Zv.Drejtorja e Fiks Fare: Kemi 150 orë regjistrime për skandalin në Pukë”

anazapta

Filip Çakuli dhe Denisa Haxhiaj janë aty prej 11 vitesh, që kur ky program lindi. Janë si të thuash dy gjysmat e trurit të “Fiks Fare”. Emisioni i njohur televiziv është vendosur në qendër të vëmendjes ditët e fundit për skandalin e korruptimi në Gjykatën e Pukës. Në përpjekje për të kuptuar anën tjetër të kësaj historie, Dita zhvilloi një bisedë me Denisa Haxhiajn, zv.drejtoren e emisionit, krahun e djathtë të Filip Çakulit, vajza që di gjithçka që transmetohet dhe nuk transmetohet.

Denisa, Fiksi është vendosur sërish në qendër të vëmendjes për një skandal korruptiv në Gjykatën e Pukës. Si ka ardhur kjo histori tek ju?

Zoti Pal Ndoka erdhi në “Fiks Fare” ashtu siç vijnë të gjithë qytetarët që i drejtohen redaksisë sonë, në pritje populli. Ka ardhur vetë. Bashkë me drejtorin e redaksisë, zotin Filip Çakuli e kemi dëgjuar problemin e zotit Ndoka dhe vendosëm që kjo çështje të ndiqej nga gazetarët e “Fiks Fare”.

Sa ka zgjatur ky investigim?

Ky ka qenë një investigim që ka zgjatur rreth katër muaj, ditë natë. Në çdo moment zoti Ndoka ka pasur në dispozicion një ekip të “Fiks Fare” që filmonte bashkë me të takimet që ai kryente për problemin e ryshfeteve që i kërkonin avokatët, sekserët e punonjësit e gjykatës për lirimin e dy djemve dhe vëllait të tij.

Kushtojnë investigime të tilla? Kush paguan?

Në këto investigime të mëdha kemi gjithmonë mbështetjen e drejtuesve të Top Channel-it, edhe në aspektin financiar, pasi në disa raste në gazetarinë investigative kërkohet mbështetje e madhe financiare. Kjo nuk na ka munguar asnjëherë.

E besuat që në fillim që mund të ishte një çështje serioze, apo me kalimin e ditëve skandali thellohej?

Vetë historia që zoti Pal Ndoka kërkoi të sillte në “Fiks Fare” ishte e tillë që kërkonte angazhim të një pjese të stafit të “Fiks Fare”. Që në çastin kur zoti Ndoka është paraqitur në zyrat e “Fiks Fare” e kemi dëgjuar dhe ndjekur me shumë seriozitet problemin e tij, pasi në këtë histori përfshiheshin gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë, sekserë, punonjës gjykate.

Si veproni që invetigime të tilla që zgjasin kaq shumë në kohë nuk dekonspirohen?

Çështja që na solli zoti Pal Ndoka ishte mjaft delikate dhe kërkonte fshehtësi të plotë që të mos dështonte investigimi që kishim nisur. Bashkë me Filipin kemi kontrolluar në çdo hap punën që bënte qytetari me grupin tonë të xhirimit. Kanë qenë shumë pak persona që kanë qenë në dijeni të fakteve që xhironim.

Nuk besoj se është hera e parë që vijnë denoncime të tilla…

Në “Fiks Fare” çdo ditë vijnë ankesa të shumta nga qytetarë të ndryshëm. Në raste të tilla, kur vijnë denoncime të tilla unë dhe Filipi diskutojmë rëndësinë e këtyre rasteve dhe vendosim në dispozicion të këtyre qytetarëve që kërkojnë ndihmën tonë ekipe xhirimi. Ka edhe ankesa të rëndomta, por ne verifikojmë çdo ankesë.

Cilat janë çështjet më të ndjeshëm për të cilët ankohen njerëzit tek ju?

