Federata e Xhudos mohon ultimatumin, ndonëse ai u bë direkt në televizion
Xhudistja Majlinda Kelmendi i ka dhënë ultimatum qeverisë së Kosovës për t’i dhënë shpërblimet që i takojnë brenda dhjetë ditëve, por Federata e Xhudos e ka mohuar një gjë të tillë. Federata sqaron se nuk i ka dhënë asnjë ultimatum qeverisë, madje e falënderon për bashkëpunimin. Në deklaratën e lëshuar dje, Federata e Xhudos shkon edhe më tej, duke thënë se as sportistja nuk e ka bërë një gjë të tillë. Një pretendim i çuditshëm, nisur nga fakti që Kelmendi e ka bërë kërcënimin e saj për të shkuar me një kombëtare tjetër direkt në televizion nga Gjermania, ku fitoi medaljen e artë në Çmimin e Madh të Dyseldorfit. Interesimin e kombëtareve të huaja për të dhe trajnerin Driton Kuka, sportistja e ka bërë të ditur që para disa javëve, ndërkohë që tani pretendon se një nga këto vende i ofron një milion euro për të ndryshuar ngjyrat.