Këshilla për të parandaluar osteoporozën

Ornela

Osteoporoza shpesh diagnostikohet kur pacienti pëson ndonjë frakturë (thyerje kockore) nëpërmjet një ekzaminimi të thjeshtë radiologjik (radiografia kockore).

Një ekzaminim më i saktë është përcaktimi i masës se dendësisë kockore, i cili bëhet me një aparat specifik dhe interpretohet nga mjeku specialist.

Ndërkohë që të gjitha grave që hyjnë në periudhën e menopauzës, si edhe ato mbi 65 vjeç u rekomandohen matje të rregullta të densitetit kockor.

Sipas bluzave të bardha, osteoporoza mund të mos paraqesë asnjë simptomë të dukshme klinike. Pacientët mund të mos e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje deri në momentin kur pësojnë një thyerje kockore.

Kockat që thyhen dhe dëmtohen më shpesh si rezultat i osteoporozës, janë ato të shtyllës kurrizore (vertebrat) si rezultat i presionit që ushtrohet nga mbivendosja e tyre njëra mbi tjetrën, ndërsa kur rrëzohemi të predispozuara për t’u thyer janë të gjitha kockat e skeletit.

Dëmtimet kockore mund të ndodhin edhe për shkak të traumave minimale dhe kjo vjen si rezultat i dobësisë së theksuar të tyre. Për shkak të dobësisë që kanë kockat nga prania e kësaj sëmundjeje, dëmtimet mund të kërkojnë një kohë të gjatë për t’u shëruar, por mund të jetë gjithashtu shumë e vështirë që ato të shërohen plotësisht.

Në vijim gjeni disa nga këshillat se si duhet të kujdesni për të shmangur që herët sëmundjen e osteoporozës, e cila rrezikon seriozisht kockat tuaja me kalimin e moshës.

Parandalimi

Osteoporoza nuk ka shërim. Trajtimi i saj përfshin ndalimin e mëtejshëm të uljes së densitetit kockor. Çelësi i osteoporozës është parandalimi pra, profilaksia.

Ushtrimet fizike

Rolin kryesor në parandalimin e osteoporozës luajnë ushtrimet fizike, të cilat ndihmojnë dhe përmirësojnë fuqinë e muskujve për të ruajtur ekuilibrin. Për llojin dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve fizike duhet të konsultoheni me mjekun specialist, i cili ne varësi të gjendjes tuaj mjekësore bën përcaktimin e tyre. Disa lloje të ushtrimit ekstrem të tilla, si: maratonat e vrapimit nuk mund të rekomandohen për pacientët që vuajnë nga osteoporoza.

Duhani

Pirja e duhanit në pacientët me osteoporozë mund të përshpejtojë përparimin e sëmundjes. Duhani gjithashtu ul nivelet e estrogjenit në gjak te gratë, gjë e cila mund të çojë në menopauzë të hershme dhe rrjedhimisht në ulje të mëtejshme dhe në ulje të densitetit kockor. Prandaj ndalimi i duhanit është një faktor i rëndësishëm profilaktik për osteoporozën.

Alkooli

Efekti i alkoolit dhe i kafeinës mbi osteoporozën ende nuk është i qartë. Megjithatë, ka të dhëna se ato luajnë një rol negativ. Në këtë mënyrë do të ishte e rekomandueshme mosabuzimi me këto substanca.

Kalciumi

Që kockat të ruhen të forta dhe të shëndetshme duhet që ato të fiksojnë elementin kimik kalcium. Nevojat ditore për kalciumin tek të rriturit shkojnë 1000 deri në 1300 mg në ditë. Burime të mira të kalciumit përfshijnë produktet e qumështit, perimet (lakra, brokoli, spinaqi), frutat (në mënyrë të veçantë portokalli), si edhe drithërat. Gratë në periudhën.

postmenopauzale mund të kenë nevojë për më shumë kalcium (deri në 1500 mg në ditë). Po kaq duhet të marrin edhe gratë shtatzëna, si edhe ato që ushqejnë fëmijët me gji.

Vitamina D

Që kalciumi të fiksohet në kocka organizmi ka nevojë për vitaminën D. Vitamina D u jepet fëmijëve që në vitin e parë të jetës, të cilët kanë nevojë për 400-600 IU në ditë. Ndërsa të rriturit kanë nevojë për 800 IU në ditë. Burime të mira të vitaminës D janë rrezet e diellit, produktet e detit (në mënyrë të veçantë salmoni dhe karkalecat), mëlçia e vicit, veza, produktet e qumështit, portokalli dhe drithërat.

Terapitë hormonale

Në rastin e grave që janë në menopauze mund të lindë nevoja dhe për terapi hormonale për të zëvendësuar hormonin estrogjen, por kjo duhet bërë nën mbikëqyrjen e plotë të mjekut specialist për shkak të efekteve anësore që kanë këto preparate./ DITA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *