Kemi vite që flemë gjumëprishur!

anazapta

 Këto ditë fqinji ynë, ndërsa gërmonte për të ngritur themelet e shtëpisë së re (rigorozisht me lokal të madh e bilardo në katin e parë) – natyrisht pa projekt dhe pa leje ndërtimi, zbuloi skeletin e një njeriu me fytyrë kali. Do t’a kishte zili edhe H.Schliemann, ai që zbuloi Trojën e gabuar, se njeriu me fytyrë kali vë në dyshim teorinë e lagjes time mbi origjinën e kuajve…Babai im ngul këmbë që s’ka dyshim se kuajt e kanë prejardhjen nga njeriu, ndërsa nëna plakë më kanoset se zotave u ka ardhur në majë të hundës prapësia e njerëzve, që po i bëjnë punët më shkel e shko se kuajt. Duket se kjo – thotë nëna ime – ka kohë që po ndodh, por as kuajt s’marrin vesh…Kurse unë dyshoj që fqinji të ketë bërë ndonjë rreng. Jetojmë kohët e protagonizmit dhe me këto çudira”rizbulimesh”ka njerëz që bëhen të pasur e famozë. Bëhen star-ë dhe big-ë televizivë e pas ndonjë muaji fillojnë të ftohen si analistë të gjithanshëm në programet televizive, si dasmorët shëtitës, që ftohen për të mbajtur gjallë ahengun. Ndaj nuk çuditem që ndokush tjetër të gjejë një mumje që n’a paskësh qenë faraon në kohët e qoftëlargut, atëherë kur doktorët, në vend që të shëronin të sëmurët, bënin ç’është e mundur që të shkallonin edhe të shëndoshët. Tani dua paqe me hyun Hypnos, dua gjumë! Kemi vite që flemë gjumëprishur!

Dërguar me email

[email protected]

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *