34 vjeçari Matthew Hogg është prekur nga një gjendje e rrallë mjekësore: sa herë që ha diçka që përmban sheqer, apo amidon, stomaku i tij i transformon këto substanca në alkool që më pas hyn në qarkullimin e gjakut dhe i shkakton një gjendje dehjeje. Kjo mund të duket një ëndërr për një të alkoolizuar, por sëmundja e Matthew është për të një makth dhe prindërit e tij kanë shpenzuar më shumë se 50 mijë sterlina në kërkim të kurave për këtë sëmundje që e ka prekur që kur ka qenë i vogël. “Kam pasur simptoma që kur kam lindur dhe gjatë fëmijërisë ka ndodhur shpesh herë që jam gjendur i dehur pa pirë as edhe një pikë alkool. Sa herë që konsumoj bukë, patate, apo oriz me amidon, ato shndërrohen 100% në alkool që qarkullon në trupin tim përmes gjakut. Një porcion oriz është ekuivalent me tre shishe verë të kuqe”, tregon Matthew. Sëmundja e tij e çuditshme, që lidhet me mikroorganizmat që jetojnë në stomakun e tij është diagnostikuar vetëm kur ai u rrit, kështu që kur ishte fëmijë ishte pothuajse çdo ditë i dehur. Sëmundja ka edhe pasoja: edhe pse përpiqet të jetojë një jetë normale, ai gjendet shpesh i lodhur, me simptoma të dehjes dhe me probleme me mëlçinë. Për të minimizuar efektet e sëmundjes së tij, Matthew duhet të mbajë një dietë rigoroze me bazë mishin, peshkun dhe perimet.