Gjumi aq i rëndësishëm për njeriun duhet të jetë i qetë dhe i rehatshëm. Por jo gjithmonë arrijmë të kuptojmë nëse jemi çlodhur totalisht e nëse trupi dhe mendja jonë është rigjeneruar 100 për qind.
Për t’i ditur të gjitha këto disa të rinj amerikanë kanë realizuar “sensonin hi-tech”, i konceptuar si një kontrollues virtual i kohës së kaluar në gjumë. I vendosur pranë krevatit, ai arrin të na tregojnë elementët që na kanë shqetësuar dhe ata që nuk na kanë lënë të qetë.
Kështu, sensori i parë i vendosur mbi komodinë analizon dritën, temperaturën dhe lagështirën në dhomë, duke kërkuar atë çka në ambjent mund të bëzdisë gjumin. Sensori i dytë ndërkohë, i përfshirë nën jastëk mbledh të dhënat e lëvizjeve që bëhen në shtrat gjatë gjumit, duke sinjalizuar të gjitha rastet kur gjumi nuk është i rehatshëm. Të gjitha regjistrimet në fjalë dërgohen më pas në një aplikacion të veçantë, i cili i shndërron të dhënat në vlerësime sipas një sistemi pikëzimi të parapërcaktuar. Në bazë të rezultateve, arrihet të evidentohet se çfarë nuk ka shkuar mirë gjatë gjumit.
Sistemi i integruar, jo i fundit në zhvillimin e teknologjive që kanë të bëjnë me gjumin, është quajtur “Sense”. Përveç evidentimit të elementëve shqetësues, ky aplikacion shërben edhe për të vënë në gjumë. Kështu, kur sensori kupton se ende nuk ka nisur procesi i gjumit, ai lëshon tinguj relaksues dhe qetësues, si përshembull tingujt e një shiu të lehtë, etj.
Sensori shërben njëkohësisht edhe si orë me zile, duke ndërprerë gjumin në momentin e duhur, atëherë kur orët e relaksit janë përmbushur totalisht./A.V