Qytetarët i drejtohen “Fiks Fare” për probleme nga më të ndryshmet, që nga problemet me faturat e energjisë elektrike, faturat e ujit, largimet e padrejta nga puna e shumë të tjera. Në këto moment në “Fiks Fare” ka një dyndje të ankesave që kanë lidhje me gjyqësorin shqiptar.

Për rastin e Pukës, keni regjistrime të tjera të patransmetuara?

Për këtë rast ne kemi investiguar për gati 4 muaj dhe ka shumë orë regjistrime bisedash. Mund të them rreth 150 orë material bruto. Zoti Ndoka në të gjitha takimet që ka kryer ka qenë i shoqëruar nga ekipi i “Fiks Fare” dhe gjatë gjithë kohës ka regjistruar biseda të shumta. Ne përzgjodhëm ato më pikantet për të transmetuar. Ne treguam vetëm majën e ajzbergut, Titaniku vazhdon akoma të lundrojë.

Përmendet më emri i kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori?

Jo, emri i tij përmendet vetëm në pjesën që është transmetuar.

Denisa, kur e konsideroni një investigim të plotë, ose të mbyllur, pra gati për transmetim?

Në rastin e Pukës për ne investigimi do të ishte i plotë deri në momentin e lirimit të të arrestuarve nga burgu. Arritëm të zbërthenim strukturën e korrupsionit gjatë lirimit të dy të arrestuarve dhe pazaret që janë bërë për të arrestuarin e tretë.

 

Ndodh ndonjëherë që sekserët të përmendin emra njerëzish me pushtet për ta bërë sa më të besueshme punën e tyre, si në rastin konkret… Mund të jetë edhe kjo në këtë rast me emrin e kreut të Gjykatës së Lartë?

Sekserët morën 6 mijë euro për rastin konkret dhe nuk ishin thashetheme pazari. Nëse është mashtrim, ky nuk është më thashetheme, por quhet vepër penale.

 

“Mungesën e Sajmirit e kemi ndjerë. Kopja mbetet kopje gjithsesi”

Muajët e fundit, për këtë emision është folur shumë jo vetëm për ngjarjet që denoncon, por edhe për largimin e njëri prej prezantueseve. Derisa, pranon që i është ndjerë mungesa Saimir Kodrës, por kjo tashmë ka kaluar.

Denisa, e keni ndjere mungesën e Saimirit?

Nuk do isha e sinqertë, po të thoja që nuk e kemi ndjerë. Në ditët e para kur ndodhi ndërrimi i njërit prej prezantuesve të “Fiks Fare”, u ndje mungesa e Saimir Kodrës, pasi ai është një figurë shumë e dashur për publikun. Shpesh Fiksi identifikohej me imazhin e Saimirit dhe Doktorit. Ndarjet sjellin gjithnjë trishtim. Gjithsesi, në këto momente edhe ju e shihni vetë që vëmendja e teleshikuesve te “Fiks Fare” është te përmbajtja e tij. “Fiks Fare” është “Fiks Fare”, një institucion tashmë, vë në lëvizje parlamentin shqiptar, qeverinë, opozitën, gjykatat, prokurorinë, KLD-në.

Si zv/drejtore e “Fiks Fare” ka ndonjë kronikë që jeni bërë pishman dhe që s’do ta transmetonit më kurrë, që keni goditur pa të drejtë ndonjë individ?

“Fiks Fare” është tashmë një institucion që mbron interesat e publikut dhe vendimet për temat që ne trajtojmë nuk merren për të goditur individë, por fenomenet që shqetësojnë çdo ditë shoqërinë tonë. Kur një temë që ne trajtojmë është në shërbim të shoqërisë, nuk ka vend për pendesa!

Pas emisionit “Fiks Fare” është hapur dhe emisioni “Alarm” dhe “Ça Thu…” mendoni se ka nevojë vendi për kaq emisioneve denoncuese?

