Këshill Kombëtar për të shpëtuar shëndetin

redaktor

Ulja e çmimit, si dhe heqja e TVSH -së për barnat, shlyerja e mbi 30 milion dollarëve borxh që kanë spitalet, përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet mjekut dhe pacientëve, rikthimi i spitaleve që gëzojnë autonominë, janë ndër pikat e para të ndërhyrjes për shërimin e sistemit spitalor nga rrënimi në të cilin ka rënë.

Gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhen spitalet shqiptare ka rimarrë edhe një herë vëmendjen e drejtuesve të qeverisë shqiptare. Në një bashkëbisedim me mjekët dhe infermierët në QSUT, kryeministri Edi Rama, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtuesit e spitaleve kanë diskutuar mbi nevojën emergjente për reformimin e sistemit shëndetësor në vend. Sistem ky që është shndërruar në një gangrenë, oreksi i të cilës për fonde nuk ka të ndalur, teksa cilësia e shërbimeve është për faqe të zezë, çka në jo pak raste është bërë burim kërcënimi për jetën e pacientit. Mungesë totale barnash, fonde të shkuara dëm si pasojë e blerjes së barnave të panevojshme të cilat skadojnë në raftet e spitalit, teksa blerja e tyre është bërë edhe me çmime shumë herë më të larta nga realiteti, korridore të mbushura me bishta cigaresh e materiale të tjera mjekësore të hedhura kuturu, godina të mbytura nga lagështira, dhoma të palyera, tualete me mungesë higjiene, janë realiteti me të cilin përballen çdo ditë pacientët që paraqiten për trajtim në këtë qendër spitalore. Duke e pranuar këtë gjendje të vështirë, si dhe duke kërkuar bashkëpunimin e mjekëve për kohën e rikuperimit të këtyre problematike, kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ndërhyrjet e para që do të realizohen sa i takon reformimit të sistemit shëndetësor dhe veçanërisht sistemit spitalor. “Zor të gjendet besoj në Shqipërinë e rrënimit të sotëm institucional, një sektor tjetër ku rrënimi të jetë më i prekshëm, por edhe më prekës për njeriun, sesa shëndetësia. Zor të gjendet një shëmbëlltyrë më kuptimplotë e këtij rrënimi sesa ky spital; zemra e sektorit; qendra e gravitetit të shëndetësisë shqiptare; pika historike e referimit për shkencën e mjekësisë shqiptare”, ka deklaruar para stafit të mjekëve kryeministri Edi Rama. Zbatimi i sistemit të referimit nga pacientët e rretheve ka qenë një ndër shqetësimet e ngritura nga bluzat e bardha. Në shumë raste situata në QSUT bëhet kaotike edhe nga sjellja abuzive e pacientëve të rretheve, të cilët udhëtojnë drejt QSUT-së edhe për ekzaminimet më të lehta, që fare mirë mund të bëhen në spitalet rajonale. Ndërkohë që këto të fundit marrin edhe një buxhet të caktuar, i cili shkon dëm pasi nuk vihet në përdorim. Kundrejt problematikës së ngritur nga dekani Bajram Hysa, kreu i ekzekutivit ka theksuar se vëmendje të veçantë do të marrë edhe zgjidhja e problemeve të lindura ndërmjet strukturave të fakultetit, dhe Universitetit Mjekësor të krijuar përmes një vendimi të qeverisë së mëparshme. “Ndonëse korrupsioni i përhapur e i shumëpërfolur dhe interesat e drejtpërdrejta të aktorëve të përfshirë në të ashtuquajturin sektor “gri” të shëndetësisë, duket se janë shkaku kryesor i problemeve dhe keqmenaxhimit të tyre, ne besojmë se ato janë, pikësëpari, pasojë e mungesës apo keqmenaxhimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, edhe pasojë e mungesës së theksuar të transparencës dhe gjithëpërfshirës së të gjithë aktorëve kyç të kujdesit shëndetësor”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë ilir Beqaj, lidhur me luftën kundër korrupsionit.

