Dje në Tiranë ndodhi një vrasje tjetër. Krimi po bën kerdinë kohët e fundit dhe, për këtë nuk ka përse as shfajësohet policia e shtetit, vet qeveria, organet e pavarura si prokuroria, SHISH e strukturat e tjera. Shkaqet mund të jenë të ndryshme. Ato përgjithësisht kanë një të kaluar problematike, një të kaluar kur i ashtuquajturi “shteti ligjor”, lejonte që tokat të pushtoheshin si me shaka, kur ndërtimet pa leje të mbinin si kërpudha, kur minierat të copëtoheshin mes militantësh, kur gjakmarrja u pranua si akt i trashëguar, si të ishe një jelek tradicional që duhet veshur kur ndihemi keq.
Por të gjitha këto, besoj, do të ishin shumë më të pakta, më të vakta, më të “pranueshme”, më të zbulueshme, më të dënueshme, sikur ky vend të mos administrohet nga copëza të krimit politik. Mbrëmë një ish-president, një ish-kryeministër, një politikan, një mjek i njohur, hedh në facebook idenë kriminale se vrasjet e kohëve të fundit janë të organizuara nga qeveria që ka ardhur në pushtet, me synimin për t’i eliminuar ata për të mos treguar krimet e bashkepunimin me këto banda që sot eleminohen..Më shkoqur nuk flitet për të krijuar menjëherë një aktakuzë për disa qveritarë të cilët Berisha i di mirë.
Nuk e di në se kjo akuzë brutale mund të quhet opozitë, nuk e di në se mund të quhet politike, pa përmendur fare fjalën në se është morale. Nuk e di në se demokracia e vërtetë funksionon me të vërtetë kështu. Nuk e di nëse mllefi për rrëzimin nga froni mund të arrijë në këtë shkallë urrejtjeje për kundërshtarin.
Nuk di gjithashtu në se ka në këtë vend një organ drejtësie të pavarur, ligjor, që zbaton kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi të mos e “ftoj” zotin Berisha sot, jo më vonë, të dëshmojë për akuzën e tij tronditëse, nuk e di nëse ka përgjegjësi dikush në këtë vend që kur ky Berish bën thirrje për rrëzimin e qeverisë përmes dhunës, sikundër përsërit nënkryetari i PD, zoti Basha, të mos merret së paku në pyetje nga prokuroria e shtetit.
Krimi në Shqipëri është injektuar nga politika konfliktuale, me gabimet e saj të tmerrshme kundër kundërshtarit, me personalizimet familjare prej rrugaçësh, me klithjet për hakmarrje të tipit diktatorial, me akuza për një kohë të perënduar, siç ishte periudha e socializmit totalitar, ( nuk ka pasur kurrë komunizëm në Shqipëri). Publikime në facebook të Berishës u ngjajnë trakteve politike të kohës së Luftës kur jo vetëm bënin thirrje për të vrarë sa më shumë armiq, por edhe të justifikoheshin këto vrasje. Por kohërat e luftrave kanë pak ligje për të zbatuar.
Në një shtet anëtar i NATOS,- cilëtdo të jenë shkaktarët e kësaj gjëndjeje të tmerrshme vrasjesh, grabitjesh, imoralitetesh, dobësim të gjëndjes ekonomike të popullit shqiptar, dikush- individ apo organ kushtetues, Kuvendi, Presidenti, Qeveria, Shoqëria Civile, shtypi e televizionet ta çveshin lakuriq e ta dënojmë së fundi këtë armik të madh të së sotmes e së ardhmes të këtij vendi, kushdo qoftë ai! Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme me këtë injektim të urrejtjes patologjike të gjysmës së popullit të saj, kundër gjysmës tjetër.!
Letër në redaksi nga
Mihallaq Qilleri

Kini shume,shumë të drejte mihallaq!