Prindërit shqiptar duhet të jenë më të kujdesshëm në rritjen e fëmijëve të tyre. Kjo pasi këta të fundit po ekspozohen gjithnjë e më tepër ndaj sëmundjeve problematike siç është diabeti. Dje, në Ditën Botërore kundër Diabetit, mjekët endokrinologë kanë detajuar të dhëna shqetësuese sa i takon përhapjes së kësaj sëmundje në radhët e fëmijëve, të shkaktuara në masë nga kequshqyerja, mungesa e aktiviteteve fizike, si dhe qëndrimi i fëmijëve për një kohë të gjata para televizorit.
Shifrat e raportuara tregojnë se jo pak, por rreth 10 për qind e tyre rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje kronike, e cila nëse nuk trajtohet, mbart komplikacione të rënda deri në humbje të jetës. Po sipas mjekëve endokrinologë, gjatë shtatzënisë diabeti i shfaqur tek nënat në mbi 50 për qind të rasteve kalohet edhe tek fëmija që lind.
Duke u ndalur tek faktorët që e shkaktojnë këtë sëmundje, mjekja endokrinologe Luftime Bruka deklaron se fëmijët janë kontigjent risku për t’u prekur nga diabeti pasi janë në kontakt të vazhdueshëm ndaj konsumimit të tepërt të ushqimeve me shumë yndyrë apo me shumë kalori. “Gati 10 për qind e fëmijëve janë të prekur nga diabeti. Rol të rëndësishëm tek ne luajnë dy faktorë: në radhë të parë trashëgimia dhe një faktor i rëndësishëm po bëhet tani, kequshqyerja.
“Një fëmijë që është obez, duhet të ketë gjithmonë premisa më tepër për të bërë ekzaminime se sa një fëmijë me zhvillim fizik normal. Një nënë diabetike ka 50 për qind risk më tepër për ta transmetuar te fëmija”, deklaron mjekja endokrinologe në Poliklinikën e specialiteteve numër 3.
Sipas Burkës, prindërit dhe drejtuesit e institucioneve edukative e arsimore duhet të jenë më të kujdesshëm që të ushqejnë fëmijët me produkte të shëndetshme dhe të organizojnë sa më shumë aktivitete fizike. Ndjekja e këtyre dy rregullave shihet si çelësi që mund të parandalojë përhapjen e diabetit tek fëmijët shqiptarë në masën 90 për qind.