Mjafton të jesh aktiv nepër rrjetet sociale për të lexuar me dhjetra ankesa studentesh të postuara në faqe me influence dhe interaktivitet të konsiderueshem për shkak të numrit të ndjekësve. Është bërë e modës t’i rrëfehesh një statusi në facebook/twitter dhe të ngushëllohesh me idenë se nuk je i vetëm në diskriminim, privim të drejtash apo shurdhëri nga lart, amulli kolektive dhe dizinformim mbi të drejtat dhe detyrat që mbart roli i studentit e kur mungesa e transparencës dhe informacionit vjen nga vetë institucionet e informacionit dhe dijes… nis absurditeti.
Sipas anketimeve të një viti më parë realizuar nga Këshilli Kombetar Studentor (KKS), mbi 63% e studentëve nuk e njohin Këshillin e Fakultetit dhe Senatin e Universitetit, e aq më pak programet e kandidatëve garues. Në rastet kur ka programe për postet drejtuese në KS, ato janë jo aktualë dhe jo të përditësuar me interesat e studentëve, aq sa më e pëlqyeshme duket të jetë blerja e gazetave me thashetheme të fundjavës në raport me gazetën Studenti. Struktura qëndron bindshëm, zyra e Këshillit Studentor dukshëm prezente, por brendia e këtij organi të vetëqeverisur nga studentet qeveris gati në mënyre të padukshme.
Mangësite në mirëfunksionimin e kësaj strukture pasojnë me mangësi në bashkëpunimin student-staf pedagogjik, mungesë aktivitetesh jashtëshkollorë formues, kulturorë, sportivë dhe artistikë që njëkohësisht me edukimin, ofrojnë edhe argëtim. Në vazhdim, kërkimi shkencor gjendet në nivele skandaloze dhe procesi akademik i mbetur pa feedback konstruktiv. Pra, mungon stimuli drejt përsosjes së sistemit të arsimit në përgjithësi. Përpos kontributit në pasqyrimin e nevojave studentore, përfshirjes në KS i shtohen edhe njohuritë mbi ndjenjën e demokracisë dhe lidershipit. Çdo student mund të integrohet në departamente ku ai e ndjen veten më të përshtatshëm, më të përfshirë apo më të nevojshëm për departamentin dhe anasjelltas duke qenë se baza e KS mbetet bashkëpunimi dhe sinkronizimi. Në shumicën e portalëve zyrtarë të universitetve në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë për konferencat brenda dhe jashtë vendit, për panairet e punësimit (gjenerojmë breza studentësh me CV të bardhë), më pak akoma struktura që përforcojnë lidhjet midis studentëve tanë me studentë të universiteteve analogë nëpër botë, detyrë kjo e Zyrës së Këshillimit të Karrierës.
Zgjedhjet për Senatin Studentor zhvillohen periodikisht çdo dy vite dhe nëse këto struktura do ishin të shëndetshme nuk duhet të mungonte as një database me të dhëna të studentëve më të suksesshëm të diplomuar pranë çdo universiteti përkatës dhe mbajtja e kontakteve me ta edhe pas diplomimit. Interneti në mënyrë absolute duhet të jetë i aksesueshëm, përfshirë këtu edhe shërbimet në bibliotekë ku kjo e fundit pluhros në rafte vetëm tekste shkollorë dhe romane të viteve ’90. Mund të shihet si alternativë edhe punësimi i pjesshëm i studentëve në ambjentet e brendshme të universitetit dhe ofrimi i shërbimeve të specializuara për studentë me nevoja të veçanta në mënyrë që edhe ata të përshtaten më mirë me ambjentet dhe jetën universitare. Shumë studentë nuk dinë se disa universitete kanë të përcaktuar në rregulloren e tyre të brendshme që 2% e buxhetit total administrohet nga KS, por ku përfundojne këto para? Sigurisht, diku tjetër…
Ndër të tjera kjo indiferencë masive dënohet ligjërisht bazuar në Nenin 55 të Ligjit Nr. 9741 datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”. Pra, ato filmat e bukur amerikanë me grupime studentësh dhe sfida elektorale brenda univeristetit qenkan të mbështetur në realitet dhe jo pjellë e imagjinatës se regjisori.