Spitalet të zhytura në borxhe, vetëm i QSUT-së shkon në 22 milion dollarë
Situatat paradoksale në të cilat ndodhet qendra spitalore më e madhe në vend, njëherësh edhe qendër kërkimesh mjekësore, nuk kanë të ndalur. Premtimet boshe të drejtuesve të shumtë që ka pasur në pak vite kjo qendër spitalore, e kanë thelluar edhe më tej gropën financiare. Borxhet janë një problem më vetë për QSUT-në. “Detyrime të prapambetura ndaj furnizuesve të barnave, materialeve mjekësore apo shërbimeve të ndryshme në të gjithë sistemin shëndetësor sot, që janë pjesë e atij malit të borxhit që ne do ta kapërcejmë me çdo kusht, për ta rivënë në lëvizje ekonominë e vendin, janë 30 milionë dollarë. E, nga 30 milionë dollarë në total, 22 milionë dollarë i ka vetëm ky spital, detyrime. Pa llogaritur këtu, ato që thashë më përpara; pa llogaritur këtu pajisjet 3.3 milionë që nuk janë në gjendje pune dhe 2.7 milionë që janë prishur dhe pa llogaritur këtu, gjithë ato para që praktikisht i ka marrë lumi, për shkak se barnat janë të skaduar para se të përdoren, 430 mijë dollarë në vetëm një vit. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Borxhi ynë është rreth 600 milionë në total dhe kriza aktuale e financave e ka vendosur buxhetin e shtetit në një vështirësi shumë të madhe, por ka vendosur gjithë ekonominë në një vështirësi shumë të madhe”, ka vënë në dukje kryeministri Rama. Ndërkohë që është zotuar se së bashku me stafin mjekësor këto borxhe do të shlyhen, dhe sistemi do të fitojë autonominë e duhur.

Ulja e çmimit të barnave dhe heqja e TVSH-së
Rishikimi i çmimit të blerjes së barnave është një tjetër çështje që do të marrë angazhimin maksimal të dikasterit shëndetësor në vend. Duke marrë shkas nga ngjarjet e shëmtuara të ndodhura në vendin tonë ku blerja e barnave është shumë herë më e lartë se sa çmimet që aplikohen në vendet e origjinës, kreu i qeverisë ka pohuar se kjo praktikë do të marrë fund, pasi efektet e saj do të ndihen që në nisje të vitit që vjen. “Nuk do të pranojmë më të blejmë për spitalet
barna që shiten sa frëngu pulën. Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të shiten barna 3 herë më shumë se në vendet e origjinës. Do t’a heqim TVSH-në prej 10 për qind mbi ilaçet që në paketën e parë fiskale pasi është pjesë e kësaj nevoje për të ulur çmimin e barnave”, tha Rama.
Këshill Kombëtar për të shpëtuar shëndetësinë
Pasi është njohur me shqetësimet e ngritura nga mjekët, kreu i Qeverisë ka paralajmëruar edhe ngritjen e një institucioni të posaçëm për zgjidhjen e ngërçit në të cilin ka rënë sistemi shëndetësor. Ngrirja e Këshillit Kombëtar për Shëndetin është një tjetër organizëm që do të ulë në një tryezë diskutimi, qeverinë dhe aktorët e sistemit shëndetësor, grupe të cilat do
të marrin bashkërisht vendimet për reformimin e sistemit shëndetësor. Gjatë bisedës me mjekët është folur edhe për vendosjen e një kodi etike mes radhëve të bluzave të bardha dhe mes mjekëve e pacientëve.

Share This Article
2 Comments
  • kush mban pergjesi per borxh. kush do e paguaj, ku do i gjesh milionat. ku kane shkuar parat kthe pergjigje ed rama. sduam konstatime.e keni masakru ket vend dhe ket popull.ju kemi lene zotin………………………

  • Pas shume vitesh Z. Edi Rama eshte I pari kryeminister qe flet hapur dhe troc, qe e sheh realitetin e hidhur ne sy ….falenderim I posacem per kete z. kryeminister. kjo eshte A-ja e zgjidhjes se problemit dhe une besoj qe eshe pronlemi I shendetesise do te vihet ne binare sepse fillimi I mbare eshte gjysma e punes dhe per mua ky diskutim I hapur dhe I sinqerte me profesionistet e kesaj fushe eshte shume kuptimplote. turpi le te mbetet per Sali mavrine qe ishte edhe mjek. Pasi coji kete vend ne talebanizem une besoj qe nuk eshte e drejte qe ky kriminel te mos paguaj per demet e pallogaritshme qe I beri ketij vendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *