Edhe në rastet e aplikimeve online për ndryshimin e qendrës së tërheqjes së pensionit, duhet të bëni kujdes që dorëzimin e dokumenteve shoqëruese pas përfundimit të procedurave online ta bëni edhe në rrugë postare. Në të kundërt procedura e aplikimit online në të cilën ju kërkoni të transferoni qendrën e tërheqjes së pagesës mujore të pensionit nuk do të jetë e vlefshme.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore kanë rikonfirmuar edhe njëherë procedurën që çdo pensionist duhet të ndjekë për transferimin e dosjes së pensionit nga një qendër paguese në një tjetër. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, kërkesa për transferimin e përfitimit mujor mund të bëhet kur pensionisti ndryshon vendbanimin nga një qytet në një qytet tjetër, ose ndryshon qendrën paguese brenda të njëjtit qytet. Qendrat paguese janë zyrat postare të autorizuara për shpërndarjen e pensioneve.
Prej muajit maj, tashmë të gjitha procedurat e përfitimit të pagesave dhe të ardhurave që mbulon skema e sigurimeve shoqërore bëhen vetëm online nëpërmjet portalit qeveritar e-albania. Çdo pensionist që plotëson kriteret për ndryshimin e qendrës ku merr pensionin, duhet që fillimisht të plotësojë kërkesën online në www.e-albania.al, ku duhet që të bëjë identifikimin si qytetar. Në vijim duhet që të përzgjidhni shërbimin e listuar, si: “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi (pensioni)”, ku do të vijoni më tej me procedurat e plotësimit të formularit online për ndryshimin e qendrës së pensionit. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se gjatë aplikimit online NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Me informacionin e numrit personal të kartës tuaj të identitetit do të plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në vijim ju do të duhet të plotësoni formularin sipas fushave të përcaktuara, ku duhet të plotësoni me shumë kujdes të dhënat e kërkuara, të cilat duhet të jenë të sakta.
“Numri dhe data e protokollit do plotësohet nga punonjësit e sigurimeve shoqërore. Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore përkatëse ku ju keni bërë aplikimin. Duhet të mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj”, sqarojnë autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Nëse kjo nuk ndodh kërkesa juaj nuk do të merret në shqyrtim, e për rrjedhojë do të vonohet edhe aplikimi juaj online.
Që prej datës 1 maj të gjitha kërkesat në lidhje me aplikimet për të gjitha llojet e pensioneve, vërtetimet për pagesat e kontributeve, verifikimi i masave të patërhequra të pensioneve, mbledhja e viteve të punës, etj, apo aplikimet për llojet e tjera të të ardhurave që përfshin skema e sigurimeve shoqërore mund të bëhen vetëm online. Me ndryshimet e bëra, qytetarët tashmë nuk do të drejtohen më pranë sporteleve të agjencive apo drejtorive rajonale të sigurimeve për të zhvilluar procedurat për këto shërbime, pasi të gjitha procedurat do të përmbyllen online.
Kërkesa paraprake për pensionin e pleqërisë
Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror dhe që janë në prag të moshës së përcaktuar për të dalë në pension mund të plotësojnë online kërkesën paraprake për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo me qëllim që verifikimet e kushteve të përfitimit nga strukturat e sigurimeve shoqërore të kryhen në kohë pa rrezikuar asnjë ditë vonesë në marrjen e pagesës mujore që ju takon sipas ligjit.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitim pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Kjo pasi koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve të mund të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesi. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, çdo person i interesuar duke nisur nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim, mund të paraqesë kërkesën paraprake të daljes në pension. Plotësimin e kësaj kërkese tashmë mund ta bëni lehtësisht brenda pak minutave online nëpërmjet portalit “e-albania”.
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të ligjit për sigurimet shoqërore. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Po ashtu çdo person i siguruar që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.
Kërkesa për transferimin e pensionit: 9 hapat për aplikimin online:
- Identifikohuni si qytetar në portalin qeveritar e-albania.al .
- Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi (pensioni)”.
- Plotësoni formularin përkatës për këtë kërkesë.
- NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja.
- Me informacionin e NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
- Ju duhet të plotësoni formularin sipas fushave.
- Numri dhe data e protokollit do plotësohet nga punonjësit tanë.
- Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë DRSSH përkatëse.
- Ju lutem mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj.