Fatos Tarifa
E pyetëm dje sociologun dhe diplomatin e njohur Fatos Tarifa, një bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës Dita, i cili, pak kohë më parë ka botuar librin e tij të fundit, Fjalor i paradokseve (Onufri, 2019), se çfarë këshillash mund t’u japë ai të rinjve të sotëm, edhe nga pozita e një profesori të sociologjisë e të çështjeve globale. Në vetë të dytë, ai u ofron të rinjve të sotëm këto këshilla:
Lexo një libër! Edhe nëse ai nuk është më i miri, leximi i tij nuk është humbje kohe; prej tij do të fitosh diçka, do të mësosh diçka të re, që nuk e dije.
Puno! Mos rri pa bërë gjë! Askush, asnjëherë nuk ka arritur të bëjë asgjë pa punuar, pa u munduar. Puna është jo vetëm burim i mirëqenies, por edhe shkaku kryesor i çdo arritjeje në jetë.
Mos prit të të ndihmojë Fati! Fati, zakonisht, ndihmon jo ata që e kërkojnë, por ata që punojnë.
Zgjidhi shokët dhe miqtë e tu! Zgjidhi ata më të mirë se vetja. Ata mund të mbeten të tillë gjatë tërë jetës. Nëse jo, nëse zhgënjehesh prej tyre, kjo do të thotë se nuk ke ditur të zgjedhësh mirë, ose ti vetë nuk ke qenë një shok, ose një mik i mirë për ta.
Mendo pozitivisht! Ky është një opsion më i mirë dhe më i dobishëm sesa të menduarit negativisht për njerëzit dhe ngjarjet.
Dëgjo më shumë sesa dëshiron të flasësh ti vetë! Ne mësojmë nga të tjerët, jo nga vetja. Sa më shumë dëgjojmë, sidomos ata që janë më të ditur dhe kanë një eksperiencë jetësore më të pasur sesa ne, aq më shumë mësojmë prej tyre. Sa më shumë flasim, aq më pak mundësi kemi të mësojmë nga të tjerët dhe aq më e madhe është mundësia që të gabojmë.
Përmbahu të mos flasësh, sidomos kur nuk je i informuar për atë subjekt për të cilin flitet. Të mos flasësh për gjëra që nuk i di nuk është padituri, por urtësi.
Kurrë mos e mbro me këmbëngulje një ide, ose një mendim tëndin; të jesh i hapur ndaj opinioneve të të tjerëve është mënyra më e mirë për të verifikuar edhe vërtetësinë apo dobinë e ideve të tua.
Udhëto sa herë të jepet një mundësi! Udhëtimet në vende të tjerë, ashtu si mosha, na maturojnë dhe na ndihmojnë të kuptojmë se cilët jemi dhe ç’vend zemë në universin shoqëror në të cilin jetojmë.
Mos u tremb nga e panjohura! Çdo gjë ka qenë e panjohur para se të njihej nga ne. Nëse pranojmë, siç është e vetmja gjë e arsyeshme, se universi është i pafund dhe ne jetojmë vetëm një herë, këtu, në Tokë, dhe vetëm përkohësisht, duhet të pranojmë se njohja jonë për botën që na rrethon është dhe mbetet tepër e kufizuar, pafundësisht e kufizuar dhe e papërsosur. Kjo nuk ka pse të na ligështojë; kjo duhet të na motivojë.
Largo çdo frikë! Frika nuk është gjë tjetër veçse një krijesë e mendjes sonë. Frika nuk ekziton realisht jashtë mendjes; pra, është në mendjen tonë ku frikën edhe mund ta vrasim, për të mos lejuar që ajo t’i vrasë dëshirat dhe ëndrrat tona.
Edhe nëse frikën nuk e shmang dot, frika nuk duhet të të trembë. Në jetë ka momente kur frika të bën më të mprehtë, të sfidon, të bën më të forte, dhe nëse i largohesh frikës, ti u largohesh, gjithashtu, edhe mundësive të tua më të mëdha.
Be yourself! Ji vetvetja. Nëse nuk je i sinqertë me veten tënde, nuk mund të jesh i sinqertë me të tjerët dhe as mund të presësh që të tjerët të jenë të sinqertë me ty.
Duaje veten tënde! Nëse ti vetë nuk e çmon dhe nuk e do njeriun që je, mos prit të të çmojnë dhe të të duan të tjerët.
