Këshillat për të frenuar rënien e flokëve

anazapta

Menjëherë pasi mjeku dermatolog të ketë përcaktuar shkakun që ka ndikuar në rënien e flokëve, përcaktohet edhe formati i trajtimit që pacienti duhet të ndjekë. Megjithatë, mjekët vënë në dukje se në sajë të një raporti të mirë të vendosur ndërmjet mjekut specialist dhe pacientit, mund të bëhet i mundur dhe rikuperimi i flokëve të humbur. Kjo në rastet kur është e mundur.

“Së pari duhet të ndërtohet një bashkëpunim i mirë i mjekut me pacientin, pasi mjekimi i rënies do të realizohet në një hark kohor të zgjatur (që mund të shkojë edhe disa muaj ose ndoshta dhe vite). Pacienti duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të ndjekë me përpikëri këshillat e mjekut dermatolog”, pohon mjekja dermatologe Monika Fida.

Trajtimi i këtyre problemeve përcaktohet në varësi të formës se si është shfaqur, si dhe veçorive individuale të pacientit. Krahas këtyre përcaktimeve është e nevojshme që të mos neglizhojmë edhe disa këshilla të thjeshta që duhet t’i ndjekim gjatë përditshmërisë sonë, në mënyrë që të mund të kemi flokë të shëndetshëm, të cilët e përmirësojnë edhe më shumë pamjen tonë.

Konkretisht, shpeshtësia e larjeve të flokëve nuk ndikon në rënien e flokëve për aq kohë sa produktet e përdorura nuk janë produkte kimike të forta e dëmtuese, por shampo e produkte ushqyese e të kontrolluara dhe të rekomanduara nga mjeku e të tregtuara në farmaci. Fatmirësisht sot ekziston një gamë shumë e gjerë produktesh farmaceutike e natyrale për të trajtuar çdo gjendje e patologji të flokëve, por kjo duhet të bëhet pas këshillimit dhe vizitës së kujdesshme të mjekut dermatolog.

Për raste të lehta trajtimi mund të konsistojë në përdorimin e produkteve natyrale, ndërsa në ato më të rënduarat vijohet edhe me preparate medikamentoze.  Një rol të rëndësishëm në pasjen e një floku të shëndetshëm, është edhe kujdesi që ne tregojmë në dietën ushqimore.

Kështu, dieta e pasur me vitamina, minerale dhe kripëra, si dhe komplekset e multivitaminave të rekomanduara nga mjeku janë ndihmuese në trajtimin e rënies të flokëve. Konsumi i sa më shumë produkteve natyrale, veçanërisht frutave dhe perimeve ndihmon rritjen e shëndetshme të flokut. Në raste të caktuara vitaminat dhe mineralet mund të jepen edhe si shtesa. Një tjetër faktor që duhet të rregullojmë është edhe mungesa e gjumit apo rënia në orare shumë të vona. Thuhet se mungesa e gjumit, si dhe stresi janë armiq që ndikojnë në dëmtimin e flokut.

 

Trajtimi

Asnjëherë nuk ka përmirësim apo rezultate të kënaqshme nëse nuk kemi mjekuar më parë shkakun që ka ndikuar në rënien e flokut. E për ta përcaktuar duhet të kryhen një sërë testesh. Ndonëse flokët nuk kanë ndonjë rol jetësor, ata kanë një rol të rëndësishëm tek aspekti estetik dhe psikologjik, sidomos tek femrat, ndaj cilësohet se rënia e flokut mund të parandalohet vetëm në rastet kur kemi larguar shkakun. Përshembull në rastet kur rënia shkaktohet nga përdorimi i barnave të ndryshme, mund të veprohet me ndërprerjen e tij (por vetëm me kushtin që të mos shkaktojë dëme në trup). Gjithashtu në rastet kur rënia vjen nga infeksionet, bëhet luftimi i tyre me antibiotikë të caktuar.

 

Analizat dhe ekzaminimet laboratorike që duhet të kryhen

Është pikërisht mjeku dermatolog ai që duhet të ndërtojë një plan pune për të përcaktuar fillimisht shkaqet e rënies së flokut dhe më vonë ndjekjen në vazhdimësi të pacientit. Paraprakisht nevojitet një vizitë e kujdesshme dhe kryerja e ekzaminimeve apo analizave të ndryshme, e më vonë duhen bërë konsultimet në rast nevoje me mjek e specialistë të tjerë si stomatolog, gastro-hepatolog, endokrinolog etj. Mjeku dermatolog rekomandon kryerjen e analizave të ndryshme të gjakut, analizave hormonale si ato të hormoneve mashkullore, por dhe të hormoneve të tiroideve pasi shpesh shkak janë çrregullimi i funksionit të gjendrave tiroide, kulture oro-faringeale për baktere patogjen shkaktarë, konsultë me stomatologun, ku duhet bërë edhe grafia e plotë e gojës, grafi të sinuseve e konsulte me mjekun otoriatër etj, në varësi të llojit të rënies e të historikut të sëmundjes.

 

Dëmtime nga krehjet dhe larjet e shpeshta

Dëmtime mekanike që mund të shfaqen nëpërmjet krehjes së shpeshtë dhe të fortë. Larjet frekuente (normale është larja 2-5 ditë) me substanca detergjente të forta çojnë në rritje të dëmtimit të flokut, humbje të shkëlqimit dhe në ndarje të pjesës së fundit të flokut. Pra, theksohet se procedurat si ngjyrosja, dekolorimi dhe bërja permanent mund të kenë një efekt të konsiderueshëm në strukturën e flokëve në qoftë se nuk realizohen në mënyrë korrekte dhe me produkte kimikate të forta.

 

Ngjyrosja dhe dekolorimi

Përdorimi i dekoloruesve të fortë siç përdoren peroksidet (hidrogjen peroksidi) vepron mbi melaninën e flokut që oksidohet e ndryshon ngjyrë. Veç veprimit në pigment vërehen dhe dëmtime në keratinen e flokut që janë të rëndësishme për stabilitetin e flokut që ndahet dhe oksidohet.

 

Deformimet e flokëve

Deformimet e përkohshme: shkaktohen nga trajtimi i flokëve të lagur me masha të nxehta, kremra flokësh ose fiksues formë (llak). Në tërë këto forma dëmtimet e flokëve nuk janë aq të thella dhe të rëndësishme nëse përdoren në frekuenca kohore të lejueshme dhe produkte cilësore.

 

Permanenti

Zëvendëson praktikën e përdorimit të mjeteve të ngrohta në realizimin e ondeve me mjete të ftohta. Duhet pasur shumë kujdes në këto trajtime kozmetike, sepse dhe permanenti i ftohtë përmban rrezikun e dëmtimit të flokëve, dëmtim ky që është më i konsiderueshëm në personat me flokë biond të hollë. Si rezultat i dëmtimeve vërehen tharja, humbja e vitalitetit, humbje e shkëlqimit, flokët bëhen më të brishtë dhe ndarja e flokut në fundin e lirë, dhe më vonë flokët marrin formën e furçës. Menjëherë duhet kërkuar ndihma e dermatologut nëse vërehen dëmtime. Nëse nuk vërehet dëmtim të rrënjës së flokut dhe nuk vërehen shenja sëmundjeje në lëkurën e kokës atëherë këto dëmtime janë të rikthyeshme deri në rritje të flokëve të rinj.

Por ka raste që procedurat në sallonet e bukurisë mund të shkaktojnë dhe probleme alergjike si në rastet e dermatiteve alergjike në lëkurën e kokës dhe sigurisht këto kërkojnë të trajtohen nga mjeku dermatolog.

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • deshta me pyt dishka ,vllau ka probleme me renjen e flokeve kohet e fundit ,a mudet me qen shkatar ushqimi joo i rregullt,llakat e dryshem te flokeve ,larja qdo dit e tyre ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *