Policia e Komisariatit nr. 4 ka zbardhur 4 grabitjet me dhunë të taksistëve nga i arrestuari Redon Asllanaj, 23 vjeç, i cili dyshohet se një nga celularët ia ka shitur killerit Julian Sinanaj, për të përgatitur bombën ndaj prefektit Besnik Dervishi. Burime zyrtare konfirmuan zbardhjet e ngjarjeve të ndodhura gjatë dy muajve të fundit, ndërsa hetohen edhe grabitje të tjera. Taksisti G. K., 45 vjeç, kishte denoncuar se më 19 janar, në rrugën “Myslym Keta”, duke punuar, një person i ka vjedhur me dhunë 180 euro, 7000 lekë dhe 2 celularë. Nga hetimet rezultoi si autor Redon Asllanaj. Po kështu, më 6 shkurt, taksisti F. J., 48 vjeç, ka dëshmuar se rreth orës 17:30, në rrugën “Myslym Keta”, pasagjeri që po i shërbente i ka vjedhur me dhunë 225000 lekë dhe bëhet fjalë po për të njëjtin autor. Po kështu Asllanaj akuzohet se ka grabitur më 9 shkurt, rreth orës 21:00 të mbrëmjes, edhe taksistin L. S., 45 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në Allias, kur pasagjeri që po i shërbente, i ka vjedhur me dhunë 28000 lekë dhe 1 celular. Dhe rasti i fundit i zbuluar është denoncimi i Sh. I., 46 vjeç, që denoncoi se më 8 shkurt, rreth orës 19:00, pasagjeri që po i shërbente, Redon Asllanaj, i ka vjedhur me dhunë 2500 lekë dhe 25 euro. Policia ka bërë paraqitjet për njohje të 4 taksistëve me të arrestuarin dhe është identifikuar autorësia, ashtu sikurse në rastet e shoferëve të tjerë të dëmtuar, në ngjarjet e ndodhura në muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar po në kryeqytet. Asllanaj akuzohet për të paktën 6 grabitje taksistësh në Tiranë. Ai është identifikuar edhe si shitësi i celularit “Samsung” të vjedhur një taksisti në Dajt, tek Julian Sinanaj. Shitja është bërë te “Dollari”, pak ditë para se të gjendej bomba C4 e montuar poshtë makinës së prefektit të Vlorës.