Gjatë periudhës nëntor 2007 – korrik 2013, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) ka shqyrtuar rreth 1200 dosje privatizimi dhe koncesionesh. Vetëm për privatizimin dhe dhënien me koncesion për ndërtim të ri hidrocentralesh janë regjistruar 727 kërkesa. Qeveria ka dhënë 388 koncesione në energjetikë. Nga këto, janë vetëm 53 hidrocentrale të vogla e të mëdha që funksionojnë ose janë në fazën e ndërtimit. Më pak se 18 përqind e totalit. Aktualisht të gjitha hidrocentralet e dhëna me koncesion mezi sigurojnë 1 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike.
Nga viti 2006 e deri më sot, nga biznesi vendas dhe i huaj janë marrë 110 koncesione për ndërtimin e rreth 390 HEC-eve, me fuqi të instaluar prej 1,300 megavatesh dhe me vlerë investimi prej rreth 3 miliardë euro. Deri tani, vetëm 10 prej tyre kanë përfunduar së ndërtuari dhe kanë lidhur kontratë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sot vendi shfrytëzon vetëm 40 për qind të burimeve hidrike të tij, për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Potenciali është kolosal. Por mundësitë që ofrohen nuk janë shfrytëzuar aspak gjatë tetë viteve të fundit. Në të kundërt, këto potenciale kanë ngelur peng zyrtarësh të korruptuar ose të paaftë. Situata është gati katastrofike. Për pjesën dërrmuese të koncesioneve nuk është realizuar investimi, ose ka pasur vonesa të mëdha. Janë identifikuar rreth 15 raste kur kompanitë kanë rezultuar “fantazmë”. E gjithë kjo përkthehet në para që qëndrojnë të bllokuara dhe nuk janë injektuar në ekonominë e vendit. Në këtë mënyrë pasuria kryesore e kombit është mbajtur peng.
Arsyet e dështimit
Po cilat janë arsyet? Çfarë nuk ka funksionuar si duhet në shfrytëzimin e burimeve hidrike, pasurisë kryesore të vendit? Zhvillimi i një koncesioni kalon në disa faza që ndahen në: fazën e përzgjedhjes (identifikimi dhe përzgjedhja e koncesionarit) që përfshin ndër të tjera zhvillimin e procedurës konkurruese dhe përfundon me lidhjen e një kontrate koncesioni dhe në fazën e zhvillimit të projektit koncesionar (ndërtimin, operimin) e cila përfshin financimin, marrjen e lejeve, shfrytëzimin (që në vetvete lidhet me marrjen e licencave dhe lidhjen e kontratave të shitjes së energjisë, me tregun në vend e rajon dhe përfundon me transferimin e këtij projekti pranë autoritetit kontraktor shtetëror. Çdo hallkë e procedurës ka problematikën e vet që ndikon në realizimin e një projekti koncesionar. Por më tepër se vështirësitë teknike, koncesionet shqiptare i ka penalizuar diletantizmi, mungesa e plotë e përvojës së kompanive që u janë dhënë këto koncesione. Shumë kompani, me pronarë të afërm apo miq të Kryeministrit apo ministrave të mëparshëm, janë formuar shpejt e shpejt, duke nxituar të garojnë dhe kanë parë t’u jepet koncesioni brenda afateve shumë të shkurtra, duke qenë tërësisht të papërgatitur përballë sfidave të zbatimit të një kontrate koncesionare. Kompanitë e kanë pasur të fjetur mendjen dhe nuk janë përpjekur shumë, duke shpresuar se çdo vështirësi do t’ua zgjidhë “Miku” aty lart në qeveri. Ose e kanë marrë koncesionin thjesht për ta patur si letër që t’ua shesin me një fitim të majmë, investuesve të vërtetë. Prej këtej, shumica e koncesioneve janë të parealizuara dhe rezultojnë me vonesa të jashtëzakonshme, përtej kushteve të kontratave. Një pjesë e madhe e projekteve nuk e kanë pasur të parashikuar fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për zhvillimin e tyre. E drejta e koncesionarit për të kërkuar shtyrje afati për investimet e tij është përdorur nga 92 përqind e kompanive fituese. Kjo e drejtë varion nga 12 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri ne 5 MË, deri në 24 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri me 20 MË. Rreth 70 përqind e koncesioneve rezultojne me vonesa përtej këtyre afateve ligjore. Pavarësisht garancive që jep autoriteti kontraktues për lidhjen e kontratave të shitblerjes së energjisë nga subjekti shtetëror i furnizimit me energji elektrike, fakti është që shoqëritë koncesionare mund të vendosin asetet e tyre si garanci për marrjen e financimeve (si edhe e drejta e financuesit për zëvendësimin e koncesionarit në rast shkelje serioze të kontratës nga koncesionari), nuk kanë rezultuar garanci të mjaftueshme për shumë prej projekteve. Në dhënien e financimeve ndikon edhe gjendja e tregut të energjisë elektrike. Shqipëria ka ende shumë vështirësi në eksportimin e energjisë (projektet e linjave 400 kV që lidhin Shqipërinë me vendet e rajonit janë akoma në fazën e zhvillimit. Njëra syresh ka dështuar, me tërheqjen e bankës shtetërore gjermane që financonte, pse ish-qeveria jonë kërkonte që paratë e financimit t’i merrte kompania vendase që donte ajo). Nga ana tjetër mundësitë e financimit nga bankat brenda dhe jashtë vendit janë të pakta, për shkak të krizës financiare që po kalon Eurozona. Të gjendur në këto kushte, shumica e shoqërive koncesionare (të krijuara brenda afatit 30 ditor nga data e hyrjes në fuqi e kontratave koncesionare) kanë mbetur vetëm në letër, pa zhvilluar aktivitet dhe në pritje që pronarët e tyre (koncesionarët) të gjejnë investitorët e duhur, të cilët do të ndërhyjnë për zbatimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
Pasiviteti i qëllimshëm i qeverisë
Ligji për koncesionet parashikon që në rast mosrespektimi të afateve në kontratë, qeveria apo autoriteti kontraktues (METE) kanë të drejtë të aplikojnë një sërë sanksionesh kundrejt koncesionarëve, deri edhe në prishje në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave. Kjo duhet të kishte ndodhur që në vitet 2009-2010, kur u vunë re vonesat e tejskajshme të para. Ndodhemi përpara faktit që sot shumica e projekteve të koncesioneve të dhëna kanë rezultuar të pasuksesshëm. Bëhet fjalë për investime që minimalisht llogariten në 1 milion euro për çdo megavat të instaluar. Në një kohë kur nuk mungojnë vonesat skandaloze, kur paraja qëndron e bllokuar dhe nuk arrin të hidhet në qarkullim dhe kur pasuria kombëtare mbahet peng (burimet hidrike nuk shfrytëzohen), zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës asnjëherë gjate këtyre 6-7 viteve që nga hapja e lojës me koncesionet, nuk kane dhënë afate të qarta për përfundimin e ndërtimit të HEC-eve. Ata kanë nxjerrë lloj-lloj arsyesh gjoja teknike, por arsyeja kryesore qëndronte tek frika e zyrtarëve të këtij dikasteri për hakmarrje ndaj tyre, në rast se bëjnë publik apo propozojnë sanksione ndaj koncesionarëve miq të Kryeministrit apo një ministri të fuqishëm. Normalisht, nëse qeveria do të kishte qenë e përgjegjshme, me këtë ritëm të mbarëvajtjes se koncesioneve të deritanishme në energjetikë, më shumë se gjysma e tyre duhej të ishin revokuar, për mosrespektim të kushteve të kontratës. Ky pasivitet i reagimit qeveritar ka paralizuar një treg që do të kishte mundur të ishte shumë më produktiv e me hapje vendesh të reja pune, nëse koncesionet do t’i kishin marrë kompanitë vendase dhe të huaja me përvojë dhe me kapitale për të investuar.
Opinioni shqetësues i donatorëve
Një nga bankat ndërkombëtare më aktive për financime në sektorët premtues të ekonomisë sonë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Drejtuesi i saj në Shqipëri, Fabio Serri është shprehur për fenomenin e HEC-eve shqiptare se “ajo që vihet re me shqetësim dhe që kërkon zgjidhje është mungesa e një ekspertize të saktë për projektet e HEC-eve të vogla lokale dhe kjo lidhet me eksperiencën e pakët që kanë kompanitë shqiptare. Kjo situatë pa dyshim që ndikon në procesin e kreditimit nga bankat“. Mungesa e përvojës ndikon negativisht në plotësimin si duhet të dosjeve, përgatitjen e studimeve mjedisore etj. Në këto kushte, BERZH sugjeron patjetër lidhjen e partneritetit me kompani të huaja të specializuara private, në të kundërt qeveria duhet të ndërhyjë për të asistuar firmat shqiptare. Por qeveria jonë deri tani ka bërë sehirxhiun. Indiferenca vrastare e qeverisë dhe politika e saj klienteliste ka larguar investuesit e paktë serioze të huaj. Kështu, në 40 HEC-et që do të prodhonin energji me një kapacitet 140 MË, kanë filluar pune vetëm një apo dy të tillë. Investuesit e huaj në Kalivaç po largohen pa filluar ende. U bënë tetë vjet dhe nuk u arriti të fillohej ndërtimi.
