Kreu i sindikatës shprehet se nga vendorët janë bërë shpresh premtime për zgjidhje, por asnjëherë nuk është marrë përgjigje
Pranvera Kola
Bashkia e Tiranës hesht ndaj kërkesave të taksistëve. Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit, taksistët janë ende në pritje të përgjigjes së zyrtarëve të Bashkisë se ç’do të bëhet me plotësimin e kërkesave të tyre. Në një shkresë depozituar pranë këtij institucioni menjëherë pas ndërrimit të administratës nga zgjedhjet vendore, taksistët kanë kërkuar ndërhyrjen e Bashës në luftën kundër informalitetit, si dhe rritjen e tarifave të taksimetrit, kërkesa të cilat po pengojnë veprimtarinë e tyre. Ndonëse ka kaluar shumë kohë, zyrtaret e bashkisë duket se nuk kanë ende një përgjigje për t’u dhënë kërkesave të taksistëve, duke qenë se ende nuk po komunikojnë zyrtarisht se çfarë masash do të merren në këtë drejtim.
Kundrejt kësaj problematike, kreu i Sindikatës Shqiptare të Taksive, Gëzim Bardhi, konfirmoi se me gjithë premtimet e bëra nga zyrtarët e këtij institucioni herë pas here, deri më sot nuk është kthyer asnjë përgjigje mbi formën se si mund të zgjidhet problematika e ngritur. Bardhi vë në dukje se janë të shumta taksitë e licencuara në kryeqytet të cilat kanë vite që nuk derdhin taksat që u takojnë.
Të tjera shqetësime që kanë ngritur taksistët në lidhje me problemet e hasura në ushtrimin e aktivitetit kanë të bëjnë edhe me lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy palëve, si dhe përcaktimin e vendparkimeve që ende nuk janë futur për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Këto shqetësime kanë nxjerrë disa herë në protesta taksistë, por pavarësisht këtyre manifestimeve gjendja mbetet po e njëjtë.