Kërcimtari fluturues Rexhep Çeliku

Ornela

Fitim Çaushi

Rexhep Çeliku, biri i një çiraku gjirokastrit në nxjerrjen dhe gdhedjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si “Kërcimtar fluturues”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Një punëtor shembullor në uzinë, falë aktivizimit të tij në grupet amatore dhe fizikut të përshtatshëm të një kërcimtari me perspektivë, evidentohet nga mjeshtri Panajot Kanaçi si talenti që do të zëvendësonte valltarin shqiponjë  Besim Zekthi. Pas konkursit, emërohet solist në Ansambël dhe rruga artistike e tij do të jetë gjithmin në rritje.

Me një punë të vazhdueshme, të lodhshme, me një përkushtim dhe vullnet shembullor për artin, mbështetur mbi vlerat e trashëgimisë artistike në fushën e vallzimit, Rexhep Çeliku përvetëson thellë nektarin e shpirtit shqiptar dhe prezantohet me vlerat e një kërcimtari që do të pushtonte skenën. Panajot Kanaçi i besoi rolin e solistit në vallet e luajtura nga Besim Zekthi me partneret e mirënjohura Lili Këlliçi, Lefta Mullisi, Veronika Mone, etj.

Në vititn 1975 iu besua detyra e solistit në “Vallen e Prespës”. Në vazhdimësi do të interpetojë me “Artisten e Merituar” Lili Cingu, duet i mirëpritur nga spektatori si “Dy shqiponja që fluturojnë duke kërcyer”.  Spektatorët duartokisnin dhe ndjenin kënaqësi artistike dhe estetike, veçanërisht në  interpretimet e tij tek “Vallja e shqipeve”, “Luftëtarët e lirisë”,valle me motive të Dibrës, me motive të Çamërisë, me motive korçare, valle me motive të Tropojës, ”Djemtë e fshatit”, valle gorarçe, valle me motive të Kukësit, “Dueti i shqipeve”, “Dashuri e zjarrtë cigane”, “Maratonomaku”, “Bilbilenjtë”, “Dasmë tiranase”, etj. etj.

Gjatë turneve dhe konkurimeve jashtë shtetit, nga media dhe peronalitete të ndryshme, është cilësuar si valltar me cilësi të larta atistike. Në 17 qershor 2001, Rexhep Çeliku shkëlqeu në maratonën koreografike, “Kërcimtari fluturues”,me koreografi të Agron Aliaj dhe partnere Brikena Jaupaj, e cila zëvëndësoi denjësisht  Lili Cingun.

Në krijimtarinë e vet artistike Çeliku mishëron  një galeri figurash dhe karakteresh nga vallet e trevave të ndryshme të Shqipërisë etnike. Lëvizjet burrërore, karakteri i kërcimit fluturak,  finesa dhe plastika e zhdërvjellët, plot figura koreografike që sjellin emocione dhe kënaqësi estetike,  kanë qenë disa nga motivet që e bënë të dashur figurën e tij tek mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve shtetërorë. Arritja e pjekurisë artistike e ndihmoi Çelikun të merrte pjesë në baletet “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqe në skena të ndryshme në tre kontinente, ka marrë pjesë në 30 festivale ndërkombëtare, ka interpretuar në 3000 shfaqe artistike; ka merituar dhjetë Çmime të para “Si interpetuesi më i mirë”.

Përveç punës si solist i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Rexhep Çeliku ka kontribuar edhe si koreograf në trupat amatore: me grupin e studentëve universitarë, me grupin e Kombinatit të Tekstileve Tiranë, me grupin e Kombinatit “Josif Pashko”, me grupin e nxënësve të shkollave të mesme., me Ansamblin e Strugës,, me  Ansamblin “Shote Galica”, Prishtinë dhe Drenas. Gjithmon i palodhur dhe vazhdimisht modest në komunikimin me punëtorët dhe nxënësit e shkollave me të cilët punonte.

Ka punuar si pedagog në Akademinë e Dancit Shqiptar dhe prej shumë vjetësh drejton trupën e Ansamblit Shtetëror si koreograf i saj. Dhjetra dashamirës të tij, të cilët e adhuronin në shëtitje, nëpër lokale, bisedonin ngrohtësisht dhe i shprehniun atij mirënjohje pa kufi. Shumë nëna, që shoqëronin fëmijët, i drejtoheshin për një fotografi. Është shpirtërisht i lidhur me popullin e tij.

Në shtator të vitit 2010, me Xhepin ishim caktuar në jurinë e Festivalit Folklorik të Drenasit në Kosovë. Gjatë pesë ditëve të festivalit ndjehej i ngazëllyer. Pas paradës së kostumeve,  festivalistët hynin në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, vallzonin në formën e një trëndafili, mes të cilit qëndronin instrumentet muzikore.

– Shiko, –tha Xhepi – një univers vallesh. Sa elegancë, shije, finesë, gjallëri dhe jetë, bukuri dhe art, ç’thesare të rralla kanë ardhur prej shekujve, si dëshmi e pasurisë shpirtërore të popullit tonë! Ky është emocion i rrallë, një herë në katër vjet na jepet rasti të shikojmë këtë manifestim mahnitës.

Xhepi ndjehej i emocionuar dhe përjetonte një kënaqësi të rrallë! Shprehte përjetimet e tij në mënyrë entusiaste dhe shpesh shtrinte mustaqet. Kjo më kujtoi një “konflikt” të tij me drejtorin e TOB, i cili i kishte dhënë urdhër të hiqte mustaqet, ose do të pushohej nga puna. Xhepi s’kishte pranuar dhe situata ishte acaruar. Zgjidhjen e dha një rastësi. Në një koncert kishte marrë pjesë Enver Hoxha, gjatë shfaqes ishte shprehur:

-Sa bukur kërcen ai djali, po sa i shkojnë edhe mustaqet!

