(Mësuesi dhe poeti dëshmor Dhimitër Mino)
-Në 100 vjetorin e lindjes
Fshati Bubullimë (Lushnjë), është i njohur për traditat luftarake dhe arsimore, pasi që në lashtësi përbënte një truall të begatë me “vlagë” heroizmi. Në këtë truall patriotik u rrit dhe u edukua djaloshi Dhimitër Mino. Babai, Kosta e la foshnjë. Kësisoj, si jetim, fëmininë e çoi në mjerim të dyfishtë. Megjithatë, mësimet e para në shkollën e fshatit i mbaroi shkëlqyeshëm. I ndihmuar nga vëllai i madh që punonte shofer në Elbasan, u rregjistrua në shkollën normale të këtij qyteti. Në bangat e kësaj shkolle filloi edhe vargëzimet poetike. Dallohet për revoltën ndaj shfrytëzimit e paditurisë së popullit dhe mesazhon me bindje për një të ardhmme më të drejtë dhe më të begatë, për një botë të re, ku sheh se “…po çelin ca lule të reja” që do “çajnë errësirën e natës…”
Poezi të tilla ishin refleks i ideve revolucionare të nxënësit-poet, për të cilat autoritetet shtetërore të kohës e përjashtojnë nga shkolla pa u diplomuar si mësues normalist. U dërgua në fshat i survejuar , si
“element i rrezikshëm, me ide komuniste dhe kundërshtar i regjimit…”
Me shumë mundime mundi të diplomohet si nxënës i jashtëm në qershor, 1942. Pasi qëndroi disa muaj në vendlindje, qeveria e emëron mësues në fshatin Korisht tw Kosovws. Kthehet që andej në verën e vitit 1943, kur lëvizja nacionalçlirimtare ishte zgjeruar në Myzeqe dhe në gjithë Shqipërinë. Mësuesi Dhimitër Mino rreshtohet në radhët partizane, në batalionin e tretë të Grupit partizan të Myzeqesë, ku, si njeri i shkolluar , i ngarkohet detyra e intedentit të batalionit. Mori pjesë në të gjitha luftimet e batalionit në rrethet e Beratit dhe tw Skraparit, ku edhe u vra në përpjekje me gjermanët, në shkurtin e vitit 1944.
Por djaloshi myzeqar dhe mësuesi i pasionuar Dhimitër Mino, ishte edhe një poet i talentuar. Ai ka zërin e vet, të veçantë, në vargun e gjatë të poetëve të kohës, në stilin dhe figuracionin poetik, në përzgjedhjen tematike si edhe në llojin e vargut të njohur për disa nga poetët tanë dëshmorë të cilëve, plumbi armik ua ndwrpreu jetën dhe krijimin.
Trashigimia poetike e Dhimitër Minos, përfshin disa qindra vargje, me të cilat lexuesi është pak i njohur (Revista “Nëntori”nr.11/1984, Revista “Myzeqeja”nr.5/shkurt, 2007,fq.26)
Por poeti ka përfunduar një vëllim të plot poetik ku dallojnë sidomos krijimet e viteve të luftës partizane, 1942-43, vite të diplomimit të Dhimitrit dhe të punës si mësues në Kosovë. Ato ishin vite kur poeti kristalizonte idetë e tij politike duke u përfshirë gjithënjë e më shumë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar. Nga këto ide poeti merr frymëzimin e përhershëm. Ndaj e fton zemrën të gjakoset sepse “…Po dëgjoj një fjalë, fjalë e mbirë në zemër/ Do na shteren lotët e dhimbjes pa emër..”
Ndërsa periudha më e bollëshme e prodhimit letrar ishte viti kur Dhimitër Mino, punoi si mësues në Kosovë. Ishte mjedisi patriotik që e rrethonte dhe historia luftarake e njerëzve të Kosovës martire që e frymëzonin poetin, i nxitur nga historia e lavdishme e shqiptarëve të këtyre trojeve. Dhimitri shkroi këtu edhe poemën dymbëdhjetë rrokëshe me rreth 200 vargje; “…Ku nis filli i lirisë” të cilën, ia kushton ngjarjes madhore të historisë shqiptare siç është “Lidhja shqiptare e Prizrenit”. Gjithësesi, poezitë e këtij poeti mbetën në dorëshkrim.
Vëllimi poetik me titullin simbolik “Po të pres agim i qeshur”, gatitur në llogoret e luftës, zverdhur e zhubrosur në çantën e shpinës të poetit partizan, nuk patën fat ta shihnin dritën e botimit. Autori i tyre ra në luftë në lulen e rinisë; 24 vjeç. Na la pas jo vetëm jetën dhe veprën e pavdekshme të flijimit për lirinë e atdheut, por edhe krijimet e tij të para artistike, të një djaloshi shumë të talentuar, me firmën e të cilit sot mund të kishim biografinë e një krijuesi të shquar me përmasa kombëtare.
***
Fragmente nga krijimtaria e poetit dëshmor Dhimitër Mino:
Nga nis filli i lirisë
(Poemë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me 30 strofa, 200 vargje)
………………………………………………………………………
Abdyl Frashëri, burrë i ndjerë, gojëmjaltë dhe zemërgjërë
Rreth e rreth ka arbëreshët që e mbajnë vesh të tërë
Sa u bjen lotët zvarrë, sa rënkon dhe mali Sharr
Atëhere, në një gojë:-Ja liri, ja mu në varr..!
Rrofsh e qofsh moj Shqipëri!
Shqipëtarët, syzgalitur, kush dëgjonte, dikush fliste
Dikush qante robërinë, dikujt heshtja i përkiste
Asaj dite të gëzuar kur u lidh me besa-besë
Lule e bukur Shqipëria, ndër të huajt të mos mbesë
Sepse është gjak i vjetër
Gjak iliri kordhëtar, sydragua, vështrimçelur
Buzagaz me gjithëkushin. Veç lëndinëzë e mjelur,
Ka qënë trualli i Shqipërisë, ku gjithkush ka zgjatur dorë
Për të ndukur çka i duhet, gjersa sot e lanë të gjorë
Kjo është e nuk ka tjetër..!
Eci rrugës që më shpie ku janë derdhur pika lot
Në Prizren,ku rihet jeta, ku shqiptari jet’ e mot,
Ka mbjellë farë prej lirie
Se aty është lidhur motit besë e fortë shqipëtare,
Për t’i dalë zot Shqipërisë, zonjës rëndë dhe krenare
……………………………………………
Më shkoi muza, mbeta vetëm ku Abdyli bir shqiptari
Mblodhi dejt e një gjaku për liri sikur i Pari
Hej liri, liri, liri! Ti ke mbetur veç në gojë
Shpirti qan me sy përlotur…Vetëm loti të shterojë,
Se me të ne jemi velur..!
Prizren, dhjetor, 1942
Po të pres agim i qeshur
Atje tej ku tret vështrimin, shoh agimin duke qeshur
Si një vashë virgjërore, me një cipë të hollë veshur
Me një cipëzë të kuqe nga shperthejnë rreze ari
Drejt yjeve shkëndijon, porsi tufë xixash zjarri
Po të pres agim i qeshur të ma ndrisësh ballin tim,
Hidhi rrezet shtiza-shtiza këtu thellë në errësim
Ku lëngon një shpirt i lodhur ndën ajrin plot hije
Oh, ç’u treta, ç’u kullova; ngushullim përzëmërsie.
Prill, 1942
……………………………………………
Dil andej nga kroi
Dil andej nga kroi, vashë dëgjo mua,
Se ke shoqe lulet, bashkë me zambakun,
Trendelinë mali ti më je për djalin,
Atë; varfanjakun.
Po nuk dite rrugën, varu bletës prapa
Se tek buz’e kroit aty në lëndinë,
Vjen që të kullosë, zën’ e pa zën’ vapa
Nëpër trendelinë
Po më dole filli, dil në mugëtirë
Vish linjën e hollë, me pambuk sheqeri,
Leshrat përmbi supe, me vetull të ndrirë,
Porsi hark ylberi.
Bilbil i natës
Çili bilbil çili sytë e vagëlluar
Që të puthin dritën, dritën e pavdekur
Ndaj këtij agimi, në të zbardhëlluar
Si një buzë e mekur
Porsa të dëgjova, bilbil të thërrita,
Kënga e kësaj nate më kalli zilinë
Me një dorë shpirti, lehtaz të përkita
Këndova njerinë..!
Qershor, 1943
-Botuar nw Revistwn e pavarur socialkulturore “Myzeqeja”, nr.5/shkurt, 2007, fq.26.
