Shkelja e rregullave në punë ndëshkon me humbje të licencës profesionale dy infermierë. Vendimi drastik i heqjes së të drejtës për të ushtruar për një periudhë kohore të paktën trevjeçare për një infermier erdhi pas ankesave të bëra nga familjarët, të cilëve u ishte kërkuar ryshfet për ofrimin e shërbimit.
Ndërsa rasti tjetër i heqjes së licencës profesionale erdhi pas konstatimit të bërë për tejkalim të kompetencave profesionale, ku një nga infermierët kishte marrë përsipër qepjen e plagës së një pacienti në spitalin ushtarak, detyrë e cila duhej të ishte kryer vetëm nga mjeku specialist.
Detajet janë bërë publike dje nga kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, i cili vuri në dukje se monitorimi po vijon në të gjitha poliklinikat dhe spitalet e vendit pas sinjalizimeve të shumta të lëshuara nga familjarët për vështirësitë e hasura në marrjen e kujdesit shëndetësor.
Skënderi saktëson se monitorimet e kryera deri më tani kanë evidentuar qindra raste problematike sa i takon shërbimeve të ofruara për pacientët shqiptarë nga personeli infermieror, shkelje të cilat janë ndëshkuar me gjobë, si dhe paralajmërime për largime nga puna.
Të dhënat e plota në lidhje me masat ndëshkimore do të zbardhen nga komisioni sapo të mbyllen hetimet në të gjitha qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit.
Kundrejt shkeljeve të konstatuara Skënderi shton se infermierët që kanë marrë qoftë dhe një vërejtje për parregullsitë e konstatuara gjatë dhënies së shërbimit shëndetësor pezullohen edhe nga e drejta për të kandiduar në strukturat drejtuese. Aktualisht ky urdhër po merret me zgjedhjet e strukturave të reja drejtuese në rang vendi.
“Rasti i parë ishte i atij infermierit në Pogradec, i cili kishte kërkuar para për të realizuar shërbimin. Kjo u provua sepse ishte filmuar nga familjarët. Rasti i dytë, ai i infermieres në spitalin Ushtarak, ishte për tejkalim kompetencash. Ajo kishte marrë përsipër punën e mjekut për qepjen e një plage të hapur”, vë në dukje Sabri Skënderi. Sa i takon shkeljeve të tjera, Skënderi shton se janë marrë edhe 100 masa të tjera ndëshkimore kryesisht me gjobë, pasi infermierët nuk kanë respektuar sjelljet etiko-profesionale.
Mosrespektimi i orarit të punës, braktisja e tij, fyerja e pacientëve apo mosmbajtja e veshjes së përcaktuar, si dhe probleme të tjera kundrejt shërbimit të ofruar janë ndëshkuar me gjobë nga 30 000-50 000 lekë, si dhe vërejtje me paralajmërim për largime nga puna.
Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore pohohet se infermierët përbëjnë rreth 75 për qind të punonjësve të shëndetësisë. Sa i takon përmirësimit të cilësisë në shërbimin infermieror, Skënderi shton se ka ardhur koha që të rivlerësohen programet e formimit dhe të standardizohen ato për të gjitha fakultetet e infermierisë, duke marrë eksperiencat më të mira ndërkombëtare në formimin infermieror dhe kjo i takon Ministrisë së Arsimit.
“Të mos abuzohet me liberalizimin e arsimit të lartë për të nxjerrë infermierë pa fund duke abuzuar me cilësinë e tyre që nesër të ndihen keq dhe të themi: “infermierët i kemi të dobët” dhe të bëhen pjesë e gabimeve dhe e fajeve të rënda deri në krim nga paaftësia”, shton më tej Skënderi.