Drejtori, që e shoqëronte në lozhën qendrore, pas koncertit i thotë Xhepit:

-Të rrofshin mustaqet, mos i hiq, se i pëlqeu edhe udhëheqja!

Gjatë ditëve të festivalit dhjetra dashamirës të tij, të cilët e adhuronin, i drejtonin gjithfarë pyetjesh gjatë bisedave dhe e falënderonin. Atje pashë se sa e donte populli artistin. Biseda e filluar atje, te lokali i Roshes, vazhdonte edhe në Drenas. Pata rastin të njihem veçanarisht me shumë detaje të turneve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore nëpër botë.  Ishte  kënaqësi të dëgjoja emocione të bukura nga mbresat e tij, të cilat më shëtitën ato  ditë në disa kontinente.

Në kujtimet për këto koncerte jashtë shtetit, elektrizohej i tëri, e qeshura e tij hapte krahët si ajo lulja që shtrin petalet e saj në të rënë të diellit. Fytyra paksa e zgjatur me vetullat e zeza, shashaqe nxirë, sikundër i thonë nga Labëria, dhe sytë si dy xixëllonja, përcillte një hare që të freskonte shpirtin. Komunikonte me të gjithë që vinin për ta takuar, sikur i kishte njohur prej kohësh, duke krijuar një atmosferë miqsh. Me të qeshurën e tij krejt të natyrëshme dhe zërin  që e spostonte në regjistra të ndryshëm, e dëgjonim me vëmendje të madhe sepse kujtimet e tij ishin plot emocione. Vura re se disa prej kosovarëve në lokal u përlotën. Ata e ndienin thellë atdhetarinë që përcillte ky ansambël tek shqiptarët nëpër botë. Një mjek që e kishte emrin Arsim, e që ato ditë kishte qenë vazhdimisht me ne, pa na u ndarë asnjë çast, na ftoi në shtëpi. Respekti ishte i madh nga e gjithë familja. E kush nuk e njihte Rexhep Çelikun! E bija e doktorit, farmaciste, i fliste Xhepit për të gjitha vallet dhe baletet e Ansamblit Shtetëror dhe TOB. I njhte artistët me emra e veçanërisht Besim Zekthin e adhuronte… Kur filloi të fliste për Panajot Kanaçin, Xhepi e ndërpreu dhe filloi të tregonte:

-Organizohej një festival ndërkombëtar në Sardenjë, një ishull shumë piktoresk që na la mbresat e një vendi të qetë dhe dashanirës të artit. Ishim mobilizuar emocionalisht që koncerti të kishte një tingull të qartë shqiptar. Në prag të koncertit na vjen lajmi se ka vdekur Panajot Kanaçi. U prekëm shumë dhe filloi e qara. Nuk mbahej ngashërimi. Askush nuk ishte në gjendje të ngushëllonte tjetrin… ishim para koncertit. Drejtuesi i programit u interesua se ç’kishte ndodhur. Pasi u informua, i prekur thellë na ngushëlloi të gjithëve me shumë etikë, dhe doli para spektatorëve me një ton të dhimbshëm:

-Zotërinj jam i detyruar t’ju vë në dijeni se 20 minuta më parë artistëve shqiptarë, që do të interpretojnë sot për ju, u ka ardhur  lajmi i vdekjes së baletmaestrit të madh dhe udhëheqësit artistik të këtij Ansambli, Artistit të Popullit, Panajot Kanaçi. U lutem zotërinj  të gjith së bashku le të mbajmë një minutë heshtje për të nderuar artistin e madh.

Të gjithë u ngritën në këmbë, një heshtje e thellë  sundoi në të gjithë sallën. Na tërhoqi vëmëndjen një grup i madh gjeneralësh dhe kolonelësh të vendosur në rrjeshtat e para. Ata ngritën dorën në shenjë nderimi ushtarakisht dhe mbas homazhit u ulën. Kjo ishte nje befasi për ne, që po kalonim çaste ngashërimi.  E kuptuam, respekti i tyre për ne, ishte i madh, nderimi i tyre na detyroi shumë dhe na bëri të përqëndrohemi, për t’ua shpërblyer artistikisht,  këtyre spektatorëve të kulturuar. E filluam koncertin me vallen “Vallzimi i shqipeve” Prezantuesi  theksoi para spektatorëve, se koreografia e kësaj valleje ishte pikërisht e artistit që sapo nderuam. Nuk arriti të mbaronte vallja dhe salla u ngrit në këmbë me duartrokitje  të stuhishme, ata u bindën se kishin nderuar me të vërtet një artist të madh.

Xhepi tregonte dhe dukej se mallëngjimi i asaj kohe i ishte rikthyer, ai kishte për profesorin e tij një respekt që shkonte deri në adhurim, një mirënjohje të thellë që do ta shoqëronte tërë jetën…

 

Share This Article
2 Comments
  • Falenderim per kete reportazh fantastik!
    Shkrim me te vertete emocionues. Artistet jane shpirti i nje kombi…Ata jane perfaqesuesit me dinjitoze te ketij shpirti brenda dhe jashte vendit, prandaj te gjithe meritojne respekt, nderim dhe dashuri te pakufishme.
    Faleminderit ”DITA”, falenderime z. Fitim Caushi! Per shkrime te tille ka nevoje lexuesi juaj. Suksese te metejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *