Nëse ligji aktual nuk ndryshon qindra jetimë rrezikojnë të mbeten në mes të katër rrugëve. Kjo pasi ligji aktual për statusin e jetimit konfirmon ndërprerjen e shërbimeve dhe përkujdesit social menjëherë sapo jetimët të arrijnë moshën 18 vjeç. Pas kësaj moshe ata duhet të kujdesen vetë për gjithçka si nga gjetja e një shtëpie për të banuar, një vend pune apo dhe vijimin e studimeve të larta. Kundrejt kushteve të vështira të jetesës me të cilat përballet jetimët pasi mbushin moshën 18 vjeç, institucionet që merren me mbrojtjen e tyre u kanë bërë thirrje dikastereve qeveritare që të ndërhyjnë në ndryshimin e ligjit. “Duhet të hartohet një ligj i plotë, bashkëkohor, konform standardeve të BE-së, dhe që të garantojë një status të avancuar social të kësaj kategorie në nevojë. Synimi është që ata të kenë një kuadër ligjor që tu vijë në mbrojtje në drejtim të punësimit, të arsimimit, të integrimit real, dhe të strehimit të tyre që ti bëjë ata të barabartë në shanset për tu integruar në rrjedhën e shoqërisë”, deklaron kreu i Institutit Kombëtar të Integrimit të fëmijëve jetimë Ilir Çumani. Sipas tij ndryshimet në ligj duhet të përfshijnë kritere më të qarta në mënyrë që të shmanget pengesa që shfaqet herë pas here ndërmjet pushtetit vendor dhe atij lokal gjatë dhënies së shërbimeve për këtë kategori në nevojë.