Eliminimi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë nga Kukësi nuk është përtypur aspak mirë në shtëpinë e Teutës, pasi klubi durrsak ka pretendimet e tij se goli i dytë i ndeshjes i realizuar nga Renato Malota që u dha kualifikimin verilindorëve ishte e parregullt.
Për këtë arsye drejtuesit e Teutës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Etikës, duke u kërkuar këtyre të fundit shkarkimin nga detyra të kryetarit të caktimit të arbitrave, Tahir Kastrati.
Arsyeja që klubi i Teutës i është drejtuar Federatës me një kërkesë të tillë ka të bëjë me faktin se gjyqtarët janë bërë faktor kryesor në disa prej ndeshjeve të skuadrës durrsake gjatë këtij sezoni, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultat.
Në sfidën e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në rastin e golit të realizuar nga kapiteni i Kukësit, Renato Malota, futbollistët dhe stafi teknik i Teutës pretenduan për një faull të Izair Eminit ndaj portierit Moçka, por nuk ndau të njëjtin mendim me ta arbitri Lorenc Jemini, i cili lejoi vazhdimin e lojës.
Pas atij goli tensioni në fushë u rrit ndjeshëm aq sa zëvendëstrajneri i durrsakëve Klodian Dervishi ofendoi gjyqtarin Jemini, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga ky i fundit.
