Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerry reagoi për kritikat mbi mospjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë amerikanë në marshimin e solidaritetit në Paris.
Sipas tij, këto kritika ishin pavend, sepse ai do të jetë në Paris më vonë gjatë javës ku do të diskutojë me zyrtarët e lartë francezë për luftën e përbashkët kundër dhunës së ekstremistëve islamikë.
Kerry foli para mediave në Indi, ku ai zhvilloi një sërë takimesh në kuadër të konferencës ndërkombëtare për investime, vizitë që paraprin atë të Obamës më vonë gjatë këtij muaji.
“Do të më pëlqente të isha personalisht në atë marshim në Paris, por nuk mundesha pasi kisha një tjetër angazhim këtu dhe është e rëndësishme që të përmbush angazhimet,” tha Kerry.
Kur u pyet për kritikat mbi mungesën e zyrtarëve të lartë në Paris, ai tha: “Më duket pa vend kjo kritikë pasi ndihmëssekretarja e shtetit Victoria Nuland ishte atje dhe marshoi së bashku me Ambasadorin tonë në Francë Jane Hartley shoqëruar edhe nga stafi i Ambasadës”.
Kerry shtoi se raportet e Shteteve të Bashkuara me Francën nuk janë çështje e një dite.
