KËPUCARI I STUDENTËVE / “Hasmi të sheh nga këpucët”

redaktor

Të gjithë e njohin në “Qytetin Studenti”, mjafton t’u thuash “po kërkoj një këpucar”. Ashtu si çdo ditë në këto 11 vite punë në Tiranë edhe këtë mëngjes ai ka hapur qepenin, duke rrahur kudhrën dhe çekiçin mbi shuajt e këpucëve që kërkojnë dorën e ustait.

Yzeir Allaraj është këpucar dhe e ushtron këtë profesion prej 45 vitesh. 35 vitet e para të punës i ka kaluar në qytetin e Kukësit ku edhe ka lindur e ka krijuar familjen. Dekadën e fundit është zhvendosur për të punuar e jetuar në një nga zonat me rini të përjetshme të kryeqytetit, Qytetin Studenti.

Në të katër muret e dhomës ku punon Yzeiri janë vendosur postera dhe fotografi të këngëtarëve shqiptarë, kryesisht emra që kanë dalë në vitet e tranzicionit. Duket se në këtë drejtim i është përshtatur stilit të studentëve, pasi na thotë që, i ka vendosur këto figura jo se i pëlqen, por për të zbukuruar disi ambientin.

Madje në vendin e tij të punës ka vendosur edhe tri harta të Shqipërisë. Na tregon me buzën në gaz se ka nga ata studentë që nuk e dinë se ku bie Vermoshi dhe Konispoli, ndaj hartat i shërbejnë për diçka në ambientin ku ai punon dhe nuk janë krejt pa funksion.

2Në tavolinën e tij të punës gjejmë një rrëmujë të madhe, të cilën vetëm Allaraj nuk e sheh si rrëmujë por si ‘rend brenda kaosit’. Aty ka kallëpe këpucësh, çekiçë, thika, gur smeril, gërshërë, stilolaps dhe gjëra të tjera për të cilat do të nevojitet që të pyesësh Yzeirin.

Mjeshtri, siç e thërrasin ndryshe miqtë e tij, ka një marrëdhënie të veçantë me studentët dhe sidomos me studentet vajza, pasi ato janë klientet më të shpeshta që e vizitojnë në dyqan për të ngjitur, apo vënë në vend një takë të këpucës ose sandales së tyre.

Stili i këpucës ka ndryshuar kohët e fundit, nëse pesë vite më parë, kishte shumë nga ato vajza që mbanin dhe përdornin taka të larta, këto kohë diçka ka ndryshuar. I shoh më tepër me këpucë të sheshta, pasi ato edhe u prishen me tepër. Por sigurisht që nuk mungojnë ato vajza që ecin në majë takave dhe besoj nuk kanë për t’u zhdukur ndonjëherë plotësisht”- tregon Allaraj, duke mbajtur në dorë një këpucë e cila e ka takën 15 centimetra. Megjithatë kohët e fundit, për të studentët janë më të varfër se sa vite më parë. “I shoh çdo ditë kur vijnë e më sjellin këpucën e grisur. Nuk ka më para, është zhdukur leku” – thotë Yzeiri për Dita-n. Megjithatë ai tregonte se ka një këpucë e cila është enkas për studente, madje edhe emërtesa e saj e tillë: këpucë me takë studenti. Ka një takë të shkurtër dhe të trashë dhe të rehatshme për këdo.

Duart e tij të vrazhda, mbi të cilat puna ka lënë gjurmë prej vitesh, mbajnë ende mastiçin që është përdorur për këpucën e radhës.

Kur e pyesim se sa rëndësi ka këpuca për njeriun, Yzeiri na thotë se ajo tregon shumë për personalitetin e çdokujt. “Hasmi të shikon nga këpucët. Nëse ti nuk ke një veshje të mirë në këmbë, atëherë sipas tij e ka më të lehtë të të mundë” – thotë mjeshtri i Qytetit Studenti. Mënyra se si ecën ndikon në jetëgjatësinë e veshjes së këmbës.

Për 62-vjeçarin kjo është një punë që e mban gjallë duke jetuar me nder e duke e nxjerr vetë bukën e përditshme, pasi, sipas tij zanati asnjëherë nuk të lë në baltë. Pavarësisht se ka patur një martesë jetëgjatë, nuk shkoi gjithçka mirë deri në fund dhe sot familja e tij gjendet jashtë vendit. Paçka se jeton vetëm, ai nuk ndihet i tillë. E rrethojnë miq e shokë që e duan e mbi të gjitha, ata që e gjallërojnë ditën janë klientët e tij të rinj. Të jetuarit në këtë zonë ka ndikuar shumë që atë të mos e kapë pesimizmi dhe monotonia. Duket se këpucari ka marrë pak nga rinia e vizitorëve të tij të përditshëm.

4Në asnjë moment nuk e gjen të lirë. Çekiçi e peronat, peri dhe gjilpëra, sipas rastit, janë shoqëruesit e e tij të ditës. Për 45 vite me radhë Yzeiri ka bërë të njëjtën punë. E pyesim nëse është mërzitur, është lodhur nga tekat e njerëzve dhe ai na përgjigjet me një jo të plotë. Ai ka respekt për të gjithë dhe të gjithë kanë respekt për të.

 

Eksperienca

Yzeir Allaraj është 62 vjeç. Ka lindur në Kukës ku edhe ka mësuar zanatin që ka sot. E ka mësuar me anë të një kursi profesional që në ato vite ishin të shpeshtë. Që prej vitin 1970, ai nuk i është ndarë këpucëve asnjë ditë. Ka patur një dyqan në qendër të Kukësit dhe aty ka qenë një ndër mjeshtërit më me emër. Aty mësoi si të modelonte vetë këpucë. Ishte viti 1971, kur ai filloi punë në “Këpucë me Porosi”, që aso kohe përdoreshin shumë, sidomos porosisnin njerëzit për martesa. Më vonë, atëherë kur demokracia i dha favorin e privatizimit, Yzeiri hapi një biznes privat, përsëri me këpucët.

 

Fotot nga Urim Spahia/DITA

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *