Itali
Kur karabinieri që po i përgjonte dëgjoi kërcitjen e një pistolete, dha menjëherë alarmin dhe kolegët e tij që patrullonin zonën, vrapuan drejt makinës për të neutralizuar shqiptarët që ndodheshin brenda saj e që po përgatiteshin të konkretizonin sulmin. Kështu u parandalua një agresion në dëm të pronarit të një bari në Kashina
Katër shqiptarë të arrestuar mesnatën e së mërkurës në Kashina, akuzohen për pjesëmarrje në një tentativë grabitjeje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa po përgatisnin një plaçkitje në dëm të pronarit të një bari, i cili deri dje, as që ia kishte idenë se kishte përfunduar nën shënjestrën e një bande. Hetuesit e informuan më pas mbi atë çfarë kishte rrezikuar.
Operacioni u drejtua nga koloneli Angelo De Luca, majori Stefano Bove dhe nga kryeprokurori Ugo Adinolfi, si dhe me angazhimin e 15 karabinierëve nga kazerma e Pontederas, Pizës dhe Kashinës. 12 prej tyre ishin në uniformë, ndërsa të tjerët të veshur civilë.
Të arrestuarit
Me kërkesë të zv/prokurorit, Antonio Giaconi, përfunduan në burg: Miklovan Kola, 25 vjeç, banues në Piza; Vladimir Lakaj, 27 vjeç, banues në Kashina; Oslen Çela, 27 vjeç, banues në Oriciano Pisano; Qamil Corja, 24 vjeç, pa një vendbanim fiks. Njëri punonte si murator, të tjerët ishin të papunë dhe tre prej tyre kanë precedentë për trafik droge.
Operacioni
Ndërhyrja e karabinierëve ishte rezultat i monitorimit të makinës, një “Golf” që përdorej nga Olseni edhe pse ishte në emër të babait të tij. Përgjimi rezultoi vendimtar në shmangjen e një grabitje e që duke pasur parasysh edhe armët e shumta që u gjetën në makinë, do të paraprihej nga një ballafaqim i dhunshëm, ndodhta me një viktimë.
Ushtarakët të veshur civilë nisën të kontrollonin shtëpinë e pronarit të barit, e më pas edhe lokalin, i cili ndodhet vetëm 300 metra larg dhe zakonisht burri e bënte me këmbë ose biçikletë distancën e shkurtër midis tyre. Katër të arrestuarit po e prisnin që t’i vidhnin fitimet e ditës. Njëri prej tyre, Lakaj, i ka pranuar të gjitha akuzat e formuluara nga prokuroria .
Zhvendosjet
Në orën 1.30 pas mesnate, njëri prej anëtarëve të bandës që kishte shkuar për të kontrolluar zonën, iu komunikoi shokëve të tij se lokali po mbyllej dhe se pronari i tij do të nisej me biçikletë për në shtëpi. Në atë pikë, të katër të rinjtë u mblodhën sërish në makinë dhe e parkuan atë në një rrugicë, nga ku do të dilnin në momentin e sulmit mbi biznesmenin. Sipas hetuesve që ndërkohë po mbanin nën vëzhgim “Golf”-in, të rinjtë në kokë mbanin maska dhe në automjet armë me qëllim kanosjen e viktimës së mundshme. Kur nga komanda karabinieri dëgjoi zhurmën e një pistolete, informacioni iu kalua karabinierëve operativë që ndodheshin në vendngjarje dhe që në atë moment ndërhynë duke u bllokuar çdo rrugëkalimi katër keqbërësve. Nga kontrolli u zbulua se Lakaj ishte i armatosur me një pistoletë me kalibër 6.35, ndërsa Qamil Corja kishte një Beretta kalibër 9. Në “Glof” u gjetën edhe një thikë dhe një shkop beizbolli, një spary irritues për sytë, si dhe katër palë doreza./ Dorina Gjuzi