Ky është treg, garë. Janë qytetarët ata që i japin përgjigje kësaj pyetjeje, të cilët trokasin atje ku gjejnë një zgjidhje të halleve dhe problemeve të tyre. Ne nuk e shpërfillim konkurrencën!

Cilat janë risitë e Fiksit që nuk mund të kopjohen nga emisione simotra?

Meqë po flisni për kopje, duhet t’ju kujtoj që kopja duhet të noterizohet tek noteri që të quhet kopje. Pikturës së Mona Lizës së Da Vinçit i janë bërë mijëra kopje, ndërsa origjinali ruhet në një sallë në muzeun e Luvrit nën masa të mëdha sigurie, futur në një kornizë xhami antiplumb. Pra origjinali ruhet. Ajo që nuk mund të kopjohet është historia e gjate dhe e suksesshme e emisionit “Fiks Fare” dhe besimi që qytetaret kane tek ky emision .

Keni shumë vite që punoni për këtë emision … është një nga punët që doni? Sa e lodhshme është për ju?

Është një punë që më jep shumë kënaqësi. “Fiks Fare” për mua ka qenë një shkollë e gjatë gazetarie, sepse kam fatin të punoj për 11 vjet me Filip Çakulin, i cili është drejtuesi, autori dhe truri i këtij emisioni. Në “Fiks Fare” të gjithë ne që punojmë këtu kemi mësuar se ç’është në të vërtetë gazetaria investigative dhe si bëhet gazetari investigative në terren. Dinamika e ngjarjeve të një dite në redaksinë tonë, nuk të lë kohë të mendosh për lodhjen.

Cila është historia më rrënqethëse që keni hasur në këto vite punë?

Janë të shumta historitë njerëzore që vijnë në “Fiks Fare” dhe para se të jam gazetare, unë jam një grua, një nënë dhe s’mund të jem indiferente ndaj problemeve dhe halleve të shoqërisë sonë. Janë të shumta rastet e personave që ndihen krejt të pashpresë dhe drejtohen tek ne për ndihmë. Panorama migjeniane e shumë familjeve shqiptare, sinqerisht më trishton shumë!

Po suksesi më i madh i “Fiks Fare”?

Besimi i publikut është suksesi ynë më i madh.

 

 

Denoncuesi: Kam paguar 45 milionë lekë për “drejtësinë”, djalin po ma kërcënojnë

Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, autori dhe “hallexhiu” i videos rrëfeu historinë e tij që u bë e njohur nëpërmjet Fiksit e më vonë nga mediat. I pyetur për arsyen që e bënë Pal Ndokën të përballej me drejtësinë, banori i Fushë-Arrëzit tregon:

“Ne u arrestuam në datën 15 Prill se bëmë një protestë kundër firmës “Beralt SH.A”. U arrestova unë si familje, me vëllezër, djemtë dhe nipi, bashkë me tre banorë të tjerë të lagjes. Kjo firmë bëri një gabim të madh, bashkë me shtetin. Firma na mori tokën dhe shteti nuk na shpronësoi”, deklaroi Ndoka.

“Në protestë kemi qenë 50 vetë. Erdhi policia e Pukës, pastaj e Shkodrës dhe pastaj RENEA. Policia në fillim mbajti qëndrim të mirë, por shefi policisë hyri në turmë dhe nisi përplasja, e aty ai qëlloi me armë. Plasi zhurma, na morën na rrahën aty brenda në makina, më goditën përtokë. Vajza e vëllai më ndihmuan. Mbaj mend që ka qenë edhe prokurori prezent edhe këtë nuk e fal. Pastaj përfundova në spital në Shkodër dhe ia kam borxh spitalit sepse më trajtuan në mënyrë të përsosur”.

Në këtë moment, nisën edhe andrallat e zotit Ndoka me drejtësinë, me të gjithë familjarët të burgosur. “Më vunë në arrest shtëpie, e pjesa tjetër e familjes në arrest me burg. Nxora dhëndrin në fillim e me vëllain kontaktuam me telefon me Shtjefën Lleshin, gjyqtar edhe kryetar i gjykatës Pukë. Ai propozoi arrest shtëpie kundrejt 1 mijë dollarë e 1 milionë lekëve që ia dhamë djalit të tij. Çfarë u kërkua për të tjerët? Unë i kam dhënë 2 mln tek “Don Bosko” në Tiranë, aty ka shtëpinë. I them a mund të dalësh? Doli Shtjefni, e bëri pazar si me qenë pazar për bagëti. Për mua kërkoi 4 milionë për lirimin e plotë, për të tjerët histori e gjatë. Në fund e çova pazarin me djalin dhe vëllain tim, 3 mijë euro për njeri për të dalë në detyrim paraqitje. Mbasi dolën në arrest shtëpie u çua pazari dhe kaloi 5.5 mln lekë. Unë paguaja ata dilnin një nga një. Kam paguar në total 45 milionë lekë”.

Rrëfimi i Palit ka vijuar më tej: “Nuk kisha dhe nuk kam frikë. Unë gjithë kohës nuk kam pasur frikë. Nuk kisha frikë sepse nuk kisha përse të pendohesha. I kam borxh popullit të Fushë Arrëzit dhe Tiranës sa të jem gjallë i kam borxh. Nja 250 vetë që më kanë ardhur për ngjarjen, më kanë mbështetur qoftë edhe financiarisht. Por djali im është në burg dhe më thonë që do ta vrasin”.

 

Share This Article
5 Comments
  • Filip e ke mjekren si I.Qemali .Pa te bere kompliment .Ate qe po bene eshte njesoje si ajo qe beri Plaku I.Qemali me patriotet shqiptare .Vetem keshtu do ta shpetojme Shqiperine nga devijimet e politikes klienteliste .Kushdo qe te dali zbuluar mos u kurse .Keshtu kemi per te patur me te vertete Shtete e Drejtesi.Edhe shurdhet degjojne kur bien kambanat e tua .

  • A nuk ishin keta qe publikuan videon e Metes???
    Problemi nuk qendorn tek denoncimi por tek futja ne burg.
    Fiksi ben mire qe hap syte, shpresojme nga Janari te mbushet Spaci

  • mire thote enea….nuk mjafton vetem denoncim, por ndjekja dhe perfundimi i nje krimi deri denim…..nese fiksi mendon se puna e tyre investiguese mbaron deri ne shfaqje ne tv e ka gabim…le te shikojne cbehet neper bote ….pasi vetem ne shqiperi bohen hajdutat e kriminelat deputet….e pastaj shefat e fiksit i ftojne edhe neper intervista e analiza ti japin mend atyre dhe gjithe popullit shqiptar….emisioni FF te jep nje pershtypje sikur njerezit qe vene atje jane skllever te tyre, dhe harrojne qe famen e leket i marrin prej denoncimeve te ketyre sklleverve….
    …ff cdo pune dhe investigim e ka lene ne mes, duke i besuar verbalisht pushtetit, shtetit, gjykateave etj etj korruptuese….ff vetem sa inxorri me video e audio pasi kjo gje dihej nga gjthe populli….ashtu sic dihet qe sic cdo ngjarje e tille ka perfunduar shume shpejt dhe kriminelet me pas do perfundojne deputet apo ministra etj etj, kurse denoncuesit do zhduken…..pranej burrat e forte me mustaqe e mjeker ti cojne punet deri ne fund…..

  • Faleminderit Entela e gazetes ‘Dita’ qe na ke sjell kete interviste dhe nje personazh si Denisa. Ju vlersoj qe te dyjave dhe po ashtu kam respekt per Institucionet ku ju punoni. Pune te mbare. Hallall ja u befte Zoti, se jeni puntore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *