Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka uruar qeverinë e re të Kosovës.
“Përgëzojmë Kosovën për formimin e Kuvendit dhe qeverisë së saj për kalimin e parë demokratik të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në të gjithë territorin e Kosovës. Ky koalicion qeverisës dhe procesi që solli formimin e tij, tregojnë elasticitetin dhe gjallërinë e institucioneve politike në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Më pas, Departamenti Amerikan përgëzon presidenten Jahjaga, “për udhëheqjen e saj të palëkundur për t’u siguruar që tranzicioni të ndodhte bazuar mbi ligjet dhe kushtetutën e vendit”.
“Përgëzojmë gjithashtu kryeministrin Isa Mustafa dhe presim që të punojmë ngushtësisht me të dhe kabinetin e tij të ri për t’i bërë ballë sfidave të shumta me të cilat do të përballet Kosova”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t’i kaluar këto sfida, përfshi këtu edhe dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale për të hetuar mbi akuzat e ngritura nga Task Forca Speciale.
“Mezi po presim që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën për të ndjekur axhendën e përbashkët për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës si dhe integrimin e saj euro-atlantik”, mbyllet deklarata për shtyp e Departamentit Amerikan të Shtetit.

OPO FUTI NJE TRALALA DHE JE NE RREGULL