Një trup i gjetur në Bruklin të Nju Jorkut në fillim të kësaj jave i kishte këmbët e mbështjella me çimento të forcuar.
“Këpuçët çimento”, ky është një term që njihet prej kohësh dhe lidhet me vrasjet mafioze.
Por deri më tani ishte thjesht një trillim i përdorur nëpër filma apo libra.
Disa gazetarë thonë se kjo është hera e parë kur “këpucët çimento” përdoren në një vrasje.
Viktima, 28-vjeçari Peter Martinez, ishte anëtar i një bande kriminale.
“Ky individ ishte i mbështjellë me qese plastike, krahët i kishte të lidhura nga pas dhe këmbët i kishte të zhytura në beton,” tha detektivi Robert Boyce.
“Është e qartë se ishte një vrasje”.
Edhe pse ka pasur vazhdimisht spekulime se mafiozët i zhysin viktimat e tyre në fund të oqeanit, duke përdorur “këpucët e çimentos”, shumë pak raste të tilla janë provuar.
Në gusht të vitit 1964 u gjet në Nju Jork trupi i Ernest Rupolos.
Edhe ai kishte dy blloqe betoni në këmbë.
Hetuesit thonë se në rastin e Martinez, kushdo që e ka bërë vrasjen, nuk ka pritur derisa çimentoja të thahej plotësisht.
Betoni u mbush me flluska ajri dhe kjo ishte arsyeja se përse trupi doli në breg.

