KE padit Google, rrezikon 6 miliardë dollarë gjobë

Ornela

Komisionerja e Konkurrencës së Bashkimit Europian, Margrethe Vestager, akuzoi dje kompaninë “Google” se ka abuzuar me pozicionin dominant në kërkimet në internet për të favorizuar në mënyrë sistematike produktet e saj tregtare përballë atyre të rivalëve, në rezultatet e kërkimit online. KE ka hapur gjithashtu një hetim formal në lidhje me sistemin operativ të celularëve të kësaj kompanie, Android. Brukseli dyshon se Google ka shkelur normat e BE-së duke penguar konkurrencën.

Ngritja e këtyre akuzave në mënyrë formale do të thotë se KE bën një hap më shumë drejt vendosjes së një gjobe të fortë ndaj Google që mund të arrijë deri në 10 % të volumit të bizneseve të saj, rreth 6 miliardë dollarë. Gjithashtu Brukseli mund të detyrojë kompaninë të bëjë ndryshime strukturore në motorin e kërkimit për t’i dhënë fund abuzimit me pozicionin dominant.

“Objektivi i Komisionit është të aplikojë normat anti-monopol të Bashkimit Europian në mënyrë që kompanitë që operojnë në Europë të mos u mohohen artificialisht konsumatorëve europianë”, tha komsionierja evropiane, Margretthe Vestager. “Në rastin e Google mendoj se shoqëria i ka dhënë një avantazh të padrejtë shërbimit të saj për krahasimin e çmimeve për shopping online, duke dhunuar normat antimonopol të BE-së. Google ka tani mundësinë që të bindë Komisionin për të kundërtën.

Megjithatë nëse kërkesa konfirmon shqetësimet tona, Google duhet të përballet me pasojat ligjore dhe të ndryshojë mënyrën se si zhvillon aktivitetin e tij në Europë”. Bashkimi Europian filloi të hetojë në lidhje me praktikat e mundshme monopolistike para 5 vjetësh, pas akuzave të bëra nga Microsoft, Tripadvisor, Streetmap, etj..

Këto kompani shtojnë se adresat e Googlemaps, videot e Youtube dhe njoftimet e platformës Adwords shfaqen para linqeve të tjera nëse bën një kërkim në Google, i cili zë rreth 90 % të kërkimeve të bëra në Bashkimin Europian. Komisionerja shtoi se Bashkimi Europian do të vijojë të monitorojë aktivitetet e tjera të Google për të cilat janë ankuar kompanitë rivale. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *