Shërbimet Sekrete në mbarë botën regjistrojnë bisedat dhe spiunojnë armiqtë e tyre. Por duket më pak e logjikshme ta besh këtë mes vendeve aleate. Këtu kemi shpjeguar disa nga motivet e spiunazhit “mes miqve”
Spiunazhi Industrial
Në intervistën e parë që ish-agjenti amerikan Edward Snowden i ka dhënë një medie gjermane dhe i pyetur se pse Amerika përgjon Gjermaninë, Snowden menjëherë theksoi interesat industriale dhe ekonomike të SHBA-së. “Nëse një gjigant industrial si Siemens ka diçka që NSA e konsideron të dobishme për interesat kombëtare të SHBA-së, jo për sigurinë e saj por edhe për shkak të interesave të tjera, nuk ka asnjë dyshim që do të kërkojë dhe do të marrë një informacion të tillë”, tha ai. Në mesin e negociatave të rëndësishme të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, “Bild Zeitung” ka raportuar se Uashingtoni ka më shumë se një duzinë spiunësh të shpërndarë në Ministri të ndryshme gjermane.
Shtet brenda shtetit
Shpjegimi për faktin se spiunazhi ndërmjet dy vendeve ka arritur këtë gjendje, sipas deputetit të së majtës gjermane Jan Korte, është sepse nuk ka më kontroll të politikanëve. “Është gjithnjë e më e qartë se BND është shndërruar në një shtet brenda shtetit, ku ekziston mungesa e kontrollit mbi aktivitetet e tyre dhe me siguri ndodh diçka e ngjashme edhe me agjencitë amerikane të zbulimit”. Gjithashtu deputeti i Partisë së Gjelbër Konstantin von Notz tha se, “zbulimet e fundit konfirmojnë dyshimin tonë se shërbimet sekrete gjermane marrin pjesë në mënyrë aktive në një lojë ilegale që i shpëton kontrollit shtetëror dhe në të cilën nuk respektohen as linjat politike dhe as drejtat themelore të qytetarëve”.
Mosbesimi
Ish kancelari gjerman Gerhard Schröder, që sipas letrave të Snowden u spiunua në atë kohë nga Shtetet e Bashkuara, beson se kundërshtia e tij ndaj luftës në Irak në vitin 2003 është ajo që e bëri atë një objektiv i agjencive amerikane. Analistët pajtohen se politika e jashtme e Gjermanisë, duke u rezervuar në mënyrë të përsëritur që të mbështesë me trupa dhe armatime operacionet luftarake të SHBA-së në vendet e treta, ka gjeneruar një mosbesim të caktuar të administratës amerikane, e cila mund të shpjegojë faktin se anëtarë të shquar të qeverisë së saj janë spiunuar. Shembulli i fundit është situata në veri të Irakut, ku Gjermania tani ka dërguar vetëm ndihma humanitare në formën e ushqimit dhe medikamenteve.
Dështimi i politik
Sipas Christoph von Marschall, ekspert i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, origjina e këtij spiunazh mes miqsh është një reagim i tepruar i inteligjencës amerikane pas 11 Shtatorit. “Prej asaj date ne shohim një dështim të politikës dhe politikanëve, që në vend që të kryejnë kontrolle dhe të ruajnë ekuilibrat, kanë mbetur të palëvizshëm dhe kanë kërkuar më pas menaxhimin e krizës të bazuar në retorika. Në narrativën e Uashingtonit, gjermanët janë hipokritë të cilët nuk duan ta pranojnë se të gjitha shërbimet sekrete bëjnë të njëjtën gjë dhe në narrativën gjermane SHBA-ja mohon rrezikun që ky aktivitet përbën për demokracinë dhe të drejtat civile”.
