Nga katër kandidaturat për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka kualifikuar të mërkurën në mbrëmje vetëm njërin prej tyre, Altin Binaj.
Kandidatët e tjerë, Artan Spahiu, Dedë Kasneci dhe Gentian Mete (ky i fundit u dorëhoq) kanë pasur mangësi të kritereve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit.
Gjatë mbledhjes së sotme, KED refuzoi edhe kërkesën e Ardian Dvoranit për t’u rikthyer në këtë organ me argumentin se “nuk hyn në veprimtarinë dhe kompetencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendimmarrja e kërkuar nga Ardian Dvorani”
Pak kohë më parë, përmes një shkrese drejtuar Vitore Tushës (pasueses së tij në drejtimin e KED), Dvorani kërkoi që mandatin e tij ta ushtronte deri në fund të vitit 2020 me argumentin se kalimi nga Gjykata e Lartë në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës, nuk përbënte pengesë për ushtrimin e detyrës së anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
e.sh/Dita
