Hamdi Salihi praktikisht ka fituar “Këpucën e Artë”, edhe pse janë ende 90 minuta për tu luajtur. Diferenca e golave të shënuar nga sulmuesi i Skënderbeut me ndjekësin më të afërt që është Xhevahir Sukaj i Partizanit është 7 gola. Për më tepër Partizani do të ketë një duel të vështirë në javën e fundit, teksa do të presë Teutën e cila shpreson ende tek vendi i 3 që të çon automatikisht në Europë.
Rikthimi i sulmuesit të Kombëtares në kampionatin shqiptar u shoqërua ashtu siç pritej, me bollëk golash dhe titullin individual që pret vetëm zyrtarizimin. Ajo që është zyrtarisht e konfirmuar mbetet mos realizimi i dëshirës së 32-vjecarit shkodran.
Disa javë më parë Salihi shprehte dëshirën për të thyer rekordin e tij personal me 29 realizime brenda një sezoni, një shifër që dukej e arritshme 3 javë përpara fundit. Por ndaj Partizanit bomberi i korçarëve nuk e gjeti rrugën e rrjetës, dhe për më tepër humbi mundësinë për ta bërë diçka të tillë në 90 minutëshin e fundit në Vlorë.
Ai karton i verdhë i martë në minutën e 22-të ndaj kryeqytetasve ishte i 3 për të, duke humbur për arsye skualifikimi duelin ndaj Flamurtarit. Megjithatë “Këpuca e Artë” duket një çështje e arkivuar, dhe vetëm një çmenduri në sfidën Partizani-Teuta mund të bëjë që të humbasë trofeun individual.