Një pjesë e mirë e HEC-eve të vegjël, përveçse do të prodhonin energji, do të përdoreshin edhe për normalizimin e sistemit të vaditjes, si dhe të rregullimit të ambientit, duke zvogëluar sadopak ndotjen të cilën e gjen kudo, në fshat dhe në qytet. Por çfarë rezulton nga monitorimi i tyre? A zbatohen kriteret për të cilat janë dhënë dhe licencat? Përse nuk vazhdon ndërtimi i HEC-ve të tjerë për të cilët janë dhënë koncesionet? A janë shkelur kufijtë kohorë? Kush mban përgjegjësi dhe a janë vendosur personat përgjegjës para ligjit dhe koncesionarët para penaliteteve të kontratave?
Askush nuk flet tek METE, por sigurisht që ata nuk flasin për punën e tyre, sepse i tillë është drejtimi që bëhet në këto ministri, bashkë me njerëzit që punojnë në to. Një pjesë e personelit të administratës është e paaftë, një pjesë e kryen shumë mirë detyrën e korrupsionit, një pjesë tjetër nepotike, një pjesë ka marrë një dokument të PD-së dhe deri tani eshte mjaftuar me rrogën që ka marre për të ngrënë vetëm bukë.
Dështim epokal
Në sistemin energjetik, qeveria e ikur dështoi totalisht. Modeli i dështimit ishin kontratat jotransparente, të manipuluara e të korruptuara të koncesioneve. Edhe më i korruptuar dhe i papërgjegjshëm ishte menaxhimi i këtyre kontratave nga ana e qeverisë. Për të përfunduar në privatizimin skandaloz të 4 HEC-eve të mesëm, të cilët sapo kishin përfunduar ristrukturimin me paratë e taksapaguesve shqiptarë, dhe praktikisht gati iu falën privatit, sikur të ishin mall pa zot.
Provat janë të qarta, asnjë përfitim real nga pasuritë e mëdha të prodhimit të energjisë nga burime ujore nuk ka ndier deri tani ekonomia dhe qytetari. Problemet janë përkeqësuar, çmimi për energjinë ka pasur një rritje të përshpejtuar, me të lartë se kurrë. Cilësia e energjisë së blerë vazhdon të ketë probleme. Disa objektiva ekonomike, siç janë investimet e deklaruara në momentin e privatizimit, ulja e humbjeve teknike dhe joteknike, efektet sociale me punësimin apo raportet me ambientin, vazhdojnë të mbeten detyrime të paplotësuara.
4 HEC-et e shitura për të mbuluar borxhin ndaj biznesit
Nëse pjesa e madhe e pasurive hidrike janë dhënë me koncension, skandali i qeverisë së kaluar shënoi kulminacioni e vet pak kohë para zgjedhjeve parlamentare me shitjen e 4 HEC-eve. Për të mbuluar borxhin e TVSH-së që i kishin Kurum dhe për të kthyer ndonjë porxh për biznesin, akumuluar në vite, këto katër HEC-e u shitën për dy kacidhe. Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, ju dhanë kompanisë turke Kurum International, kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës. Në vendimin e qeverisë të dalë në mars të këtij viti thuhej se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 9, të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ligjit nr.93/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a”, dhe të ligjit nr.94/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që “kufiri i shpenzimeve kapitale, miratuar në ligjin nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe shpërndahet në nivel programi, sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi”. Po në këtë vendim thuhet se “niveli i deficitit buxhetor, miratuar me ligjin nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe, njëkohësisht, financimi i deficitit buxhetor nga të ardhurat e privatizimit shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë. Me anë të këtij vendimi, kjo pasuri u shit dhe paratë e saj shkuan për “dhjam qeni”, pasi dhe bizneset që “u kompensuan” ishin preferencialet e qeverisë së ikur e që mbuluan shpenzimet e fushatës zgjedhore.
