KE, 93 mln euro për bashkëpunimin mes vendeve adriatiko-joniane

Dita

Komisioni Europian miratoi programin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, i fundit për vitin 2015.

Nga 93 milionë euro të parashikuara, gjithësej, 79 milionë prej tyre jepen nga Bashkimi Europian, përmes Fondit Europian të Zhvillimit Rajonal dhe Instrumentit të Para-Anëtarësimit 2014-2020, ndërsa 14 milionë euro është detyrimi i përbashkët i të tre vendeve pjesëmarrëse.

“Ky është një shembull i përsosur se si Unioni mobilizon burimet e veta për të sjellë vendet kandidate më afër BE-së”, deklaroi komisionerja për Politikat Rajonale, Corina Cretu në një deklaratë të përbashkët për shtyp me komisionerin Hahn.

Ky i fundit tha se pret që ky program “t’i hapë rrugë zhvillimit të zgjuar e të qëndrueshëm ekonomik” për vendet përfituese, duke mbështetur konkurrencën, mbrojtjen e mjedisit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, përmirësimin e infrastukturës publike dhe të transportit.

“Ne miratuam sot programin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi me vlerë 93 milionë euro në tërësi, për periudhën 2014-2020. Pjesa më e madhe e parave vjen si nxitje investimesh nga Bashkimi Europian, ndërsa pjesa tjetër nga buxhetet kombëtare të tre vendeve, të cilat afrohen edhe më shumë përmes këtij programi, si vende kandidate për rastin e Shqipërisë dhe Mali të Zi, ndërsa Italia luan rolin drejtues në këtë ekip, si vendi me autoritetin menaxhues”, deklaroi më tej Jakub Adamowicz, raporton TCh.

Ndihma financiare e Unionit për Shqipërinë deri në vitin 2020 është rreth 650 milionë euro, nga 11.7 miliardë euro të parashikuara gjithësej në buxhetin për të gjitha vendet e zgjerimit, ndër të cilat 484 milionë euro shkojnë për programe të bashkëpunimit ndërkufitar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *