Ai vjen drejt nesh me një biçikletë holandeze të lartë. Ka vetëm 8 muaj që e ka blerë. I është rikthyer këtij mjeti pas 35 vitesh ndarjeje. Nuk po flasim për një personazh të zakonshëm, por për një deputet të Parlamentit shqiptar, i cili në të përditshmen e tij përdor… biçikletën. Ai është Dash Peza. I vetmi që ditëve të enjte futet në oborrin e Kuvendit, jo me katër rrota, por me dy.
Biçikleta është rikthyer tek ai si një ndjesi dhe kërkesë drejt lirisë dhe të ndjerit i tillë. Një person, i cili për më shumë se 20 vite nuk i është ndarë makinës, tani ka bërë një pakt me veten. Mjeti i tij primar brenda për brenda qytetit do të jetë dyrrotaku. Në këtë bisedë me “Ditën”, Peza pranon se në fillim, edhe familjarët e panë disi çuditshëm këtë ardhje të biçikletës në familje. Madje, ka pasur nga ata që i kanë kujtuar deputetit se në Shqipëri, mjeti me të cilin ti udhëton, tregon njëlloj statusi social për ty. Që do të thotë se, sa më të mëdha t’i kesh rrotat e makinës, aq më i kamur dhe me influencë je në radhët e politikës, po edhe në shoqëri. Por, Peza ka pranuar të prekë edhe njëherë ndjesinë që të jep era ndërsa ecën në rrugë, kënaqësinë që të jep kontakti me njerëzit, takimet me ta, por mbi të gjitha, kontribuon për një mjedis më të mirë. Nëse do të shtohej një biçikletë çdo ditë në këtë vend, do të ishte fitore e madhe për mjedisin.
Kur ishte momenti i Dash Pezës për t’u kthyer mbi këtë mjet?
Duhet të ishte një gjë në subkoshiencë që më shtyu… Isha në shtëpi atë ditë dhe papritmas pyeta veten: pse mos të eci edhe njëherë me biçikletë? Duhet të jenë një tërësi rrethanash dhe arsyesh që më shtynë të marr këtë vendim, ndoshta një njeri në moshën time i kthehet biçikletës edhe për të kujtuar fëmijërinë e vet.
Shumë mund të mendojnë se e përdorni biçikletën për “t’u dukur”, është kështu?
Nga këto lloj gjykimesh e paragjykimesh nuk shpëton dot çfarëdo vendimi të marrësh, sidomos kur ke një status shoqëror të caktuar. Me biçikletë për t’u dukur, me makinë për t’u imponuar, në këmbë për të qenë ai që nuk je në të vërtetë. Është i pranishëm gjithmonë, sidomos në vendet e vogla, një lloj paragjykimi sipas të cilit fshihet një qëllim i fshehtë, vanitoz, pas çdo veprimi që individi bën në shoqëri. Ju siguroj se për rastin në fjalë vendimi ka qenë tërësisht për motive personale e jo i nxitur nga ajo se çfarë do të mendojnë të tjerët, ka qenë diçka e brendshme. Në kohën kur mora vendimin, kisha edhe probleme me peshën. Në një farë mënyre, mendoj se fakti se përse u riktheva te biçikleta është edhe një lloj proteste ndaj mendësisë se të kesh një makinë e sidomos një makinë të shtrenjtë do të thotë që ke edhe një lloj statusi social: ke një makinë të madhe, je i rëndësishëm; ke para, je i rëndësishëm. Kjo më krijon njëlloj bezdie.
Të paragjykuan në momentin e parë?
Po, edhe më paragjykuan dhe mendoj se e bëjnë. Unë kam shokë të mitë, që kur mora biçikletën, më thanë: shumë bukur, por njerëzit nuk të marrin seriozisht. Në perceptimin e njerëzve, një deputet me biçikletë nuk është i rëndësishëm. Zhvlerësohet figura e tij. Unë personalisht nuk e kam këtë problem.
Ju kujtohet koha kur e keni mësuar biçikletën?
Duhet të kem qenë 10 apo 11 vjeç, por për fat e kam mësuar në fshat, në fshatin tim, në Pezë, ku edhe kam origjinën. Më kujtohet që ka qenë një biçikletë 28-she “Mifa”, me hekur, këmbët mezi më arrinin tek pedalet e saj, saqë nuk arrija të qëndroja, as te shala e biçikletës. Më kujtohen si sot të nxirat e gërvishtjet e gjunjëve e bërrylave, por kënaqësia dhe emocioni ishte kaq i madh saqë nuk kishte asgjë që të më ndalonte, as thirrjet e të afërmve që të isha më i kujdesshëm në përpjekjet e para që kam bërë kur e kam mësuar atë.
Çfarë ndryshimi ka ky mjet nga të tjerët për ju?
Biçikleta të jep disa ndjesi që nuk i merr dot as nga motori e as nga makina. Ajo është më poetike. E para, mbi të ti e shijon peizazhin më mirë se mbi çdo gjë tjetër. Biçikleta ta jep më mirë ndjesinë e vendit ku je. Ndien të përpjetat, të ulurat, ndien njerëzit që kalojnë. Me biçikletë ti takon njerëz që nuk do i takoje kurrë po të ishe në makinë apo me një mjet tjetër. Mendoj që biçikleta është shpikja e fundit miqësore e njerëzimit me ambientin e dhe për këtë merr një vlerë të veçantë.
Jeni përplasur ndonjëherë deri më tani?
Deri tani, jo, nuk më ka ndodhur. Kam qenë shumë i kujdesshëm, pasi në Tiranë është shumë e vështirë të ecësh me të. Më duhet ta pranoj se të ngasësh biçikletën sot në Tiranë është një sfidë.
Për çfarë e përdorni më shumë?
Përpiqem që gjatë gjithë javës të mos e përdor makinën. Brenda për brenda Tiranës, udhëtoj me biçikletë duke i kursyer kështu vetes edhe vuajtjen e të gjeturit një vend për të parkuar.
“Politikanët duhet të presësh që të vdesin, për të dëgjuar ndonjë fjalë të mirë”
Ju jeni një djalë me origjinë nga fshati Pezë i Tiranës, a është komode të jetosh në fshat?
Po, e vërtetë. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, por origjina e familjes sime është nga Peza. Më pas në vitin ’90 kam emigruar në Amerikë për t’u rikthyer, më pas në Shqipëri në vitin 1996. Në vitin 2000 vendosa që shtëpinë e babait në fshat e ta restauroja, për t’u zhvendosur atje.
Është jashtëzakonisht e rehatshme të jetosh në fshat. Besoj se jam ndër të parët që mora një vendim që shkonte në kundërshtim me tendencën e përgjithshme. Kur të gjithë po linin vendet e tyre për t’u ngulur në Tiranë apo qendra të tjera urbane, unë lashë Tiranën për t’iu kthyer rrënjëve të mia dhe është e rëndësishme t’i njohësh rrënjët e tua, për të mos gabuar! Për dhjetë vjet radhazi kam jetuar atje. U bë disa kohë që jam zhvendosur në Tiranë, kryesisht për shkak të fëmijëve. Ata shkojnë në shkollë dhe pasdite ushtrohen në sportin e notit, është e pamundur që ata të realizojnë programin e tyre duke jetuar në Pezë. Unë kam 4 fëmijë: dy djem e dy vajza, dy fëmijët e mëdhenj janë bërë të mbarë e zotër të jetëve të tyre. Dy më të vegjlit, përkatësisht 17 vjeç dhe vajza 11 vjeç, janë rritur dhe duan të socializohen, kështu që e kanë më praktike të qëndrojnë këtu, për momentin. Më merr malli, shkoj pothuajse çdo fundjavë dhe mezi pres të kthehem atje një herë e mirë.
- Peza, si jeni ndier në polikë? Ju vini nga fusha e ndërtimit…
Jo, Saliu më ka bërë ndërtues! Bashkë me time shoqe kemi marrë ndërtesa me qira dhe me to kemi ushtruar veprimtari hoteliere, por nuk jam ndërtues. Në përgjithësi me këtë lloj aktiviteti jam marrë.
Një person, i cili ka një biznes të vetin, po ashtu që ka të ardhura të mjaftueshme për të jetuar mirë. Pse duhet t’i futet politikës?