* * *
Katrahurë me koncesion
Redaksionale
“DITA” sjell sot në vëmendje disa aspekte të rëndësishme të atyre që quhen “koncesionet energjetike” në dy mandatet e qeverisjes Berisha. Nuk janë gjë tjetër veçse licenca që i janë dhënë biznesit për të shfrytëzuar prurjet masive të lumenjve dhe burimeve ujore në Shqipëri në ndërtim Hidrocentralesh dhe prodhim energjie nga sektori privat koncesionar. Ishte një lëvizje që kur u ndërmor nga Berisha premtoi një revolucionarizim dhe një rritje galoponte të sektorit të energjisë në Shqipëri. Në fakt në lidhje me energjinë, Berisha ka lëshuar dhe thagma me “superfuqi rajonale e energjisë atomike” çka flet qartë për euforinë dhe tullumbacet krejt pa lidhje me realitetin të ish-kryeministrit e ish-qeverisë. Por a ishte vetëm kaq? Ishte thjesht eufori? Nuk ka diskutim që deklaratat janë të tilla, por strategjia e aplikuar në terren flet për një element që e tejkalon euforinë. Flet për një skemë të organizuar për të prodhuar katrahurë, ose më saktë për të investuar miliona në prodhimin e katrahurës. Në këtë skemë, ku bizneset u joshën me premtime për investime të kishe një HEC, dukej sikur ishe biznesmen që ndiqje modën, ishe një biznesmen “kontemporan”. Disa prej tyre morën dhe kredi, u zhytën në borxhe tek bankat dhe jo vetëm, për të nisur e përfunduar ndërtimin e hidrocentraleve. Por ku do e shisnin energjinë që do prodhonin? Problemi nuk është të prodhosh, por të sigurosh tregjet. Për më tepër, vetë tregu i energjisë, konsiderohet si tregu më i vështirë për depërtim pas tregut bankar. Është treg strategjik, nuk mjafton të kesh lekët dhe vullnetin, duhen dhe ca “gjëra” të tjera për ta depërtuar. Po nëse supozojmë se dhe kjo vështirësi domethënëse u trajtua me eufori, çfarë mund të themi për “bursën e letrave të koncesioneve”? Dihet mirë se njerëz të lidhur me qeveritarë të lartë apo me funksionarë të lartë të Ministrisë së Ekonomisë në 8 vitet e fundit, siguronin licencat e koncesioneve dhe më pas dilnin në rrugë të madhe për t’ia rishitur këto letra biznesmenëve që donin të investonin. Pra u krijua tregu i sekserëve të koncesioneve. Edhe këtu eufori ishte? Vështirë të ketë pasur eufori në këtë pikë, sekserët punojnë me para në dorë dhe jo me pasione. Ndaj dhe bëhet e qartë se sot kur hidrocentralet janë një mish-mash letrash, licencash dhe veprash gjysmë të përfunduara apo të përfunduara por pa treg shitje, të fituar kanë dalë vetëm ustallarët që thithën të ardhura nëpërmjet sekserëve të tyre. Në sektorin energjetik na lanë katrahurën, por katrahura u desh të vinte nëpërmjet koncesioneve, koncesionet nëpërmjet licencave ekskluzive, licencat nëpërmjet sekserëve dhe sekserët nëpërmjet miliardave. Me pak fjalë për 8 vite kemi blerë belanë sa frëngu pulën. Të vetmit të fituar duken ata që futën lekët në xhep duke shitur licenca. Janë të njëjtët që çdo ditë na kujtojnë skenarin “Papandreu”. Xhepat i kanë plot, ndonëse po vajtojnë që tani rrënimin e paralajmëruar ekonomik. A thua ta kenë nga euforia dhe vajtimin demokratas?

Bukur e ke trajtuar kete punen e hidrocentraleve znj.edlira! Por per kete mishmash duhej te jepje disa zgjidhje? Ja p.sh une them t’ju hiqen licencat atyre qe nuk kane filluar dhe atyre qe i kane shitur për te fituar(t’ju meren paratê). Une nuk jam specialist por ju duhej te jepnit disa zgjidhje per menyren e sjelljes me spekullantêt?