Rrudhja e sipërfaqes pyjore si pasojë e prerjeve pa kriter në kundërshtim me ligjin zbret për diskutim edhe në radhët e akademikëve, studentëve dhe specialistëve të tjerë të mjedisit. Duke iu referuar gjendjes së rëndë të krijuar në shumë zona të vendit, ku kurora të shumta që kanë edhe statusin e mbrojtjes si parqe natyrore po shkojnë drejt zhveshjes totale, ekspertët e mjedisit dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Pyjore kanë kërkuar nga strukturat qeveritare që të ndërhyjnë me marrjen e masave urgjente në parandalimin e këtij fenomeni, pasojat e të cilit janë shumë të rënda. Në aktivitetin e zhvilluar dje, e që përkonte me 91 vjetorin e përkujtimit të shërbimit pyjor, drejtues të këtij fakulteti si dhe ata të shoqatës së specialistëve të pyjeve rikthyen në vëmendje situatën e rënduar që po çon drejt shkretimit pyjet në shumë rrethe të vendit, si shkak i prerjeve dhe transportit të pakontrolluara veçanërisht në orët e vona të natës, përdorimit të lëndës drusore kontrabandë për eksport, etj. Sipas tyre me shqetësuese në këtë 91 vjetor përkujtimor mbetet mungesa e theksuar e profesionistëve, specialistëve në brendësi të institucioneve që duhet të merren me mbrojtjen e pyjeve. ”Në 10 vjetët e fundit marrëdhëniet e shqiptarëve me natyrën dhe veçanërisht me pyjet janë përkeqësuar mjaft. Një nga shkaqet e përkeqësimit është edhe nxjerrja e inxhiniereve të pyjeve nga pyjet. Ky nuk është një fenomen, por thelbi i çështjes është ky: politizimi i tejskajshëm i administratës pyjore”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve, Kolë Malaj. Shoqata e mbështetur edhe nga akademikët e Fakultetit të Shkencave Pyjore, si dhe inxhinierët me eksperiencë në këtë fushë, thonë se për t’i dhënë fund kësaj situate është e nevojshme vendosja e një moratoriumi 5-vjeçar për eksportin e pyjeve, hartimin e një legjislacioni të ri duke përfshirë edhe një strategji konkrete, si dhe krijimin e kadastrës kombëtare. Problematika, për të cilat do të dërgohen shkresat përkatëse pranë kryeministrit, ministrit të Mjedisit, si dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e mjedisit, e veçanërisht hapësirave pyjore. Më tej edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore ka kërkuar që në kryer të strukturave që merren me mbrojtjen e pyjeve duhet të vendosen specialistë të fushës dhe jo persona që nuk kanë arsimin përkatës. “Statusi i pylltarit sot është më shumë se kurrë i rrënuar, i persekutuar kur numri i inxhinierëve dhe teknikëve pyjor që punojnë në sektorin pyjor është në minimumin historik të tij. Zëvendësimi i drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shërbimit pyjor me specialistë jashtë profesionit është një mangësi e jashtëzakonshme që vërehet vetëm në Shqipëri”, shprehet dekani Vath Tabaku, duke i kërkuar administratës shtetërore që të mos lejojë më tej këtë praktikë shqetësuese.