Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e shoqatës “Jetimët në fokus”, Maksim Liço.
Seanca me dyer të mbyllura u zhvillua paraditen e sotme.
Prokurori i çështjes Ervin Karanxha ka kërkuar “arrest me burg” për Liçon, kërkesë e cila është marrë parasysh nga trupa gjyqësore. Ai akuzohet për “marrëdhënie me të mitur jetim duke shpërdoruar detyrën dhe prostitucion”
Maksim Liço, kreu i shoqatës “Jetimet në Fokus” i cili kërkonte favore seksuale një 16 vjeçari në këmbim të statusit të jetimit por dhe parave u ndalua dje nga policia e Tiranës.
Ndalimi erdhi pasi emisioni “Fiks Fare” i Top Channel publikoi investigimin ku zbulonte se gjatë bisedave telefonike, Maksim Liço i premton parà në këmbim të seksit, jetimit 16-vjeçar.
Gjatë bisedës telefonike, kryetari i shoqatës së jetimëve i tregon jetimit, se nuk është hera e parë që ai kryen marrëdhënie të tilla me djem të moshës së tij, madje i pohon se ka pasur marrëdhënie të tilla dhe me një 14-vjeçar.
Jo vetëm kaq ai i kërkon 16 vjeçarit jetim t’i prezantojë shokun e tij 15- vjeçar dhe i propozon që ta afrojë edhe atë nëpërmjet pagesës, kërkon që të kryejnë marrëdhënie të tre.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Liço është ndaluar pasi dyshohet për “ngacmim seksual”, vepër penale e parashikuar nga neni 108/a i Kodit Penal. Prokuroria e Tiranë e ka regjistruar këtë çështje në dt. 01.10.2014 dhe, pasi ka kryer veprimet e para proceduriale, ka drejtuar dhe orientuar ndalimin e personit të dyshuar.
