Katund hajdutësh

anazapta

Nuk ka asnjë arsye që një katund hajdutësh të mos jetë i zhvilluar, ndryshe nga sa ka ndodhur deri sot në katundin tonë. Ky zhvillim shpjegohet me faktin se ai, hajduti i parë i katundit pra, pasi vjedh, ndërton së pari m’u atje në mes të katundit, një vilë që kurrë nuk është parë. Bythëgrisurit e katundit, kur shohim shkëlqimin verbues të pallatit, pak nga pak i largojnë kasollet e tyre drejt periferisë. Më pas ndërtohet një pallat tjetër hajdutësh, e më pas një tjetër, ndërsa kasollet zbythen e zbythen tutje. E ndërsa shtohet numri i pallateve, që do të thotë numri i hajdutëve, pabukësve që vetëm shëmtonin katundin me kasollet e tyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të marrin arratinë nëpër katunde të tjera, deri në fund të botës, të turpëruar që me pazotësinë e tyre, i dhanë një pamje jo të denjë katundit. Tej këtij shikimi praktik i problemit, katundi me hajdutë është një katund me botë, sepse duke i bërë dinakë, hajdutëria i kthen hajdutët në njerëz me pasion.

Pikërisht kjo është pika e dobët e katundi tonë, i cili ka prodhuar me shumicë hajdutë, por deri më sot hajdutët e katundit, ndërsa kanë qenë të paepur në hajdutëri, nuk është se kanë pasur zgjuarsinë e duhur. Vërtet kjo nuk i ka penguar ata për të vjedhur, por ka hequr shansin që katundi ynë të zhvillohet pa kufi, si gjithë katundet e hajdutëve. Ka ndodhur jo rrallë që dikush nga katundi ynë ka vjedhur, por padituria e tij, nuk e ka çuar shumë larg. Kështu, ndërsa ka vjedhur një grusht paresh, ai ka menduar, se me ato pare, mund të mashtronte policin që do t’i vinte prangat, që ky i fundit të sillej mirë me të. Kjo ka funksionuar. Polici, ka futur paret e vjedhura në xhep, i ka përkëdhelur kokën hajdutit, por vetë hajduti, pasi është larguar polici e ka parë veten para prokurorit, me duar bosh. Hajduti tjetër më pas, ka mësuar nga ky rast, pra është bërë më i zgjuar, dhe nga paret e vjedhura, ka mbajtur një pjesë për policin, e një për prokurorin. Deri këtu mirë, por prokurori, pasi ka mbaruar punë, i ka thënë se tani je në dorën e gjykatësit, nga unë, shumë faleminderit. Hajduti ka ngritur sytë i shastisur. Ishte më i zgjuar se i pari, por në fund të fundit edhe ky ishte hajdut budalla. Në këtë shkollë mbresëlënëse, ka ardhur hajduti në vijim, i cili i ka ndarë paret e vjedhura mes policit, prokurorit dhe gjykatësit. Kjo shënon një shkallë madhore në përsosjen e inteligjencës së hajdutëve të katundit, por nuk ishte e mjaftueshme, sepse pas gjykatësit të parë, vinte një gjykatës tjetër që e rraste sërish brenda hajdutin dhe ai e fillonte në pikën zero, tuafllëkun e tij. Në këtë mënyrë, jo vetëm nuk mund të quhej e mjaftueshme zgjuarsia e hajdutëve të katundit tonë, por edhe vetë katundi nuk mund të ecte përpara.