Unë mendoj se çdo politikan herët ose vonë, pavarësisht nga çfarë rrethanash vjen për t’u përfshirë në politikë, do të duhet të përballet me këtë pyetje, madje vjen një ditë kur kjo kthehet në një dilemë me vetveten, nëse duhej apo nuk duhej hedhur ky hap. Është e natyrshme, mendoj, që në një vend si ky i yni, ku perceptimi për politikën dhe politikanët është negativ, pse duhet që njeriu të merret me politikë. Është paradoksale, por përçmimin për politikën e shprehin jo vetëm ata që nuk kanë aspirata për t’u futur ndonjëherë në politikë, por edhe ata që do të jepnin gjithçka për t’u bërë pjesë e saj. Por ajo që është dhe më e tmerrshmja është se janë vetë politikanët në përgjithësi që janë kontribuuesit kryesorë për të krijuar këtë perceptim negativ për politikën dhe politikanët. Në emër të luftës politike ndaj kundërshtarit, për qëllime tërësisht pragmatike, ne kemi vënë në plan të parë demonizimin e kundërshtarit duke zëvendësuar kështu debatin për politikat, për vizionin, për rrugët e përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve të gjithë shoqërisë me teknologjinë e hedhjes së baltës për kundërshtarin.
Pavarësisht këtij portretizimi kaq të deformuar, tabloje me ngjyra kaq të zymta… Kaq e kobshme është gjendja brenda sallës së Parlamentit?
Jo, nuk mund ta themi këtë. Brenda trupës parlamentare, në të dyja anët e sallës ka brenda njerëz të përkushtuar, seriozë dhe të aftë, të cilët meritojnë të gëzojnë një vlerësim të ndryshëm nga ai që është perceptimi i përgjithshëm për politikën dhe politikanët. Për fat të keq, për politikanët duhet të presësh që të vdesin, për të dëgjuar ndonjë fjalë të mirë për ta?! Për sa më përket mua, pjesëmarrja në politikë lidhet edhe me faktin se në familjen time, tradicionalisht kanë qenë të interesuar për politikën. Im atë, xhaxhai, kanë qenë pjesëmarrës aktivë të jetës politike e shoqërore të vendit, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe para e pas saj. Kjo më ka bërë që gjatë gjithë jetës sime të dëgjoj për politikën dhe zhvilloj pasionin për të. Politika, nëse ka vullnet pozitiv, mund të bëjë mrekulli për të tashmen dhe të ardhmen e një kombi.
* * *
Katër vitet e Edi Ramës në shtëpinë time në Pezë
Shkojmë tek një emër që ju ka përmendur shpesh, Sali Berisha. Ai ka folur vazhdimisht për ju, ndërsa ju ndaj atij, gjithmonë keni zgjedhur të heshtni, edhe kur ka sulmuar babain tuaj, pse?
Për Myslym Pezën, babanë tim, nuk e kam parë kurrë të arsyeshme t’i përgjigjem Saliut, pasi ai vendin në historinë e Shqipërisë e ka zënë me sakrificat dhe luftën që ka bërë për çlirimin e Shqipërisë. Myslym Peza ka hyrë në histori si njeri që i ka dhënë këtij vendi gjakun e familjes për lirinë e atdheut. Mua më intereson se çfarë thonë ata që kanë luftuar përkrah tij. Por mbi të gjitha më intereson se çfarë kanë thënë e thonë ata shqiptarë që kanë luftuar përkrah tij në luftën për çlirimin e Atdheut.
Persë më përket mua, është e vërtetë, në një farë mënyre më ka rënë shume në qafë. Çfarë nuk ka thënë, për mua e familjen time. Më ka përshkruar si ndonjë biznesmen ndërtimi, ka dhënë një imazh timin, që nuk ka lidhje fare me atë që jam në të vërtetë. Megjithë këto, asnjëherë nuk kam menduar se detyra ime në politikë është se si u kundërvihem unë akuzave të paskrupullta e pa asnjë bazë të Saliut. Njerëzit nuk i zgjedhin politikanët për t’u sharë me njëri-tjetrin, ata presin nga politikanët për të parë se çfarë ata bëjnë për të përmirësuar jetën e tyre. Po ashtu kam gjykuar se mosreagimi im i ka shërbyer mostjerrjes gjatë të këtyre shpifjeve. Për gjuhën e përdorur dhe shpifjet e ulëta i jam drejtuar gjykatës, me shpresën për të marrë drejtësi, por drejtësi nga gjykata nuk mora, çështja as nuk u gjykua.
Po pse ju ka sulmuar ju Berisha kaq shumë, e keni pyetur veten?
Berisha ka si kriter të vlerësimi për njerëzit, faktin nëse i shërben qëllimeve të tij ose jo. Berisha nuk është njeri me bindje. Ai nuk është as i majtë, a si djathtë, as komunist, as antikomunist, as liberal e as konservator; as nacionalist, as i shitur tek të huajt. Ai është Sali Berisha dhe projekti i tij e ka emrin Sali Berisha. Në rrugën për të arritur qëllimin e tij, ai mund të shndërrohet në gjithçka dhe t’i kundërvihet gjithkujt e gjithçkaje pa kursyer asgjë e askënd. Nëse i intereson atij, nga Enver i shtrenjtë, kthehesh në Enver të zi; dhe nga Kaçi i zi, bëhesh Kaç-demokrat.
Historia e Shqipërisë është e mbushur me figura politike, të cilët e kanë drejtuar këtë vend, që në qendër të projektit të tyre politik kanë pasur vetveten dhe jo Shqipërinë, përfshi këtu Zogun, Esat Pashë Toptanin, Enver Hoxhën etj. Por si prind, një gjë më ka bërë përshtypje: asnjë nga paraardhësit e tij nuk i ka bërë fëmijët pjesë të projektit të tij. Në këtë pikë, Saliu nuk kursen askënd, as fëmijët as nipërit e as mbesat e tij.
Ai sot që nuk është as kryetar i Partisë Demokratike, por vetëm një deputet i thjeshtë i Kuvendit të Shqipërisë, nuk heziton ta tërheqë me përdhunë Partinë Demokratike në vorbullën e projektit të tij personal.
Shembuj?
Në rastin e debatit për lëndët kimike e kam parë me sytë e mi, në Parlament, sesi e hoqi “zvarrë” PD-në në rrugën e refuzimit të sjelljes së tyre, jo se mendonte se kjo ishte një rrezik për Shqipërinë, por se mendonte se ashtu i voliste atij në atë moment. Po ashtu, në rastit e debatit për reformën territoriale administrative, shkoi deri aty sa të thoshte se kjo reformë nuk i duhet Shqipërisë se as Franca nuk e ka bërë, duke ju kundërvënë hapur programit të qeverisë së vet të vitit 2005.
“Beteja” e tij në Parlament nuk ka si qëllim primar kundërvënien ndaj mazhorancës, por mbi të gjitha u drejtohet të vetëve që as të mos guxojnë ta mendojnë një opozitë ndryshe. Edhe pse e ka emëruar vetë, ai trembet se mos z.Basha dhe të tjerët mund të shqyrtojnë mundësinë e një opozite ndryshe dhe ai nuk mund ta tolerojë këtë gjë. Në këtë moment për të nuk është primar suksesi i Partisë Demokratike, por axhenda e Sali Berishës.
Cila është lidhja juaj sot me Edi Ramën?
Ai sot është kryeministër, unë jam një nga deputetët e Partisë Socialiste. Marrëdhëniet janë më institucionale.
Gjithsesi ju keni qenë mik i tij…
Po, por aspekti institucional fillon e merr një peshë tjetër. Unë e respektoj, ruaj brenda vetes kujtimet e një miqësie 30-vjeçare me të dhe familjen e tij, por sot unë jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndiej në radhë të parë përgjegjësinë ndaj zgjedhësve të Partisë Socialiste dhe sesi të bëj punën time duke qenë shërbëtor besnik i vendit tim.
Edi Rama ka banuar në Pezë tek ju?
Po, për katër vite i kam hapur derën e shtëpisë. Në 2006, Edi jetonte në një apartament me qira, pranë Rrugës së Kavajës. Nga disa informacione mora vesh se ndaj biznesmenit që kishte dhënë apartamentin me qira po përgatiteshin veprime ndëshkuese për shkakun se i kish lëshuar këtë apartament Edi Ramës. E biseduam së bashku me Edin dhe ramë dakord që të vinte në Pezë, me qëllim të shmangnim çdo vendim të mundshëm “ndëshkues” në drejtim të personit në fjalë.
E ardhmja juaj është politika?
Si perspektivë po merr terren gjithmonë e më shumë dëshira për t’u kthyer në Pezë e të filloj të ndërtoj një projekt duke vazhduar traditën e familjes, një projekt që ka të bëjë me rrënjët e mia, familjen, natyrën, fermën, dhe gjërat që lidhen me fshatin.
