Sasia e madhe e reshjeve gjatë dy muajve të fundit e ka çuar prodhimin e energjisë në një rekord historik. 30 milionë kilovatorë në ditë gjenerohen nga agregatët e prodhimit në HEC-e. Një sasi prej 21 milionë kilovatorë në ditë shkon për mbulimin e nevojave ditore për energji në vend, ndërsa pjesa tjetër eksportohet ose depozitohet për shkëmbime të mëvonshme.
Gazeta Shqiptarja.com shkruan se muajin e kaluar, KESH eksportoi rreth 2.5 milionë euro, ndërsa në prill, fatura totale e kontraktuar shkon në tetë milionë euro. Në maj, fatura e shitjes pritet të jetë edhe më e lartë. Rrjedhimisht, në këto kushte KESH në një periudhë kohore prej 2 muajsh e gjysme do të arkëtonte nga eksporti 20 milionë euro, një shifër kjo e barabartë me ¼ e fondit që përfitohet nga shitja e katër HEC-eve me fuqi të mesme, që u privatizuan pak javë më parë.