Keit Midelton dhe princi Uilliam presin një fëmijë

anazapta

Dukesha e Kembrixhit, Keit Midelton, ka kaluar e qetë ditën e dytë në spital pas shpalljes së lajmit se është shtatzënë. Një lajm i shumëpritur për familjen mbretërore, e cila lë pas krahëve një kapitull skandalesh të pjesëtarëve të saj 

 

Në Mbretërinë e Bashkuar mbërriti lajmi që të gjithë e prisnin. Uilliam dhe Keit presin një fëmijë. Lajmi erdhi vetëm pak orë pas vizitës së Keitit në ish-shkollën e saj, ku edhe shfaqi cilësi të mira si lojtare hokeji. “Duka dhe dukesha e Kembrixhit janë të lumtur të njoftojnë se dukesha pret një bebe”, u tha në një komunikatë për shtyp mbasditen e së hënës. Është ende herët për të kuptuar nëse është djalë apo vajzë pasardhësi i tretë në vijën e vazhdimësisë në fron, pas princit Çarls dhe Uilliam.

 

Keit dhe Uilliam u lidhën në martesë në prill të 2011-s, por ky ishte lajmi që duhej për t’i lënë mbrapa në kohë retë e zeza të skandaleve që përfshinë pallatin mbretëror gjatë viteve të fundit. Sipas sugjerimeve, ngjizja mund të ketë ndodhur gjatë udhëtimit të çiftit në Lindjen e Largët, në muajin shtator.  Shpesh në muajt e fundit ishte dyshuar që Keit mund të ishte shtatzënë. Thashethemet e para dolën gjashtë muaj pas martesës, kur Keit refuzoi të shijonte gjalpë kikirikësh (i cili nuk rekomandohet për gratë shtatzëna). Më pas në shtator, gjatë turneut në kontinentin aziatik, dukesha kishte bërë gëzuar me ujë në vend të verës, duke ngritur natyrshëm shumë pyetje.

 

Fundjavën Keit e kaloi në shtëpinë e prindërve të saj në Berkshajër për shkak të të përzierave. Por që nga e hëna, princesha është shtruar në spital. Nga të vjellat e tepërta rrezikonte të dehidratohej e për pasojë lindi nevoja që të rrinte disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Me sa bëhet e ditur, një denduri e tillë ‘të vjellash’ prek rreth 2% të grave shtatzëna. Shpesh kjo situatë i bashkangjitet mundësisë së ardhjes në jetë të binjakëve. Ndoshta do të jenë dy pasardhës, dhe jo një sugjerojnë disa.

 

Sipas zërave që qarkullojnë Keit mund të jetë 8-12-javëshe shtatzënë dhe dukesha e Kembrixhit e ka mësuar vetëm kohët e fundit. Me sa duket edhe mbretëresha Elisabeta II nuk ka qenë në dijeni deri ditën e hënë, ashtu si dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Princi Herri, vëllai i vogël i Uilliamit e mësoi lajmin se do të bëhet xhaxha me anë të një e-maili. Ndërsa Keit do të qëndrojë në spital për disa ditë, Uilliam po përkujdeset për të shoqen duke i qëndruar pranë gjatë gjithë kohës.

 

Ashtu siç pritej, përpara pallatit mbretëror qëndrojnë për orë të tëra gazetarë, fotografë dhe masa të mëdha njerëzish kuriozë. Në internet ka një fluks të jashtëzakonshëm mbi ngjarjen e shumëpritur në familjen mbretërore angleze. Ndërkohë, urimet për Uilliam dhe Keit mbërrijnë në mënyrë të pandërprerë. “Do të jenë prindër të mrekullueshëm”, tha kryeministri britanik David Kamerun, që i uroi gjithashtu në kohë reale edhe në “Twitter”. Për liderin e Partisë Laburiste, Ed Miliband, “ky është një lajm fantastik dhe i gjithë vendi do ta festojë”. Nga Skocia që dëshiron pavarësinë, kryeministri Aleks Salmond i paraqiti përgëzimet e tij çiftit edhe në emër të të gjithë vendit të tij. E natyrisht që nuk munguan urimet nga përtejoqeanit nga familja Obama dhe e gjithë Shtëpia e Bardhë.

 

Për mbretëreshën Elisabeta II, viti 2012 do të ngulitet thellë ndër kujtimet më të bukura. Me të drejtë, sepse këtë vit ajo festoi 60-vjetorin e mbretërimit të saj, ‘dasmën e diamantit’ të martesës së saj 65-vjeçare me princin Filip, të shfaqjes gjatë lojërave olimpike si ‘vajza bond’, gjë e cila u vlerësua nga populli i saj që prej vitesh i ndiente të largët. Dhe me ardhjen e trashëgimtarit të shumëpritur, ajo periudhë tashmë duket një tjetër erë.

 

Somario: Thashethemet e para për shtatzëninë dolën gjashtë muaj pas martesës, kur Keit refuzoi të shijonte gjalpë kikirikësh. Më pas në shtator, gjatë turneut në kontinentin aziatik, dukesha kishte bërë gëzuar me ujë në vend të verës, duke ngritur natyrshëm shumë pyetje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *