Pakujdesia e mbajtjes në ekuilibër të nivelit të sheqerit në gjak, jo vetëm që ndërlikon shëndetin e gruas gjatë shtatzanisë, por edhe të bebes. Duke iu referuar të dhënave të raportuara nga autoritetet shëndetësore gjatë viteve të fundit është vënë re një rritje e numrit të grave shtatzëna, të cilat manifestojnë ndërlikime si pasojë e luhatjes së nivelit të sheqerit në gjak, e njohur ndryshe si sëmundja e diabetit gjatë shtatzanisë. Pasojat e kësaj luhatje mund të jenë të rënda, si për nënën, ashtu edhe për fëmijën. Bluzat e bardha në QSUT kanë nisur të udhëzojnë nënat e reja që të tregohen të kujdesshme në këtë drejtim në mënyrë që fëmijët që do të sjellin në jetë të mos përballen me ndërlikime shëndetësore. Diabeti gestacional (i shtatëzanisë) është pjesë e një ndër tipave të sëmundjes së diabetit, e cila ka shfaqur raste të shumta edhe në vendi tonë. Por, këto komplikacione mund të mbahen nën kontroll me pak kujdes. “Një grua diabetike: Së pari duhet që të ketë një ekuilibër sa më të mirë të diabetit para se të fillojë një shtatëzani (HbA1c < 6,5 %), së dyti duhet të ndjekë diabetin gjatë shtatëzanisë që ta mbajë gliceminë në shifrat e normës me qëllim që nëna dhe fëmija të mos kenë komplikacione, dhe rregulli i tretë që nuk duhet të neglizhohet ka të bëjë me faktin se lindja duhet të kryhet nën përkujdesjen dhe të diabetologut”, sqarohet nga stafi mjekësor në QSUT. Në rast se këto rregullat do të mbahen parasysh atëherë problemet do të jenë më të vogla. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat dhe që mjekët japin për të shmangur pasojat që mund të lërë diabeti gjatë shtazanisë.
Komplikimet gjatë shtatëzanisë
Përmes planifikimit, është e mundur të pasurit të një shtatëzanie normale, dhe një fëmije të shëndetshëm. Gjëja më e rëndësishme është mbajtja e një niveli të sheqerit në nivel të tillë që mjeku mendon se është i këshillueshëm, dhe një kontroll striktë i “HbA1c” për disa muaj përpara se të vendoset shtatzania.
Rreziku për fetusin
Niveli i ulët i sheqerit nuk i shkakton probleme fëmijës. Por, duhet pasur kujdes me episodet e hiperglicemisë pasi mund të ndikojnë në zhvillimin e shëndetit të fetusit. Gjatë tre muajve të parë të shtatëzanisë, ka një rrezik më të lartë për të kaluar abort spontan. Nëse nëna ka nivele të larta të sheqerit në gjak, fetusi mund të zhvillojë problem frymëmarrje ose deformime të skeletit, veshkave, zemrës dhe sistemit tretës. Nga muaji i katërt në të nëntin, rreziku kryesor është një fëmijë më i madh në peshë (makrozomi) ose një lindje e parakohshme.
Rreziku për nënën
Problemet në shikim dhe të veshkave janë më të shpeshtat gjatë shtatëzanisë. Disa gra ankojnë edhe për tension të lartë gjatë tre mujonit të tretë të shtatëzanisë. Mbajtja e sheqerit nën kontroll mund të ndihmojë në parandalimin e kompikacioneve. Gjendja e hypoglicemisë nuk e dëmton fëmijën, veçse episode të përsëritura të saj mund të çojnë në komplikacione për shëndetin e nënës. Komplikacionet më të shpeshta tek nënat mund të jenë: Rëndim i retinopatisë. Shfaqje ose rëndim i veshkave si pasojë e diabetit (edema, proteinuri, dëmtim i funksionit renal, eklampsi, infeksione urinare), hipertension arterial
Çfarë duhet të dijë një grua diabetike gjatë shtatzanisë
1. Mbajtja e një niveli normal të sheqerit gjatë shtatzanisë mbron shëndetin dhe mirëqenien e saj dhe të fëmijës.
2. Glicemia (niveli i sheqerit në gjak) përpara ushqimit duhet të jetë 80-110 mg/dl
3. Dy orë pas bukës vlerat të jenë 155 mg/dl
4. Gjatë shtatëzanisë, mjeku duhet t’ju rekomandojë të bëni matje të HbA1c të shpeshta. Objektivi juaj është ta mbani atë në vlerat më të ulëta se 6%.
5. Duhet të bëni vizita dhe ekografi të shpeshta.
Somarjo
Gjatë tre muajve të parë të shtatëzanisë, ka një rrezik më të lartë për të kaluar abort spontan. Nëse nëna ka nivele të larta të sheqerit në gjak, fetusi mund të zhvillojë problem frymëmarrje ose deformime të skeletit, veshkave, zemrës dhe sistemit tretës. Nga muaji i katërt në të nëntin, rreziku kryesor është një fëmijë më i madh në peshë (makrozomi) ose një lindje e parakohshme.
