjet e protestave. Merkel do të rrëzohet mbi euron edhe pse mbetet mëdyshja nëse kjo do të ndodhë para apo pas zgjedhjeve.
Përgatiti: Dorina Gjuzi