Gara për t’u bërë hajdut i zgjuar në katundin tonë, në fund të fundit është një garë, për ta çuar përpara, vet katundin. Hajduti tjetër, numëroi me gishta sa bëheshin që nga polici, prokurori, gjykatës, gardiani, etj, etj, dhe u nis të vidhte sa i duheshin. Vodhi fiks aq pare. Doli nga burgu, u bëri me shenjë gardianëve, policëve gjykatësve, prokurorëve, se nuk kishte nevojë të ngriheshin në këmbë, dhe eci udhëve të katundit, krenar si ai. Por duke qenë se katundi ynë ngutet në ecjen përpara, që do të thotë se edhe hajdutët e tij nguten, ai nuk mund ta mendonte se edhe në katundin tonë, i cili i kishte sytë nga Oksidenti, kishin dalë ca forma të tilla komunikimi, si gazeta, televizione, apo thjesht biseda të lira tek lëmi i katundit, ku thuhej se gjoja ai kishte vjedhur, etj. Kjo ia prishi humorin hajdutit, por tani ai i kishte shkundur xhepat, për të bërë detyrën edhe me këta të fundit. I dëshpëruar dhe i dështuar, pranoi se jo vetëm nuk kishte vjedhur aq sa i duheshin, por edhe se inteligjenca e tij, nuk kishte arritur atje ku duhej. Në këtë mënyrë edhe vet katundi ynë, do të vazhdonte edhe për ca kohë të çapitej në mos zhvillimin e tij. Kështu që mbetej të vinte një hajdutë tjetër, natyrisht jo thjesht për të kënaqur egon e tij prej hajduti, por për të mundësuar ecjen e katundit. Ai duhet të mendohej gjatë dhe të vidhte sa më shumë që të ishte e mundur. Hartoi planin për lekët që duheshin, për policin që do t’i vinte prangat, për prokurorin që gjasme do ta pyeste, për gjykatësin që do të nënqeshte, ndërsa do jepte vendimin për të, për gardianin që do t’i jepte ndonjë tufë lekësh, si hallexhi që ishte, për kameramanët që do ta filmonin atë vetëm të qeshur, kur të dilte nga zyrat e parisë së katundit, për opinionistët, analistët, gazetarët që kur të përmendej emri i tij, të shprehnin vetëm adhurim për të, sepse kishte marrë verdiktin si njeri krejt i pa faj, si vet pafajësia, për turmën e miletit që llafosnin atje tek lëmi, për të ndërtuar një pallat tjetër që katundi të dukej edhe më i bukur, për të bërë dhe pak pushime në Honululu se robi ka nevojë, për të folur edhe nëpër studio, ku ai të tregonte përvojën e tij si hajdut, që do të thotë si nxitës i zhvillimit të katundit, për të pasur dhe ndonjë dashnore, se edhe ai prej mishi e gjaku ishte, për të tallur të ndenjurat në ndonjë post në sarajet e katundit, dhe me kaq, misioni, sipas tij gjithmonë, quhej i kryer.

Kështu e vendosi dhe kështu bëri. Vodhi sa deshi, madje të gjitha paret që gjeti, duke menduar se aq i duheshin, por pas kësaj, ra në një trishtim të thellë. Ra në trishtim, sepse ai nuk ishte një hajdut dosido, por ishte një hajdut me botë, por tani që i harxhoi të gjitha paret e vjedhura dhe nuk i kishte mbetur asnjë qindarkë, e kuptoi se hajdutëria, ashtu si vetë zhvillimi i katundit, nuk duhet të kishte cak. Ai nuk mundi të bëjë më shumë, nuk mundi të gjejë një burim hajdutërie të pafund, si vetë bota e tij shpirtërore. Ishte një hajdut model, por një hajdut i kufizuar, pra ishte si të gjithë hajdutët para tij. Nuk i vinte keq për veten, por për katundin që nuk do të ecte sa duhej, ose më saktë ecja e katundit, do ta kishte cakun, tek hajdutëria e tij.

Por katundi ynë është vital dhe nuk ka cak në lindjen e hajdutëve. Pas hajdutit të fundit, për të cilin sapo folëm, erdhi një hajdut që ndryshe nga të tjerët, ai e vrau mendjen, se ku kishte më shumë pare, duke zgjedhur si objektiv, vjedhjen bankës së katundit tonë. Nuk  ka nevojë të themi se edhe ky, si të tjerët, përcaktoi me radhë emrat e atyre që do të paguante, por risia është se pasi i bëri të gjitha qokat, konstatoi se në xhepin e tij kishte mbetur dhe një shuk paresh të vjedhura. Kontrolloi edhe njëherë pagesat, hodhi ca prerje në ajër, dhe kur pa se ato nuk po mbaronin, e vetmja gjë që i erdhi në mendje ishte fakti, si duhet të ecte përpara katundi ynë. I kishte dhënë pamje të re imazhit të hajdutit të katundit tonë, sepse për herë të parë, nga hajdutëria i kishin ngelur pare në xhep, me të cilat mund të bënte të tjera, por ai i kishte paret e mjaftueshme që mund të bëhej vetë, i pari i bankës që vodhi dhe u bë, sepse thjesht, ai ishte një hajdut me botë.

Pas kësaj, mund të themi se katundi ynë i ka të gjitha shanset që të eci përpara, jo vetëm se ka hajdutë me shumicë, por tani ai është një katund hajdutësh të zgjuar.

Share This Article
7 Comments
  • Me ne fund Dita e tha nje fjale per masakren ne banke se po dyshonim se jeni bere pale me te keqen. respekte sokrat per shkrimin dhe ju ndjekim me shume kenaqesi

  • Katundi yne eshte i njohur,qe nga kohet e Herodotit e ne vijim,si vend kusaresh…
    Nuk ka nderim me te madh qe na behet!Kete mjeshteri fisnike donte ta zhbente edhe i permenduri kryehajdut Aliu i tepelenes; nuk ia doli,megjithese vari apo preu nga nje koke nga secila familje labe.Si shkruan qe me 1825 Ibrahim Manzur efendi,ai vetem sa shtoi spektatoret-deri edhe vellezer,prinder te te denuarve,qe vraponin per te pare shfaqjen falas.

  • Kur ishim të vegjël dhe binte ndonjë tërmet, plakat a pleqtë thoshin: “Shyqyr që demi luajti një qime se po të kishte luajtur dy, tërmeti do ishte më i forte”! Sipas tyre, tokën e mbante mbi shpinë një dem dhe i gjithë fati ishte tek ai. Sot, demi, për seicilin vend, janë bankat, sidomos ato shtetërore a publike. Ato ruajnë drejtpeshimin (ekuilibrin) e një vendi, ato i shpien shtetet dhe botën në katastrofë. Besoj se ju kujtohet se çfarë ndodhi me krizën e fundit botërore. Nëse nuk do të kishte ndërhyrë me trimëri, Barak Obama, bota kishte rrezik të gjendej para një kolapsi. S`ma merr mendja se e keni harruar atë që ndodhi me firmat tona piramidale, apo atë që ndodhi këto vitet e fundit në Greqi dhe si i kanë rrjedhur asaj qindra miliardat e dhëna borxh nga Europa.
    Kjo që ndodhi tani në Shqipëri, me Bankën Kombëtare, është as më shumë dhe as më pakë, por një skandal i radhës, me të cilët tashmë jemi mësuar, sepse asnjë skandali nuk i është shkuar deri në fund, por është lënë në heshtje, pas ardhjes së tjetrit. Tani na duhet të thërrasim: “Tjetri”!
    Shqipëria vazhdon të jetë para rreziqeve, por neve, as si popull e as si politikanë, nuk i “shohim”! Na i kanë zënë sytë frika, inati, urretja, cmira, zilia, mercenarizmi, babëzia! Dikush mund të thotë se duhet bisturia e kirurgut që të ndreqet situata! Jo vëlla, jo, ajo s`bën më punë! Ka ardhur koha të përdoret “hanxhari i kasapit”! Por, le të presim siç kemi pritur me mendjen: “Ka Zoti”!, “Mbase nësër do të jetë më mirë”! “Rëndësi ka që s`e kemi më në krye “Doktatorin”, që përdorte “hanxharin e kasapit” edhe për atë që dilte defiçit 100.000 lekë edhe atë që dilte sufiçit 100.000 lekë! Të parit i thoshte: “ke vjedhur shtetin”, kurse të dytit: “ke vjedhur popullin”! A ka vallë sot Shqipëria një “Diktator” demokratikas, meqënëse ai komunist shkoi në botën e përtejme…?! Për mua ka një dhe vetëm një “Diktator” Shqipëria, nëse nuk ka vdekur dhe është ende gjallë atdhetaria! Ai është Kuvendi Popullor! Le të presim e të shohim…!

  • Nga katundi yne ikin hajdutet e vine kusaret,ikn te shkurtrit e vine te gjatet,emigrojne te mencmit dhe mbreterojne trapet.

  • Me ne fund e lexova nje shkrim nga ju I nderuar poet ku nxirrni ne pah hajduterine marramendese te mafiozeve qe jane si oktapodane shqiperi,shpresoje qe nepermjet penes tuaj te pasqyrohet rrealiteti I atij vendi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *