Këtë vit Dita e Verës do të festohet ndryshe nga herët e tjera. Qeveria shqiptare nën koordinimin e katër ministrive, atë të Rinisë, Arsimit, Kulturës dhe Turizmit, ka planifikuar një sërë aktivitetesh në 14 mars, përgjatë Bulevardit të Tiranës, si një mënyrë ndryshe për t’u argëtuar.
Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentiana Sula, prezantoi kalendarin e aktiviteteve që janë parashikuar të ndodhin në Tiranë në Ditën e Verës.
“Edhe këtë vit shqiptarët janë gati të shijojnë e festojnë ndryshimin e stinëve. Elbasani spikat me aktivitetet që organizon çdo vit në Ditën e Verës, por ndërkohë katër ministri janë bërë bashkë për të krijuar një atmosferë festive edhe në Tiranë”, u shpreh Sula.
Në 14 mars, duke filluar nga ora 10.00, Ministria e Rinisë, e Kulturës, e Arsimit dhe e Turizmit kanë përgatitur një sërë aktivitetesh, të cilat do të përqendrohen në Bulevardin e Tiranës, nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit deri në Sheshin “Nënë Tereza”.
“Nuk ka mënyrë më të mirë se sa Dita e Verës, si festë e të gjithë shqiptarëve, për t’u argëtuar e festuar së bashku”, u shpreh Sula, duke i ftuar të gjithë qytetarët t’i bashkohen festës.
Aktivitetet nisin nga TOB-i me një performancë nga Banda e Ushtrisë, për të vijuar në Parkun “Rinia” me aktivitete të ndryshme nga gjimnazet e Tiranës, Cirku i Tiranës dhe Teatri i Kukullave, e më pas në Galerinë e Arteve ku do të shfaqet një ekspozitë me piktura nga fëmijë më aftësi të kufizuara.
Në urën e madhe në Bulevard do të organizohet një koncert muzikor me këngëtarë të njohur shqiptarë, ndërkaq pak me tutje, në sheshin “Vëllezërit Frashëri” do të ketë aktivitete të ndryshme sportive për të rinjtë. Në lulishten përpara Vilës 31 të gjithë të apasionuarit pas produkteve artizanale mund të ndjekin Panairin e Artizanatit, një vend do të ekspozohen krijime të ndryshme të 30 bizneseve me prodhime artizanale nga e gjithë Shqipëria.
Radha e gjatë e aktiviteteve mbyllet në Sheshin “Nënë Tereza” me Agjencinë e Turizmit dhe operatorë të ndryshëm turistikë, të cilët do të shfaqin projektime vizuale mbi Shqipërinë turistike. Kësaj nisme i është bashkuar edhe biznesi, të cilët do të ofrojnë produktet e tyre me një kosto më të ulët.
Detaje të të gjitha aktiviteteve mund t’i gjeni në faqen zyrtare të katër ministrive në Facebook ose një fan page “Dita e Verës”.

Populli kerkon pune,garanci jetet pra ato qe i keni premtuar e jo festa sic benit kur kishit emrin Partia e Punes.Po me nje ndyshim ne ate kohe na detyronit te therrisnim patia punes.Kurse sot edhe pse u fyejn nuk ju behet vone.